• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, September 20, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Pas Hagës, kush do ta çojë përpara drejtësinë për krimet e luftës në Ballkan?

by E B
19/09/2026 17:03
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Dënimi në shkallë të parë për krime lufte i katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës erdhi në kohën kur epoka e proceseve të mëdha ndërkombëtare për luftërat në ish-Jugosllavi po i afrohet fundit, thonë njohës të drejtësisë tranzicionale. Ata nuk janë shumë optimistë për progresin e gjykatave vendëse në zbardhjen e rasteve të mbetura pezull.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë, dënuan ish-presidentin kosovar, Hashim Thaçi, për krime lufte në vitet 1998-99, ndërsa e liruan atë nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Aktgjykimi i 16 shtatorit ndaj Thaçit, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dhe ndaj tre ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së – Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit – nuk është i formës së prerë dhe mund të apelohet.

Por, edhe përfundimi eventual i këtij procesi nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht mbylljen e asaj që njihet edhe si Gjykata Speciale e Kosovës.

Megjithatë, në të ardhmen, përgjegjësia për rastet e mbetura të krimeve të luftës do të rëndonte gjithnjë e më shumë mbi gjykatat vendëse, vlerësojnë njohës të drejtësisë tranzicionale.

Për Bekim Blakajn, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), mbetet shqetësuese mungesa e bashkëpunimit juridik mes vendeve të ish-Jugosllavisë, që ai thotë se pengon gjykimet në prani të të pandehurve dhe zbatimin e drejtësisë.

Sipas tij, pa përfshirje ndërkombëtare zvogëlohen gjasat që shtetet të ndjekin të dyshuarit nga komunitetet e tyre shumicë, apo të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin.

Çfarë ka ndryshuar në gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë?

Blakaj thotë për Radion Evropa e Lirë se përbërja etnike e të akuzuarve dhe të dënuarve ka ndryshuar me kalimin e kompetencave nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) tek autoritetet vendëse, që morën kompetencat e plota pas vitit 2018.

Kur proceset drejtoheshin nga ndërkombëtarët, ndjekjet penale të të dyshuarve për krime lufte statistikisht u bënë më shumë ndaj shqiptarëve, pohon Blakaj.

“[Asokohe] nuk ka pasur mundësi ligjore që të ndiqet penalisht dikush në mungesë… Shumica e kryesve të krimeve të luftës nga komuniteti serb [pjesëtarë të forcave serbe] nuk kanë qenë shumë të qasshëm për autoritetet në Kosovë. Prandaj, shumica e proceseve kanë qenë kundër shqiptarëve etnikë, që dyshoheshin për krimet, qoftë ndaj shqiptarëve apo ndaj pjesëtarëve të pakicave”, thotë ai.

Që nga viti 2022, pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, në Kosovë janë bërë të mundura edhe gjykimet në mungesë. Sipas FDHK-së, deri në shkurtin e 2025-tës janë ngritur 15 aktakuza në mungesë kundër 73 pjesëtarëve të forcave serbe.

Blakaj e sheh këtë si lëvizje pozitive numerikisht, por i druhet rezultatit real për sjelljen e drejtësisë.

“Mendoj që, në këtë moment, ndoshta edhe familjarët e viktimave mund të jenë më të kënaqur me këto procese, edhe pse ndoshta në një fazë të ardhshme, kur është e qartë që shumica e tyre as që do të mund të dënohen në mungesë, apo edhe nuk do të burgosen, mund të kthehet pastaj në një lloj frustrimi”, thotë ai.

Ndjekja joproporcionale etnike e të dyshuarve për krime lufte, në këtë rast në favor të komunitetit shumicë, është evidente edhe në Serbi.

Autoritetet atje i thanë Radios Evropa e Lirë se që nga themelimi i departamenteve për krime të luftës më 2003, janë ngritur 270 aktakuza – 112 persona janë dënuar, ndërsa 29 janë liruar.

Gjykatat dhe prokurorët serbë thanë se nuk mbajnë statistika mbi përkatësinë etnike të personave të dënuar ose të shpallur të pafajshëm.

Megjithatë, një raport i vitit 2024 i Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi vlerëson se numri i rasteve kundër serbëve për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk është në përpjesëtim me shkallën dhe përmasat e krimeve të kryera ndaj tyre nga formacionet e armatosura serbe.

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, i themeluar nga Qeveria e Kosovës më 2023, thotë se ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës, shumica dërrmuese shqiptarë të vrarë nga forcat serbe.

Sipas Blakajt, të dënuarit në Serbi kanë qenë kryesisht oficerë të rangut të ulët, jo personat me përgjegjësinë më të madhe.

Kur do të përfundojë epoka e proceseve ndërkombëtare për krimet e luftës në Jugosllavi?

Dhomat e Specializuara të Kosovës u themeluan më 2015, me miratimin e Kuvendit të Kosovës. Ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por kanë selinë në Hagë, Holandë, dhe funksionojnë me gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë.

Ndryshe nga Specialja, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ishte themeluar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për të trajtuar krimet e luftës në gjithë ish-Jugosllavinë.

Iva Vukushiq, historiane nga Universiteti i Utrehtit në Holandë, thotë se në perceptimin e një pjese të komunitetit juridik dhe studiuesve në Hagë, fundi i një epoke kishte ardhur që me dënimin në apel të ish-komandantit të forcave serbe të Bosnje e Hercegovinës, Ratko Mlladiq, ndonëse më pas përfunduan edhe procese të tjera.

Sipas saj, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë tërhequr dukshëm më pak vëmendje jashtë Kosovës dhe Serbisë, sesa proceset e Tribunalit për ish-Jugosllavinë.

“Në shumë aspekte është e kuptueshme, sepse kanë kaluar pothuajse 30 vjet. Kështu që, mendoj se në njëfarë mënyre është normale që nuk i kushtojmë vëmendje kësaj [gjykimeve për krime lufte] në të njëjtën mënyrë siç bënim në vitin 2005”, thotë Vukushiq për Radion Evropa e Lirë.

Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë, Chris Bennett, thotë se ky institucion nuk komenton ekzistencën apo hollësitë e ndonjë hetimi, apo se kur do të përfundojë mandati i saj.

“Mandati i Zyrës së Prokurorit të Specializuar vazhdon derisa Këshilli i Bashkimit Evropian t’i njoftojë institucionet e Kosovës se hetimet dhe çdo procedurë që rrjedh prej tyre kanë përfunduar”, sqaron ai në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Vukushiq thotë se përtej Gjykatës Speciale në Kosovë, gjasat për mbështetje politike dhe financiare për tribunale të tjera të posaçme për ish-Jugosllavinë janë zbehur, veçanërisht me shpërthimin e luftërave të reja nëpër botë.

“Do të thosha se, në një mënyrë apo në një tjetër, duhet të mendojmë, gjithashtu, se deri kur do të na duhet të marrim mbështetje të jashtme – si paterica – për t’i bërë sistemet tona ligjore të funksionojnë siç duhet?”, shprehet ajo.

Çfarë kanë bërë gjykatat vendore në pjesën tjetër të Ballkanit?

Në rajonin e Ballkanit, rezultatet e gjykatave vendëse ndryshojnë ndjeshëm.

Blakaj e veçon Bosnje e Hercegovinën si vendin që ka bërë më së shumti, si për numrin e proceseve, ashtu edhe për nivelin e përgjegjësisë së personave të gjykuar.

Sipas një analize të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), nga viti 2004 deri në fund të vitit 2024, gjykatat vendëse atje kanë përfunduar 773 raste kundër 1.209 të akuzuarve. Në 499 raste janë shqiptuar aktgjykime dënuese të formës së prerë.

Megjithatë, Vukushiq thotë se në Bosnje e Hercegovinë mbeten qindra raste të mundshme, dhe paralajmëron se shumë prej tyre mund të mos arrijnë kurrë në gjykatë.

Në Kroaci, sipas të dhënave që i ka siguruar Radio Evropa e Lirë, nga viti 1991 deri më 31 mars 2026, prokuroritë kanë ngritur aktakuza kundër 2.185 personave. Ndërkaq, gjykatat nuk kanë kthyer përgjigje sa i përket numrit të aktgjykimeve.

Në Mal të Zi, sipas Bojana Maloviqit nga organizata Aksioni për të Drejtat e Njeriut, gjatë tri dekadave janë ngritur nëntë aktakuza.

Shtatë procedura kanë përfunduar me vendime të formës së prerë: katër me aktgjykime dënuese, dhe tri me lirimin e të gjithë të akuzuarve. Dy procedura të tjera po vazhdojnë./ REL.

Next Post
Të pafatët e ditëve festive, ja tre shenjat e horoskopit që do të kenë një Krishtlindje të vështirë

Shenjat më “të urryera” të horoskopit sipas botës

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Më ngacmojnë futbollistët”, gazetarja sportive tregon momentin e sikletshëm në punë

“Më ngacmojnë futbollistët”, gazetarja sportive tregon momentin e sikletshëm në punë

September 19, 2026
Komuniteti shqiptaro-amerikan paralajmëron protestë para OKB-së në New York pas vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK

Komuniteti shqiptaro-amerikan paralajmëron protestë para OKB-së në New York pas vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK

September 19, 2026
Arrestohet shqiptari në Itali, iu gjetën 400 kilogramë kanabis në frigorifer

Arrestohet shqiptari në Itali, iu gjetën 400 kilogramë kanabis në frigorifer

September 19, 2026
Truproja enigmatike e Putinit që po komentohet si “Agjenti 007” personal i tij

Truproja enigmatike e Putinit që po komentohet si Agjenti 007 personal i tij

September 19, 2026
Trump i hap rrugë sanksioneve ndaj Rusisë, DASH miraton në parim shitjen e pajisjeve ushtarake për Ukrainën!

Trump publikon 25 “arritjet” e mandatit të tretë, nga emigracioni te bllokimi i armëve bërthamore të Iranit

September 19, 2026
Ndryshojnë rregullat për zhdoganimin e makinave,  kilometrat do të ndikojnë në vlerën e automjetit

Ndryshojnë rregullat për zhdoganimin e makinave, kilometrat do të ndikojnë në vlerën e automjetit

September 19, 2026
Nis dita e 110-të e protestës, qytetarët mblidhen pranë Kuvendit, një grup i vogël shkon para SPAK-ut: Lironi çunat!

Protestuesit paralajmërojnë tubim më 8 tetor para Kuvendit: Të ndalim shkrirjen e bashkive

September 19, 2026
Zgjedhjet në Rusi nën tension/ Denoncime për manipulime, kufizime ndaj vëzhguesve dhe presion mbi votuesit

Zgjedhjet në Rusi nën tension/ Denoncime për manipulime, kufizime ndaj vëzhguesve dhe presion mbi votuesit

September 19, 2026
Mesazhi i ish-luftëtarit të UÇK-së: Haga na dënoi si komb, ka implikuar një Shqipëri të tërë

Mesazhi i ish-luftëtarit të UÇK-së: Haga na dënoi si komb, ka implikuar një Shqipëri të tërë

September 19, 2026
Hysni Zela rrëfen në “S’e Luan Topi”: Vaçja na solli në Tiranë, ndërsa mua ende më prezantojnë si vëllain e saj

Hysni Zela rrëfen në Se Luan Topi: Vaçja na solli në Tiranë, ndërsa mua ende më prezantojnë si vëllain e saj

September 19, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com