Për herë të parë në historinë e një vendi të Evropës Lindore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia u përfshinë së bashku për të mbajtur në pushtet një parti politike, duke dështuar së bashku. Në mitingun e fundit përmbyllës mori pjesë fizikisht zëvendëspresidenti i SHBA dhe i përshëndeti përmes telefonit edhe Presidenti i SHBA, Donald Trump. Nga ana tjetër, fushata u ndërtua mbi një profil prorusi, duke sajuar konfliktin me Ukrainën dhe duke marrë hapazi anën e Rusisë. Hungaezët refuzuan përfshirjen e SHBA në fushatë, pritën gjithë ankth qëndrimin e Vladimir Putin dhe i besuan pushtetin dikujt që i rikthen në Evropë.
https://telex.hu/melleklet/valasztas-2026/listak
Rezultati tregon se si reagon një shoqëri kur ka një alternativë të qartë opozitare, e cila bën diferencën mes dikujt që sillet si “sovranist” me Bashkimin Evropian dhe si internacionalist me të tjerët. Nacionalizmi “anti-BE” i Hungarisë u shkërmoq, pikërisht nga përpjekja për t’u dorëzuar pa kushte në prehër të trumpizmit dhe putinizmit për nevoja elektorale.
Nga ana tjetër, rezultati tregon pasigurinë që ka Hungaria nga ikja prej Evropës. Opozita hungareze ishte e qartë, e bashkuar dhe u ndihmua mjaft nga Orbani të ishte edhe një alternativë e qartë kundër tij. Ishin dy alternativa që dalloheshin që larg: njëra për t’u rikthyer në Evropë dhe tjetra për t’u sjellë si aleatë i të fortëve të botës.
Në ditët e sotme, kur bota është nën terrorin e konflikteve të njëpasnjëshme që po hapen, identifikimi me fuqitë antievropiane ngjall pasiguri dhe është një gjë joelektorale. Orbani ndoshta do të dilte më mirë me rezultatin nëse Trump dhe zëvendësi i tij nuk do ta përshëndesnin në mitingun e fundit dhe nëse Putin nuk do të rikonfirmonte qëndrimin e tij anti-Ukrainë.
Për këtë arsye, zgjedhjet në Hungari nuk reflektojnë domosdoshmërisht dështimin e qeverisjes së Orbanit, edhe pse ka plot kritika për të. Nën drejtimin e tij, Hungaria u zhvillua ndjeshëm dhe fitoi një autoritet të panjohur më parë në tregjet evropiane dhe më gjerë.
Zgjedhjet në Hungari nuk reflektojnë domosdoshmërisht atë se çfarë mendojnë hungarezët për qeverisjen e Orbanit, por çfarë pasigurie ngjall sot në një vend politika e konflikteve ndërkombëtare. Përpjekja e Orbanit për t’u kthyer në një aktor antievropian, në emër të trumpizmit, dhe një bllokues i politikave evropiane për Ukrainën në emër të putinizmit, i bëri hungarezët të ndjehen më pak të sigurt me Orbanin, se sa me dikë që u premton se do të qëndrojnë me Evropën.
Është rasti që provon se lobingjet dhe aleancat ndërkombëtare nuk të mbajnë në këmbë në pushtet, sado të mëdhenj të jenë. Orbani po ikën nga pushteti, duke pasur mbështetjen e paprecedent të Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit, duke humbur mbështetjen e hungarezëve.
Viktor Orban, i cili u përpoq të hynte në histori si një udhëheqës jetëgjatë në pushtet që donte ta bënte Hungarinë “sovrane dhe të pavarur nga Evropa”, në fakt humbi si dikush që deshi ta shiste Hungarinë te trumpizmi dhe putinizmi.











