Një vend pritës dhe një donacion për për transportin e tyre dhe Shqipëria largon edhe mbetjet e fundit kimike që trashëgoi nga komunizmi.
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në Tonight Ilva Tare tha se mbetjet janë të paketuara tashmë, në pritje për largim.
Duke vlerësuar proçesin ndër vite të demontimit të armëve, Kodheli për Gërdecin i qëndron mendimit se nuk ishte aksident teknologjik.
Kodheli: Historia është shumë më komplekse, nuk ishte aksident.Akoma besoj se do hidhet dritë mbi këtë aferë që solli vdekjen e 26 qytetarëve të pafajshëm, plagosjen e më shumë se 300 të tjerëve dhe shkatërrimin e shumë banesave dhe bizneseve.
Shqipëria nuk shet më armatim, por Ministrja tha se janë bërë donacione armatimi të vjetër për të luftuar ISIS.
Kodheli foli për herë të parë edhe lidhur me keqkuptimet që solli deklarata e saj gjatë vizitës në Kosovë.
Duke i qëndruar sërish faktit se “ politika kosovare duhet të mësojë nga gabimet që ka bërë politika në Shqipëri kur bëhet fjalë për dhunën”, Kodheli tha deklarata e kryeministrit Mustafa nuk ka qenë në adresë të saj.
Kodheli: Deklarata e tij në mbledhjen e qeverisë është bërë në atë kohë që edhe unë e bëja këtë deklaratë. Nuk kishte sesi të kishin lidhje. Duhet pyetur Kryeministri kosovar për cilën forcë politike apo cilin individ aktiv ose joaktiv në politikën shqiptare e ka pasur fjalën.Por të nesërmen një nga këshilltarët e Kryeministrit ka dalë në konferencë për shtyp dhe ka thënë që deklarata e Kryeministrit kosovar nuk ka fare të bëjë me deklaratën dhe vizitën e Ministres së Mbrojtjes.
Lidhur me krizën e emigrantëve, Ministrja tha se Shqipëria ka marrë të gjitha masat, por uroi që vendi ynë të mos shikohet si alternativë për tranzit drejt BE.
Kodheli foli edhe për vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s nesër në Tiranë, qëllimin dhe mesazhet që ai do të përcjellë.
Pjesë nga Intervista:
Tare: Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Tiranë ka ndonjë qëllim?
Kodheli:Është normale që Sekretari i Përgjithshëm të vizitojë një vend në NATO dhe ishte radha e Shqipërisë.Por padyshim rajoni është një zonë e rëndësishme qoftë kjo për NATO-n, qoftë kjo për sigurinë e Europës në përgjithësi. Ne e kemi një risi në këto ditë, është marrë ftesa për tu anëtarësuar në NATO nga Mali i Zi dhe besoj që do zyrtarizohet në samitin e ardhshëm në Varshavë. Një sërë gjërash me të cilat sekretari Stoltenberg duhet të njihet por dhe të japë mesazhet e tij lidhur me rajonin, Shqipërinë dhe sigurinë.
Tare: Ka një axhendë të paracaktuar për rajonin dhe cilat janë shqetësimet kryesore që ka NATO?
Kodheli: Jo, NATO ka një axhendë të vendeve në NATO, jo domosdoshmërisht të vendeve të rajonit. Një nga risitë ka qenë dhe Mali i Zi, ne kemi qenë shumë të kënaqur, kemi qenë për politikën e dyerve të hapura në NATO. Jemi në rrugën e duhur, bregdeti Adriatik nuk do të ketë asnjë njollë gri midis vendeve në NATO. Sllovenia, Kroacia, tashmë Mali i Zi, Shqipëria dhe Greqia do të jenë pjesë e kësaj aleance dhe kjo do sjellë vetëm pozitivitet në gjithë zhvillimet e rajonit.
Tare: Ka dhe nga ato vende që nuk janë dhe aq të kënaqura nga lënia jashtë hartës së mundshme për të qenë pjesë e NATO-s, Serbia psh. Mund të ndikojë kjo në marrëdhëniet me vëndet e tjera të rajonit?
Kodheli: Serbia ka pasur një reagim jo fort të pëlqyeshëm, por Mali i Zi është një vend i pavarur. Dëshira e popullit malazez dhe qeverisë së tij ishte pikërisht kjo, që të anëtarësohej dhe kështu do jetë. Jemi të hapur për çdo partneritet dhe për çdo mik që mendon njësij si ne, ndan të njëjtat vlera me ne.
Tare: Marrëdhënia Serbi-Rusi, mendoni se ka disa ekuilibra që po rivendosen?
Kodheli: Rusia si vend i madh që kërkon ekspansion në politikën e saj të jashtme, qoftë dhe në politikë që involvon pjesën e sigurisë. Ka qëllimet e veta të caktuara. Ne të 28 sa jemi do vazhdojmë të jemi në unitet dhe do ti përgjigjemi Rusisë ashtu siç çdo vend që në mënyrë ekspansioniste mendon në mënyrë jo të drejtë. Serbia ka një partnerit me NATO-n dhe një marrëdhënie të caktuar me Rusinë. Është dashuri e vjetër e kësaj të fundit. Por ne kemi vendosur të ndajmë vlera të tjera me vende të tjera dhe kështu do të vazhdojë. Serbia ka politikat e veta dhe shpresoj se do duhet të jetë një faktor stabilizimi në rajon sikundër dhe shqiptarët janë.
Tare: Do ketë zgjerime të tjera?
Kodheli: Shpresoj shumë që Maqedonia do jetë në listën e vendeve që do marrin këtë ftesë. Maqedonia ka disa probleme që jo domosdoshmërisht lidhen me reformat në ushtri dhe me reformat që i përkasin Ministrisë së Mbrojtjes dhe sigurisë. Por probleme që fillojnë me emrin dhe vazhdojnë me korrupsionin apo zgjedhjet në atë vend.
Tare: Konflikti Rusi-Turqi?
Kodheli: Kemi qernë shumë të vëmendjshëm ndaj gjithë zhvillimeve.Besoj që për këtë rast dhe për zgjidhjen e konflikteve të jashtëzakonshme që ajo zonë ka, Rusia shpresoj që të jetë një partner besnik. Kur flitet për çështje të sigurisë mbarëbotërore siç janë zgjidhja e problemeve në Siri dhe më shumë se kaq, Rusia është e mirëpritur të bashkëpunojë me vendet anëtare të NATO-s, SHBA, pse jo dhe Turqinë.
Tare: Ka një mesazh që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do ti përcjellë Shqipërisë dhe vendeve të rajonit?
Kodheli: Besoj se do jetë një mesazh falenderimi për gjithçka që Shqipëria ka bërë deri më sot.Përparimin që ka bërë, modernizimin, përgjigjen pozitive që ka dhënë për çdo ftesë të tij dhe organizatës që ai drejton.
Tare: Buxheti për Ministrinë tuaj edhe pse e ka taksative që duhet të jetë 2% i prodhimit të brendshëm bruto edhe sivjet mezi ka kapur 1%.
Kodheli: Nuk ka asgjë taksative. Orientuese po.Në samitin e Wellsit nga krerët e shteteve është firmosur një deklaratë e cila e bën të detyrueshme rritjen e buxhetit të mbrojtjes por me një afat kohor të konsiderueshëm, vendimarrja është deri në 2020. Në marrëveshje është thënë që nuk duhet të ulet dhe mundësisht të jetë mbi 1%.Shqipëria në 2016 do ta rrisë buxhetin me 12%.Kapim 0.93%. Më shumë se gjysma e vendeve anëtare të NATO-s e kanë buxhetin nën 1% të prodhimit të brendshëm bruto.Kjo nuk na krijon problem.
Tare: Trupat tona paqëruajtëse kanë armatim nga ky i riu që është blerë?
Kodheli:Po.Është armë automatike që quhet M4.Kallnashikovët janë ende në përdorim sepse duhet kohë që të gjitha të zëvendësohen.
Tare: Çfarë bëjmë me armatimet e vjetra?
Kodheli:Armatimi vetëm zëvendësohet tashmë, kemi dhuruar armatim, por nuk shesim.
Tare: Ka qenë ky dhurim pjesë e kontributit që Shqipëria po jep si vend anëtare e koalicionit kundër ISIS?
Kodheli: Ka qenë. Jemi falenderuar më shumë se një rast nga krerët e NATO-s dhe Pentagonit.Kontributi ynë është diversifikuar, kemi trupa paqëruajtëse në disa zona të nxehta të botës nga Afganistani deri tek Mali. Kemi bërë dhe donacione që kanë shërbyer dhe do vazhdojnë të shërbejnë në vendosjen e paqes.
Tare: Ka ende të mundshme që mund të dhurohen?
Kodheli: Varet nga produkti.
Tare: Pagat e paqëruajtësve, ka në plan qeveria ti rrisë, thonë që i kanë më të ulëtat në rajon.
Kodheli: Kjo është e vlefshme dhe për Ministrin. Unë kam pranuar të bëj këtë punë ashtu si dhe djemtë tanë trima kanë pranuar të bëjnë atë detyrë.Megjithatë pagat që ushtarakët tanë marrin në misionet paqëruajtëse janë shumë herë më të mëdha sesa do merrnin në FA.Rregullojnë një pjesë të mirë të jetës vetëm duke shkuar në një mision, brenda çmimeve që tregu shqiptar ofron.Por ushtarakët kanë bërë një betim para flamurit, shërbesa që ata i japin vendit që fëmijët e tyre dhe fëmijët tanë të jenë të sigurt.
Tare:Mbetjet nga demontimet në Shqipëri, si është gjendja?
Kodheli: Nëse ka një histori suksesi në vite të Ministrisë së Mbojtjes dhe Forcave të Armatosura, ky është proçesi i demontimit. Materiali i trashëguar nga diktatura ka qenë i paimagjinueshëm. Sot në Shqipëri ka 13 hot-spote në mbyllje.Falenderoj të gjithë donatorët që kanë ndihmuar në këtë proçes. Me OSBE kemi pasur disda projekte, një prej tyre ishte largimi përfundimtar i mbetjeve kimike. Arritëm të mblidhnim 250 mijë euro që bënë largimin e mbetjeve kimike pothuajse të fundit, kemi dhe një procedurë dhe Shqipëria është ndër vendet e vetme që nuk ka asnjë mbeturinë kimike në territor.Falenderoj të gjithë ata që vazhdojnë edhe sot të pastrojnë gropën e Gërdecit dhe tua kthejnë qytetarëve si zona të pastra ku mund të zhvillojnë aktivitetin normalisht.
Tare: Gërdeci, ishte aksident teknologjik?
Kodheli:Historia është shumë më komplekse, nuk ishte aksident.Akoma besoj se do hidhet dritë mbi këtë aferë që solli vdekjen e 26 qytetarëve të pafajshëm, plagosjen e më shumë se 300 të tjerëve dhe shkatërrimin e shumë banesave dhe bizneseve.
Tare: Kriza e emigrantëve, ekziston edne mundësia që Shqipëria mund të bëhet pjesë e rrugës së kalimit të tyre për në Europë?
Kodheli: Ekziston mundësia.Edhe për faktin se dimri në rrugët ku kalojnë sot refugjatët sirianë në Serbi dhe Maqedoni është më i ashpër se në rrugët shqiptare. Kjo mund ti shtyjë ata drejt kërkimit të një rruge më të lehtë. Jemi mbledhur më shumë sesa një rast për të parë të gjitha mundësitë dhe për të rritur nivelin e sigurisë. Shpresoj që kjo të zgjidhet pa ndihmën e rrugëve të Shqipërisë dhe Shqipëria të ketë për të zgjidhur disa halle të tjera që ka. Nëse kjo do ndodh ne dimë si ti presim miqtë, e kemi treguar në disa raste. Nuk kemi paragjykime ndaj të tjerëve.
Tare: Ka marrë masa qeveria?
Kodheli: Kemi marrë masa për strehimin, vendet ku mund të ngrihen çadrat, sa kohë na duhet për ti transportuar sepse do jemi vetëm tranzit. Ne jemi në gadishmëri.Sigurisht që kjo do ta komplikonte jetën e të gjithëve ne, por të paktën nuk na gjen të papërgatitur. Nuk ka shifër sesa mund të vinë, është ulur ritmi i fluksit. Në kufinjtë e Maqedonisë dhe Greqisë kanë qenë 1000 në ditë.
Tare: Situata në Kosovë, cili ishte qëllimi i vizitës suaj atje dhe çfarë ndodhi me deklaratën tuaj?
Kodheli:Qëllimi i vizitës ishte një takim dyalësh bilateral me homologun kosovar. Iu përgjigjia një nga pyetjeve nga një gazetare, i mbetem asaj përgjigje nëse më pyesin prapë po ashtu siç e thashë.
Tare: Politika kosovare duhet të mësojë nga gabimet që ka bërë politika në Shqipëri?
Kodheli: Po, kur flitet për dhunën po.
Tare: Pse u keqkuptua?
Kodheli: Nga kush?
Tare: Nga zyrtarë të Kosovës që thanë ne nuk kemi nevojë për leksione.
Kodheli:Kryeministri kosovar ka bërë një deklaratë atë ditë në mbledhjen e qeverisë që nuk ka pasur lidhje fare me deklaratën time.Deklarata e tij në mbledhjen e qeverisë është bërë në atë kohë që edhe unë e bëja këtë deklaratë. Nuk kishte sesi të kishin lidhje. Duhet pyetur Kryeministri kosovar për cilën forcë politike apo cilin individ aktiv ose joaktiv në politikën shqiptare e ka pasur fjalën.Por të nesërmen një nga këshilltarët e Kryeministrit ka dalë në konferencë për shtyp dhe ka thënë që deklarata e Kryeministrit kosovar nuk ka fare të bëjë me deklaratën dhe vizitën e Ministres së Mbrojtjes.