Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj ka deklaruar dje se personi më i shqetësuar nga ekstradimi i Izet Haxhisë, është Sali Berisha. Për gazetën “SOT”, ai tha se ish-kryeministri është i akuzuari kryesor për vrasjen e Hajdarit, ndërsa shtoi se ka ardhur koha që ai të përballet me drejtësinë.
Sipas Brokajt, dosja “Hajdari” do të rihapet, ndërsa ka thënë se deklarata e Haxhisë janë shumë të vlefshme në zbardhjen e çështjes.
Zoti Brokaj, të martën u ekstradua në Tiranë Izet Haxhia, i akuzuar si i përfshirë në vrasjen e Azem Hajdarit. Si e shihni ekstradimin e tij dhe a duhet të hapet dosja “Hajdari”?
Ardhja e Izet Haxhisë ka shumë rëndësi për të sqaruar shumë fakte dhe probleme që pati ecuria e politikës, si dhe shoqërisë shqiptare prej vitit 1990 e këtej. Pra mendoj se pohimet e tij të bëra në media gjatë viteve të fundit kanë një vlerë të jashtëzakonshme. Madje, për mendimin tim vlerë të rëndësishme juridike dhe historike, pasi Haxhia është i vetmi që mund të hedhë dritë hije për atë ngjarje. Ndaj dhe dosja e vrasjes së ish-deputeti Azem Hajdari jam i sigurtë që do të hapet, për shumë arsye, sepse ka shumë vlerë hapja e saj.
Haxhia akuzon drejtpërdrejt Sali Berishën si të përfshirë në ngjarje. Si i shihni këto akuza?
Natyrisht, që ish-kryeministri Sali Berisha është i akuzuari kryesor. Sepse Izet Haxhia është dëshmitari më i besueshëm në ngjarjet që kanë ndodhur dhe vetvetiu Sali Berisha i kriminalizuar nuk i do që të dalin këto fakte, pasi rrjedhimisht do ta çonin para drejtësisë. Sali Berisha është tejet i frikësuar nga ardhja e Izet Haxhisë, prandaj dhe bën këto manovra dhe këtë sjellje. Ka ardhur kohë që Berisha të përgjigjet para drejtësisë.
Sali Berisha në një studio televizive deklaroi se Izet Haxhinë se ka ekstraduar qëllimisht kryeministri Edi Rama. Ju mendoni se ka gisht qeveria?
Nuk jam dakord dhe nuk pajtohem, sa i takon akuzave të Partisë Demokratike kundrejt kryeministrit dhe qeverisë se ka gisht në ekstradimin e Haxhisë. Kështu që për mendimin tim roli i kryeministrit Edi Rama në ekstradimin e Izet Haxhisë është akuza më qesharake si gjithë akuzat që bën ish-kryeministri Sali Berisha për arsyet e tij politike. Dihet që Saliu është kampion i akuzave dhe i shpifjeve, madje edhe trillimeve, kështu që nuk ka asnjë të veçantë kjo sjellje e Berishës.
Në momentin kur u ekstradua Haxhia, PD nisi një valë sulmesh ndaj ministrit Fatmir Xhafaj sa i takon një dënimi të vëllait të tij. Si i shihni këto akuza?
Akuzat e Partisë Demokratike në adresë të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj se po bën gjithçka për të mbrojtur vëllain e tij, për mendimin tim janë të pabaza dhe absurde, për disa arsye. Kështu që nuk është serioze dhe e udhës që të qëndrosh në akuzat që i bëhen Xhafës, kur gjatë 15 vjetëve Partia Demokratike me në krye Sali Berishën ka qenë dy herë në pushtet dhe kishte mundësi që t’i bënte të gjitha verifikimet në lidhje me vëllain e ministrit. Pra të gjitha këto akuza të demokratëve, janë për të hequr vëmendjen nga situatat e rëndë në të cilën ndodhet Partia Demokratike, si dhe gjendja e opozitës. Madje, mund të them se akuzat e PD-së vijnë natyrshëm, nga inati që kjo parti dhe eksponentë të saj kanë me ministrin e Brendshëm, pasi Fatmir Xhafaj ka qenë vendosmërisht dhe i palëkundur si një faktor kyç dhe i rëndësishëm në çuarjen përpara të reformës në drejtësi. Fatmir Xhafaj jo vetëm që ka bërë një punë të mirë me reformën në drejtësi por është edhe një ministër i suksesshëm.
Një tjetër çështje e ditëve të fundit është dhe reforma në drejtësi. Vetingu ka larguar disa gjyqtarë, por po krijohen dhe ngërçe. Mendoni se do ketë zbatim tërësor të saj?
Reforma në drejtësi duket se është në rrugën e mbarë. Kjo për faktin se procesi i vetingut po jep dita-ditës rezultatet të mira, duke çmontuar një nga një njerëzit e korruptuar nga sistemi i drejtësisë. Kështu që duke parë ecurinë, faktet e bëjnë të besueshëm suksesin e vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Pa dyshim që procesi i vetingut do të jetë i suksesshëm, nuk mund të them për masën, por faktet e deritanishme janë shumë domethënëse dhe optimiste. Ka ardhur koha që sistemi i drejtësisë të pastrohet nga të korruptuarit dhe unë jam besim plotë se procesi i vetingut do të prodhojë këtë gjë.
Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë, por vendimi përfundimtar jepet në qershor. Si e shihni faktin që Gjermania është skeptike?
Dhënia e rekomandimit pozitiv për Shqipërinë nga ana e Këshillit të Europës është një lajm, i cili nuk më gëzon vetëm mua por gjithë qytetarët shqiptarët. Besoj se nuk ka më, si të thuash një alternativë tjetër që vendet e Bashkimit Europian, përfshi edhe vendet skeptike të mos japin dakordësinë për çeljen e negociatave gjatë muajit qershor. Arsyet janë gjeo-politike, janë gjeo-strategjike dhe natyrisht rol i rëndësishëm e rëndësi do të kenë ndryshimet e dukshme që ka bërë Shqipëria në reformat që kanë kryer. Por megjithatë do të thosha se më pëlqeu së fundmi diskutimi i kryeministrit Edi Rama dhe pohimet e kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, që sigmatizimet dhe ndëshkimet që na bëjnë për patologjitë që na dhanë, sikur është një lloj diskriminimi që na bëhet nga ana e vendeve të Bashkimit Europian. Sidoqoftë, duke parë reformat e ndërrmara nga ana e qeverisë sidomos ato shtet-formuese, besoj dhe uroj se do ta marrim ok-jin në qershor.
Po dorëheqjen e Saimir Tahirit nga mandati i deputetit si e shihni?
Padyshim që dorëheqja e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri nga mandati i deputetet është një gjest epik, i matur dhe me shumë dinjitet. Kështu që për mendimin tim Tahiri bëri shumë mirë që e kreu dhe hoqi dorë nga mandati i deputetit. Madje, në mënyrë “tallëse apo ironike”, unë do të thosha, pasi e kam thënë edhe në ambiente të caktuara që Saimir Tahiri të thotë që: “Meqenëse unë jam pengesë dhe faktori bllokues i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe që për fatet e Shqipërisë jam gati të jap edhe “jetën”, nuk dua as vendim prokurorie apo vendim gjyqi për burg, por po vete vetë vullnetarisht, kështu që ju integrohuni dhe unë po rri atje në një qoshe me ndonjë polic apo gardian burgu”. Natyrisht që është tallëse dhe komike. Sepse aq shumë po përflitet se Saimir Tahiri është faktori që pengon integrimin. Si përfundim, unë natyrisht jovetëm që e vlerësoj aktin e dorëheqjes së ish-ministrit Tahiri, por është ndër të paktit, madje ndër të vetmit deputet që e ka marrë këtë vendim gjatë këtyre 20 e kusur vite pluralizëm.
a.ç