Nga Liridon Mulaj– I cilësuar si shkrimtari i tranzicionit, ai solli në letërsinë shqipe, realizmin e viteve të vështira të post-komunizmit duke skalitur personazhe atipike për kohën që ndryshe nga soc-reali ndjenin dhimbje dhe pikëllim.
Romanet e tij të ndara mes dy kohëve, gjithmonë si kundërthënie e njëra tjetrës, zgjuan dëshirën jo vetëm të lexuesve shqiptarë por edhe atyre të huaj. I përkthyer në mbi njëzetë gjuhë ai përçoi tek lexuesi i huaj, të gjithë periudhën e vështirë të një kohe të paqartë politike dhe shoqërore si një dëshmi e cila vlente për t’u rrëfyer. Fitues i disa prej çmimeve më të rëndësishme të letërsisë si “Penda e artë” 2004 dhe shkrimtari i vitit 2006, 2016 dhe 2018, Fatos Kongoli njëkohësisht me letërsinë e tij, shkroi dhe historinë tragjike të Shqipërise post-komuniste, si një histori e cila duhej medoemos të dokumentohej.
Në një rrëfim për Gazetasi.al, Kongoli flet jo vetëm për letërsinë dhe shkrimtarët të cilët i cilëson si qenie egoiste, por edhe për politikën sipas pikëpamjes së tij, për dhimbjen që ndjen për vendlindjen e tij, Elbasanin e pushtuar nga bandat. Për familjen në Amerikë si dhe për marrëdhëniet, shpesh të diskutuara me shkrimtarin Ismail Kadare.
Keni kohë që nuk shfaqeni në media. Si keni qënë këto kohë fizikisht dhe shpirtërisht?
S’para kam qejf të frekuentoj mjedise e as të jap intervista për një arsye të thjeshtë, sepse shpesh mendoj se s’kam çfarë të them. Ka dhe diçka tjetër që nuk më pëlqen të flas, siç e thotë edhe dikush që në një vend ku të gjithë ulërasin s’ka vend për njerëz që flasin.
Gjithsesi mendoj se në kohëra të caktuara dhe për njerëz të caktuar, shkrimtari ka gjithmonë diçka për të thënë.
Në një moment të caktuar edhe unë kam bërë jetë aktive edhe në politikë. Kur ka qënë e nevojshme e kam bërë atë që duhet bërë. Tani për një arsye shumë të thjeshtë jam tërhequr sepse mendoj se pikëpamja ime është konsumuar. Unë ndaj të njëjta mendime dhe pikëpamje që kam pasur gjithë jetën. Tani i përket brezit të ri, pra secili brez le të bëjë të veten.
Së fundmi keni botuar romanin tuaj “Ballo me maska ose një shaka e fundit”. Në fakt vitet e fundit keni qënë prodhimtar në letërsi. A është kjo një ngutje për të lënë sa më shumë trashëgimi letrare?
Jo nuk është kjo. Të shkruarit është metafizike. Nuk ka një shpjegim real por është një nevojë për të thënë, për të folur e cila buron së brendshmi. Edhe librin e fundit jo pa qëllim e kam titulluar “Shakaja e fundit” duke thënë boll tashti me libra ( qesh).
Po a është “Shakaja e fundit” vërtetë e fundit?
Dëgjo. Sado të mundohem unë dhe të të gënjëj, çdo njeri që shkruan, shkrimtar domethënë, mos e pyet sepse ai diçka e ka gati ose është duke e shkruar gjithmonë. Është një sëmundje shkrimtaria.
Dikur keni deklaruar se “Letërsia nuk të jep as pare dhe as dreq”. A ka qenë e mundur të jetohet me letërsi?
Unë po të kisha qënë në një vend tjetër shkrimtar, në një shtet me popullsi më të madhe sigurisht që do të mund të jetoja me letërsi. Në një vend si Shqipëria me popullsi të vogël dhe me aq pak lexues, asnjë autor shqiptar nuk mund të jetojë me të ardhurat e letërsisë. Të merresh me letërsi është një lloj sakrifice në të gjitha pikëpamjet. Secili shkrimtar duhet ta mendoje vëtë me çfarë të mbijetojë jashtë letërsisë. E kam thënë dhe më parë, shkrimtarët janë qëniet më egoiste sepse mendojnë vetëm për veten dhe gjithçka ia kushtojnë dëshirës së tyre për të shkruar.
Ju jeni një nga autorët më të përkthyer shqiptar në gjuhë të huaja. A interesoheni më për romanet e tuaja që përkthehen jashtë? Të emocionon ende ky fakt?
Ashtu duket se jam, më i përkthyeri mbas Kadaresë. Edhe vazhdoj të përkthehem. Këto ditë madje është përkthyer në gjermanisht , në Zvicër romani im “Bolero në vilën e pleqve” mbase romani im më i mirë. Sapo është botuar në Zvicër. Është një roman që edhe është ekranizuar pra është bërë film dhe që ka pasë sukses të madh.
Meqë jemi tek ky film. Kujtojmë që rolin kryesor e luan Margarita Xhepa e cila u nda nga jeta pak ditë më parë.
Po e madhja Margarita Xhepa. Ndihem shumë keq që nuk vajta dot të marr pjesë në ceremoninë e saj. Aktore e madhe. Unë pata fat në atë film sepse në atë film morën pjesë disa nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë. Ishte një mrekulli dhe në mënyrë të veçantë Margarita. Ishte dhe roli i saj i fundit në një film.
Në 30 vite, daljet e tua publike kanë qënë të rralla, por unë dua t’ju pyes: Sipas jush, politika në Shqipëri ka qënë një politikë e mirë? A i ka sjellë të mira këtij vendi?
Varet. Ka qënë një moment që unë në njëfarë mënyre u angazhova në periudhën e reniës së regjimit të diktaturës. Si shumica e njerëzve dhe unë u angazhova drejtpërdrejt. Dhe më vjen mirë për këtë.
Që t’ua bëj më konkrete Z. Kongoli. Pse shkrimtarët dhe artistët përfshihen në politikë dhe tërhiqen shpejt? Apo e kuptojnë se politika nuk është aq idealiste dhe misionare sa ç’e pandehnin?
Unë nuk dua të flas me paragjykim. Ka qënë një kohë kur të gjithë, shkrimtarë, artistë, të gjithë njerëzit, kur iu dha mundësia, pak a shumë edhe pa e kuptuar u morën me politikë. E vërteta është se politika është një profesion jo fort i lehtë dhe jo fort i kuptueshëm. Këtë e kuptojnë shpejt si duket dhe tërhiqen. Pasi është tjetër gjë të kesh bindje politike e tjetër gjë të jesh në politikë.
Pse çdo vit e më shumë artistët nuk përfshihen në politikë aktive?
Politika është sofistikuar. Nuk bëhet në mënyrë amatore. Ka qënë një kohë edhe këtu te ne kur politika lexohej pra ishte shumë e lexueshme, pastaj erdhi një kohë kur u kthye në profesion dhe këtu u bë e vështirë. Nuk është e lehtë të jesh kalorës i politikës dhe të marrësh pjesë konkretisht. Mund të jesh shkrimtar i mirë por jo politikan i mirë. Politika është zanat.
Ju keni lindur në Elbasan. Sipas meje ky qytet ka pasur metamorfozën më të tmerrshme në Shqipëri. Pse Elbasani u shndërrua nga qyteti i kulturës, letërsisë, dhe i alfabetit në qytetin e bandave, krimit dhe politikës së keqe?
Më vjen shumë keq kur mendoj për Elbasanin. Po të marrësh qytete të ndryshme të Shqipërisë sot, në Shkodër kanë qënë heronjtë e Vigut, në Korçë është ushtari i panjohur. I vetmi qytet që ka një njeri të mençur dhe të zgjuar në qendër të qytetit është Elbasani, pra ka bustin e Kostandin Kristoforidhit. Kur lexoj për Elbasanin kam një pikëllim shumë të madh. Si ndodhi që qyteti i Isuf Myzyrit e Kristoforidhit e shumë figurave të tjera të mëdha, ra në dorën e krimit dhe të bandave? Pse e katandisën Elbasanin duke e lënë në dorë të krimit? Është për të ardhur shumë shumë keq. Unë kam vite pa shkuar në Elbasan por lexoj dhe i ndjek lajmet, dhe më vjen shumë keq. Dhe fatkeqësisht kështu si Elbasani, krimi ka pushtuar të gjitha qytetet e po ashtu të gjithë politikën shqiptare. Shqipëria fatkeqësisht është kthyer në një vend që drejtohet nga bandat. Kjo është diçka që më rëndon padyshim.
A ka pasur vërtetë një lloj rivaliteti në letërsi mes Fatos Kongolit dhe Ismail Kadaresë apo njëjtë si në çdo fushë tjetër, edhe në letërsi kërkohej një lloj polarizimi?
Shiko si është puna. Ismail Kadare, ndjesë pastë është padyshim shkrimtari më i madh letërsisë shqipe. Nuk e di se kur do të vijë një tjetër Kadare në letërsinë shqipe. Është shkrimtar i madh dhe jo se e them unë por e ka thënë gjithë bota. Kritika e cilësonte Kadarenë si shkrimtarin e epokës.
Të kishe miqësi me Kadarenë nuk vareshe nga ti se të gjithë donin të ishin miqtë e Kadaresë. Ka qënë një periudhë kohe sepse ne kishim disa miq të përbashkët dhe ai ka folur gjithmonë shumë mirë për mua. Mbaj mend kam qënë në Paris, kur u botua romani im i parë dhe Ismaili më ftoi në shtëpinë e tij. Prej miqve tanë të përbashkët , kam marrë vesh sesa herë pyetej për mua , fliste fjalët më të mira. Ai nuk ta përtonte edhe për fjalë të këqija por ky është realiteti. Mua më vjen shumë mirë që kam qënë në një raport miqësor dhe respekti të dyanshëm. Rivaliteti është shpikje e të tjerëve. Kadareja ka qënë i madh që kur nisi të shkruajë.
Fatkeqësisht më ka ikur dëshira për të lexuar. Kjo nuk është shenjë e mirë sepse po nuk lexove, nuk shkruan dot. Leximet të përmbushin. Kam pasur periudha leximi intensive dhe kam mall për atë kohë kur lexoja shumë dhe shkruaja pak. Më kujtohet Qamil Buxheli dikur me një anekdotë të tijën i cili thoshtë se kur shkoj në bibliotekë, shoh të gjithë të ulur në ato tavolinat që shkruajnë, si nuk shoh dike të lexojë.
Ju e ndani jetën tuaj mes Amerikës dhe Shqipërisë. Pse nuk arritët të jetonit atje përfundimisht?
Kam jetuar dhjetë vite në Amerikë. Deri sa mora pashaportën amerikane. Pastaj u ktheva në Shqipëri. Unë kam dy fëmijët e mi atje, dhe ata kanë më shumë vite jetë në Amerikë sesa në Shqipëri madje kur flasim në telefon shpesh flasim në anglisht. U ktheva se kisha mall për Shqipërinë. E gjithë jeta ime është këtu.