Julian Deda: Nuk e përjashtoj mundësinë e një mandati si deputet
Me një karrierë gati 12-vjeçare, Julian Deda është një nga aktorët më të preferuar të momentit. Artisti, të cilin e shohim prej vitesh tashmë në spektaklet e humorit, gjatë muajve të fundit është shndërruar edhe në një nga opinionistët më të ndjekur në rrjetet sociale për shkak të reagimeve të tij të ashpra dhe konçize për gjithçka që ndodh në vend.
Në këtë intervistë për “Summer Pages”, Julian Deda na rrëfen çfarë e ka shtyrë që të reagojë në mënyrë kaq direkte dhe agresive, ndërsa për përfshirjen e tij në politikë, ka treguar se, “nuk jam përfshirë më shumë sesa një vit më parë, të njëjtin ‘pozicion’ kam, jam anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe koordinator kombëtar”, ndërsa pohon se ai nuk është vetëm një kritik i qeverisë, por edhe i opozitës.
“Mendimi im është që opozita duhet të jetë më e drejtpërdrejtë dhe agresive në kërkesat e saj”. Veç qëndrimit të tij për fenomene të ndryshme që shqetësojnë shoqërinë, aktori i njohur na rrëfen edhe mbi ndryshimet që do të pësojë në sezonin e ardhshëm “Grand Hotel 2 XL”, planet për të realizuar një “One man Show” dhe marrëdhëniet me bashkëshorten dhe fëmijët e tij.
Juli, jemi në fund të verës. Keni bërë pushime? Ku?
Ende nuk kam pushuar dhe do iki së shpejti jashtë vendit. Megjithatë, kam bërë ndonjë ditë pushim në të bukurën Shqipëri, më pëlqen shumë turizmi malor. Zakonisht i lë pushimet për në fund, sepse nuk e dua të nxehtin e madh.
Po përgatiteni për sezonin e ri televiziv?
Përgatitjet zyrtare ende nuk kanë filluar, por nëse quhen të tilla bisedat mes meje, Turit, Erandit, Albanos dhe të tjerëve, po them po…
Cilat janë konceptet paraprake për “Grand Hotel 2 XL”?
Nuk do të ndryshojë ndonjë gjë e madhe. Mendoj se do të ndryshojmë në filozofinë e lojës pak, do ndryshojmë në skemën e spektaklit dhe katër blloqet do të jenë më të koncentruara dhe nuk do të jetë e njëjta ngjarje që fillon e mbaron për një orë e gjysmë, por do të ndahen zonat e problematikave. Do ketë një zonë editoriale, një sociale dhe një krahasimore, që të ketë larmishmëri dhe më shumë ritëm.
Çdo vit spektaklit i bashkohen aktorë të rinj, e kanë të vështirë të përshtaten me ju?
Është një praktikë që ndodh gjithmonë, sepse stafi ka nevojë për një rifreskim, për një ide të re, për energji të reja. Të përshtaten nuk është ndonjë vështirësi e madhe, madje mendoj se meqë janë me ne që kemi më shumë eksperiencë, duhet të ndjehen më rehat. Ata kanë vështirësi, e ndjej sepse edhe unë kam qenë
dikur në vendin e tyre, pasi punojnë me njerëz që kanë vite në skenë dhe kanë një audiencë të madhe. Veç kësaj, nuk është një punë e lehtë dhe të lodh vetëm ideja që çdo javë ke një tekst të ri, të cilin duhet ta analizosh dhe ta përcjellësh sa më mirë, sepse duhet të japësh edhe mesazhin e duhur. Është një keqkuptim i
madh që na ndodh me spektatorin në përgjithësi dhe intelektualët që e shohin më në filigram. Mendojnë se ne bëjmë thjesht gallatë, humor, por në fakt ne ngremë një shqetësim nga aktualiteti, si fjala bie eksodi i shqiptarëve që është një dramë më vete. Nëpërmjet humorit japim një mesazh, nëse është e drejtë apo
e gabuar, e bardhë, e zezë, apo me ngjyra… Duhet t’i analizojmë të gjitha këto që të jemi të qartë për publikun.
Zëri i artistëve e ndryshon opinionin kudo në botë. Sa mendon se ndikojnë artistët në Shqipëri?
E the shumë mirë, kudo në botë, por këtu në Shqipëri ka pak ndikim të them të drejtën. Megjithatë, varet sesa aktiv je në bërjen e një opinioni. Nëse bën një opinion vetëm ku të intereson, atëherë nuk je shumë interesant dhe i besueshëm, sepse kuptohet pse po e bën. Ideja është që të jesh në kontakt me atë që
ndodh. Opinion mund të bëjë kushdo, por në ndryshim nga të tjerët, një artist ka audiencë më të madhe. Megjithatë, si të ndikosh në 100 persona si në 2000, ndikim është, secili ka rëndësinë e tij.
Dhe në fakt, Julit opinionet nuk i mungojnë, madje kohëve të fundit je edhe më agresiv…
Unë jam brenda një strukture, jam pjesë e Partisë Demokratike dhe kjo dihet. Gjithsesi, edhe sikur të mos isha, janë disa gjëra që na shqetësojnë. Nuk mund të qëndroj pa reaguar kur diçka më shqetëson dhe në fakt kritikat e mia nuk i takojnë vetëm qeverisë. Kam reaguar edhe për ato që më shqetësojnë brenda Partisë
Demokratike. Unë përpiqem të jap mendim. Unë nuk jam ndonjë figurë e lartë e partisë që të bëj ndryshime, por them atë që më shqetëson, pak rëndësi ka nëse e merr dikush apo jo. Reagoj nëpërmjet ‘FB’ dhe jap një mendim personal, kur të dal tek foltorja e partisë, do jetë tjetër gjë. Meqë “Facebook”u është personal,
jap mendimin tim, sigurisht i veshur me petkun e anëtarit të një partie, por kjo nuk ka rëndësi. Nëse më dhemb që njerëzit po largohen nga Shqipëria, apo që njerëzit po vdesin për bukë, do ta them. Nëse më dhemb që Partia Demokratike nuk po reagon në mënyrën e duhur dhe që duhet të kemi një opozitë më të
fortë, sigurisht që do ta them. Duhet të kemi një opozitë më të fortë, për t’u përballur me fenomenet. Mendoj se një opozitë e fortë ka dy benefite, e para forcon dhe krijon besimin tek anëtarët e saj dhe e dyta, përmirëson qeverisjen, sepse nëse je i shëndoshë në kritikat që bën, edhe qeverisja do ishte më e mirë.
Po thoni “nëse”, janë këto në të vërtetë shqetësimet tuaja kryesore?
Shqetësimet e mia janë që këtu nuk po qeveriset mirë dhe kjo është e qartë si kristali. Që vendi është në regres ekonomik, kjo duket me sy të lirë, nuk po e them unë. Është e qartë që njerëzit janë më të varfër, paguajnë më shumë taksa dhe po ikin nga Shqipëria. Këto janë faktet dhe shqetësojnë gjithkënd, sepse të ikin rreth 70 mijë vetë për 10 muaj nuk është pak. Me këto ritme pas 30 vjetësh shpopullohemi. Sidoqoftë, unë mendoj se reagimi duhet të jetë. E rëndësishme është të flasim, të bëjmë opinion dhe të tregojmë disa të vërteta. Nëse shkojnë në vesh të shurdhër apo jo, këtë nuk di ta them.
Bëheni gjithmonë edhe më agresiv me kritikat tuaja. Kjo për shkak të impenjimit më të madh në politikë dhe synimeve në këtë fushë?
Jam bërë agresiv, sepse situata është rënduar. Nuk jam përfshirë më shumë sesa një vit më parë, të njëjtin “pozicion” kam, jam anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe koordinator kombëtar. Nuk ka të bëjë kjo, por gjendja është rënduar më tepër, prandaj e ndjej të reagoj më ashpër. Sesa e drejtë është
nuk e di, por kështu e mendoj. Është evidente që një dorë e zezë po përpiqet të na e tërheq vëmendjen nga çdo e keqe, duke bërë llojlloj lajle lulesh, duke filluar që nga tenda dhe kërpudhat, te Kryeministria, e deri tek prishja e një kishe, sikur s’ka halle të tjera ky vend. Janë mekanizma të njohura tashmë, që bën diçka
për të hequr vëmendjen nga një skandal më i madh. Këto gjëra duhet t’i shohim, nuk mund ta hamë më sapunin për djathë.
Çfarë sheh më emergjente?
Absolutisht ekonomia, ajo është më emergjente. Tragjedia e vërtetë është momenti kur dikush vjen dhe fut dorën në xhepin tënd, sepse nga kjo vijnë edhe eksodi, varfëritë, vetëvrasjet. Ekonomia është e gjitha.
Përveç shumë kritikave që ke për qeverinë dhe shtetin, cilat janë kritikat më specifike për opozitën?
Mendimi im është që opozita duhet të jetë më e drejtpërdrejtë dhe agresive në kërkesat e saj. E ka bërë, por edhe nuk e ka bërë. Opozita duhet ta bëjë gjithmonë dhe çdo problematikë e rëndë e këtij vendi duhet të kthehet në kauzë, problem kombëtar, sepse njerëzit duhet ta perceptojnë si të tillë. Eksodi është
shumë shqetësues dhe nuk mund të kalojë lehtë edhe nëse nuk e ngre zërin opozita, nuk pretendoj që ta ngrejë dikush që e shkakton këtë eksod. Nuk them që nuk ka bërë punën, por ndoshta duhet të bëjë shumë më tepër për ta dënuar siç duhet këtë fenomen, e shumë fenomene të tjera.
Mendon të angazhohesh më shumë në politikë? Ndoshta në zgjedhjet e ardhshme të kandidosh si deputet në Shkodër?
Kjo është diçka që nuk e kam menduar ende. Pres që të fillojë sezoni i “Grand Hotel 2 XL” dhe do vazhdoj punën time normale në televizion. Megjithatë, nuk e përjashtoj, të ardhmes nuk i dihet. Deri në 2017ën ka kohë, hap pas hapi do t’i shqyrtojmë.