Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Kështu u shpreh ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj në emisionin “Java në RTSH”, duke theksuar se vendi ynë ka shënuar progres edhe në detyrat të cilat u caktuan nga Brukseli vitin e shkuar.
Lidhur me skeptikët e zgjerimit, ministri në detyrë tha se vendet e Bashkimit Evropian nuk kanë rezerva, por mendime të ndryshme. Referuar vitit të kaluar, Cakaj shtoi se 25 vende të familjes evropiane kanë qenë të gatshme për hapjen e menjëhershme të negociatave me Shqipërinë.
“Aktualisht në Bruksel kemi kompletuar ekzaminimin analitik të legjislacionit të BE. Komisioni Evropian ka marrë detyrën nga Këshilli që të monitorojë disa fusha të caktuara, dhe të shqyrtojë përmbushjen e disa prej kushteve shtesë të negociatave këtë vit. Raporti i progresit konstaton se Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për hapjen e negociatave dhe kjo nuk është një përsëritje e asaj që kemi marrë vitin e kaluar. Është konstatuar progres shtesë në përmbushjen e kushteve që janë kërkuar vitin e kaluar. Sipas Komisionit, Shqipëria ka përmbushur të gjitha pikat e nevojshme teknike për të filluar procesin e negociatave”, – u shpreh ai në panelin me analistët Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli.
Sipas Cakajt procesi i hapjes së negociatave ka 2 dimensione: atë teknik dhe politik, duke shtuar se vlerësimi i marrë nga Komisioni Evropian duhet të shndërrohet në një vullnet politik për Këshillin e Evropës.
“Ky është një proces me 2 dimensione, është një proces me dimension teknik, që monitorohet nga Komisioni Evropian, dhe dimensioni politik, që është gatishmëria e vendeve për të proceduar për hapjen e negociatave, ose vendimet e tjera që kanë të bëjnë me negociatat. Vlerësimi pozitiv që kemi marrë nga Komisioni ta shndërrojmë në një vullnet politik te Këshilli. Duhet të mobilizohemi për të bindur disa nga vendet anëtare që kanë rezerva të caktuara për hapjen e negociatave”, – theksoi Cakaj.
Sipas Cakajt, BE-ja po përjeton një transformim rrënjësor brenda vetes, që nga momenti i Brexit, reforma për eurozonën dhe deri te çështjet që kanë të bëjnë me emigracionin dhe ekziston mendimi në disa prej vendeve lidere në BE se ky proces reformash duhet të kompletohet përpara se BE të fillojë procesin e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor. Por kjo sipas Cakajt nuk do të thotë se BE është i deprimuar nga angazhimet në Ballkanin Perëndimor, por se është i rezervuar që të procedojë me zgjerimin në Ballkanin perëndimor.
Ndërkohë, për analistin Preç Zogaj, nëse Maqedonia e Veriut ka si flamur të bilancit të saj për hapjen e negociatave zgjidhjen e konfliktit për emrin, Shqipëria ka reformën unike në drejtësi.
Në editorialin e tij, Zogaj tha se Shkupi e ndan me Athinën marrëveshjen historike për emrin, ndërsa Shqipëria e ndan me SHBA dhe BE sfidën e saj.
“Ne nuk mund ta dimë se çfarë kanë në mendje Gjermania, Franca, Holanda… Sido që të jetë, reforma në drejtësi do të shkojë përpara. Ajo është e vetmja që marshon. Frytet e saj Shqipëria do t’i marrë edhe pa hyrë në BE, ndërkohë që efektet e saj do të përshpejtojnë anëtarësimin e vendit” – shtoi analisti Preç Zogaj.
***
Cakaj: Që një vit më parë, 25 vende ishin pro hapjes së negociatave
Ministri në detyrë i Europës dhe Punëve të Jashtme, Gent Cakaj sjellë detaje nga qëndrimet e vendeve anëtare mbi Shqipërinë.
I pranishëm në emisionin “Java” në RTSH, ministri Cakaj theksoi se ekzistojnë kontradikta mes vendeve anëtare, ndërsa tha se grupe të caktuara kanë të drejtën e kritikave mbi qeverinë shqiptare.
Sipas tij, detyra e qeverisë shqiptare është që këtyre kritikave t’u përgjigjet me fakte.
“Përkundër mënyrës se si ka shkuar vendimi në fund, 25 vende në vitin e kaluar kanë qenë në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë, kjo tregon se është rritur besimi te reformat e Shqipërisë.
E njëjta klimë është edhe sot. Ka kontradikta nga vendet anëtare. Grupacione të caktuara kanë të drejtë të kenë rezerva për Shqipërinë dhe kritika për qeverinë, por ne na takon që t’i përgjigjemi me fakte” – tha ai në panelin me analistët Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli.
***
“Qëndrimet e opozitës nuk ndihmojnë për hapjen e negociatave”
Ministri në detyrë, Gent Cakaj tha se qëndrimet e opozitës PD-LSI nuk e ndihmojnë aspak Shqipërinë në hapjen e negociatave, ndërsa citoi edhe Komisionin Evropian, i cili sipas tij, ka deklaruar se opozita duhet të angazhohet në proceset demokratike.
“Duke cituar vitin e shkuar ju thatë se 25 vende ishin të gatshme. Në harkun e nëj viti. Nëse nuk ka ndryshuar ata, a ka ndryshuar diçka në tiranë? Pasi Shqipëria është i vetmi vend në kontinent që nuk ka opozitën reale në parlament. Pasi është rikonfiguruar parlamenti ndërsa opozita është në rrugë dhe po zhvillon një seri protestash që rrezikojnë ta çojnë vendin në destabilitet. Dy partitë kryesore që kanë dalë nga vota e vitit 2017 refuzojnë të hyjnë edhe në zgjedhjet lokale” – tha analisti Lorenc Vangjeli.
Por Cakaj u shpreh se ndjekja e një politike të tillë nga ana e opozitës nuk i shërben imazhit të vendit.
“Komisioni Evropian përmend tre fakte: ‘Opozita duhet të riangazhohet në procese demokratike’. Kjo lë të kuptohet se ajo ka pushuar së qenëri demokratike. Elementi i dytë: ‘Qeveria duhet të sigurojë mundësin e pjesëmarrjes së opozitës në procesin e zgjedhjes. Kjo do të thotë se nuk i takon qeverisë të sigurojë pjesëmarrjen e tyre. E treta: ‘Përkundër sjelljes së qeverisë, sjellja e opozitës e ka dëmtuar procesin zgjedhor’. Një sjellje e tillë politike, nuk i kontribuon imazhit të Shqipërisë dhe gjasave për hapjen e negociatave”- shtoi Cakaj në studion e emisionit “Java në RTSH”.
***
Shqipëri-Kosovë, Cakaj: Së shpejti seli të përbashkët diplomatike dhe dy flamuj
Ministri në detyrë, Gent Cakaj foli në emisionin “Java në RTSH” edhe mbi marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë.
Ai tha se nuk duhet diskutuar cilat janë marrëdhëniet personale mes udhëheqësve të dy shteteve, pasi stadi i bashkëpunimit institucional ka formatin e tij.
Cakaj solli detaje nga marrëveshjet mes dy vendeve ndërsa shpjegoi procesin e bashkimit të ambasadave dhe stafeve diplomatike.
“Aktualisht me Kosovën po përgatisim një marrëveshje për të zgjeruar partneritetin. Ka katër shtylla kryesore të rakordimit, që do të formalizohen shumë shpejt mes dy vendeve. Së pari bëhet fjalë për krijimin e ambasadave të përbashkëta dhe unifikimi i qëndrimeve. Pra dy flamuj dhe një ambasadë. Ky është një proces i realizueshëm. Kjo do të ketë një kosto pasi prishja e kontratave të qirave mund të kushtojë, por nga ana tjetër nuk ka hapësira për bashkimin e stafeve. Por e sigurt është që do të shkojmë drejt bashkimit fizik” – tha Cakaj.
Ai deklaroi se këmbimi i stafeve diplomatike është pjesë e marrëveshjeve. Këto praktika, shtoi Cakaj, do të përfshijnë edhe këmbimin e përvojave dhe trajnimeve të përbashkëta.
Elementi tjetër i bashkëpunimit është hapja e konsullatave të përbashkëta. Shumë shpejt do ta nisim nga Stambolli. Nga ana tjetër, edhe unifikimi i kalendarit kulturor është pjesë e procesit.
Ai tha se marrëveshja është në fazën e finalizimit sa i përket detajeve teknike.
“Nuk do të jetë vetëm magjepse në letër, por edhe një plan i zbatueshëm dhe i prekshëm” – përfundoi ai në studion e emisionit “Java në RTSH”.