Me qindra njerëz sfiduan të ftohtin për të bërë homazhet e tyre për Ibrahim Rugovën, njeriun që udhëhoqi Kosovën drejt pavarësisë me një politikë strikte paqësore, i cili ndërroi jetë më 21 janar 2006.
Nga Përparim Isufi
Qindra njerëz të martën shënuan 14-vjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës – njeriu që udhëhoqi Kosovën në rrugën drejt pavarësisë dhe vdiq dy vjet para se vendi të shpallte përfundimisht shtetësinë e tij.
Një kritik letrar, Rugova admirohej për ndjekjen e një politike rezistencë paqësore ndaj sundimit serb – në kohën kur shpërbërja e Jugosllavisë po shkaktonte luftëra të përgjakshme në Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë në fillim të viteve 1990.
Varri i tij në një lagje mbi Prishtinë është bërë një vend i rëndësishëm për politikanë dhe shumë të tjerë, të cilët e vizitojnë atë dhe vendosin aty lule çdo 2 dhjetor, në ditën e tij të lindjes, dhe çdo 21 janar, në përvjetorin e vdekjes së tij.
Nga student në Paris, në aktivist për të drejtat e shqiptarëve
“Vdekja e presidentit Rugova ndodhi në periudhën më kritike të historisë së re të vendit, në një kohë kur pritej që, nën udhëheqjen e tij, delegacioni i Kosovës që negocionte statusin e saj të përfundonte me sukses procesin e ndërtimit të shtetit, i cili kishte filluar me lëvizjen pluraliste e viteve 1989-1990”, shkroi ish-botuesi Blerim Shala në editorialin e tij më 22 janar 2006, një ditë pasi lideri humbi betejën e tij kundër kancerit në mushkëri.
Gazeta kosovare Koha Ditore e hapi numrin e saj të 22 janarit me titullin: “Kosova ka humbur presidentin e saj në fazën e fundit të pavarësisë.” Ajo shtoi: “Duke filluar që sot, Kosova duhet të gjejë kurajën për t’u përballur me këtë humbje të rëndë dhe të vazhdojë luftën për pavarësi për të cilën mbetet vetëm një betejë e vetme.”
Lindur në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, në komunën perëndimore të Istogut, babai dhe gjyshi i Rugovës u vranë nga komunistët jugosllavë vetëm disa javë pas lindjes së tij, pak para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Pas një fëmijërie të vështirë, ai mbaroi shkollën në Istog dhe Pejë para se të diplomohej në Fakultetin e Filozofisë në Prishtinë në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Në vitet 1976-1977, ai studioi në Paris në “Ecole Pratique des Hautes Etudes” nën mbikëqyrjen e Roland Barthes, ku ai zhvilloi interesat e tij në letërsi me një fokus në teorinë letrare.
Në vitin 1988, ndërsa në ish-Jugosllavi shpërtheu konflikti politik, ai u zgjodh Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, gjë e cila i hapi atij rrugën për të qenë më i pranishëm në media si mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve të Kosovës.
Më 23 dhjetor 1989 kur në ish-Republikën Socialiste Federative e Jugosllavisë mori fund sundimi njëpartiak i Lidhjes së Komunistëve, Rugova dhe një grup intelektualësh të tjerë shqiptarë të Kosovës themeluan një parti të re, Lidhjen Demokratike të Kosovës, LDK. Ai u zgjodh kryetar i partisë në ditën e saj të parë, një post të cilin e mbajti për më shumë se 16 vjet deri në vdekjen e tij.
Në maj të vitit 1992, shqiptarët e Kosovës organizuan një votim jozyrtar për një president dhe parlament, të cilin autoritetet e atëhershme serbe e shpërfillën. Rugova u zgjodh president, por parlamenti i zgjedhur në këto zgjedhje nuk u bë kurrë funksional.
Në vitin 1998, pati një raund tjetër zgjedhjesh që u kundërshtuan më shumë nga rivalët politikë për shkak të kohës. Këto zgjedhje u mbajtën pasi pjesë të Kosovës, sidomos rajoni i Drenicës, ishin vënë në shënjestër të policisë serbe, më pak se tre javë pasi forcat serbe kishin vrarë Adem Jasharin, një komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK. Jashari u vra së bashku me 58 të afërm të tij në një betejë tre-ditore.
Nën udhëheqjen e Rugovës, në zgjedhjet e para të lira të mbajtura në Kosovë, menjëherë pasi mbaroi lufta me Serbinë, në vitin 2000, LDK-ja habiti shumë njerëz kur fitoi kontrollin mbi shumicën dërrmuese të komunave.
Humanist i bindur me një anë profetike
Rugova nuk mori pjesë në këto konfrontime ushtarake, duke këmbëngulur që në vend të kësaj të ndiqte një fushatë thjesht politike dhe paqësore për pavarësi.
Në fund të viteve 1980, si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ai kishte ngritur zërin për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, të cilët kishin gëzuar autonominë si një krahinë brenda federatës komuniste jugosllave – të cilën lideri i ri i Serbisë, Sllobodan Millosheviç ishte i vendosur ta shpërbënte.
Një ish-gazetar kosovar që në atë kohë ishte një aktivist i ri, Halil Matoshi, tha se Rugova filloi të mbronte të drejtat e shqiptarëve të Kosovës në një kohë kur retorika nacionaliste po shtohej në të gjithë Jugosllavinë.
“Rugova ishte një intelektual i shquar dhe mbi të gjitha një humanist”, tha Matoshi për BIRN. “Idetë e tij të shkëlqyera mund t’i shikoni në librat e tij. Ai e mbrojti me forcë çështjen e Kosovës në një takim shkrimtarësh në Novi Sad në vitin 1985 dhe në një diskutim midis shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë në Beograd në nëntor 1988″, kujton ai.
“Rugova hyri në mënyrë të natyrshme dhe fuqishëm në një rrjedhë politike si një vizionar që ndjeu trajektoren e politikës globale në fund të viteve 1980, duke pritur në heshtje momentin e Kosovës”, shtoi Matoshi.
Gjatë punës së tij si gazetar në vitet 1990, ai kujtoi intervistat e shumta në të cilat Rugova i kishte bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërhynte dhe të ndihmonte në gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e Kosovës.
Matoshi tha se ai ishte gjithashtu profetik. “Në vitin 1993, ndërsa shtypja shtetërore nga Jugosllavia, e mbizotëruar nga Serbia, arriti kulmin, në një intervistë ai deklaroi se, “NATO-ja do të na mbrojë” – e cila ndodhi më pas në vitin 1999”, vuri në dukje Matoshi, duke iu referuar fushatës ajrore 78-ditore të NATO-s që përfundoi në qershor të atij viti me tërheqjen e Serbisë nga Kosova.
Matoshi tha se Rugova mbeti një humaniste në bindjet e tij. Si rezultat, tha ai, ai luftoi jo për “vazhdimin e projektit më të madh të nacionalizmit shqiptar që nga viti 1913 (një vit pasi Shqipëria shpalli pavarësinë e saj në vitin 1912), por gjithashtu për një shtet liberal dhe të begatë në paqe me fqinjët e tij”.
Refreni i tij i vazhdueshëm në media ishte që, si një shtet i pavarur dhe sovran, një Kosovë e lirë do të ishte “e hapur drejt Shqipërisë dhe Serbisë”.
Matoshi tha se Republika moderne e Kosovës i detyrohet Rugovës për parimet e saj themelore, të ndërtuara në tre shtylla kryesore. “E para është sekularizmi dhe një drejtim pro-perëndimor, e dyta është pavarësia, e ndërtuar mbi parimet e sovranitetit të popullit, dhe e treta është një demokraci e qartë liberale”.
“Rugovizmi ishte i bazuar në një filozofi politike jo dhune dhe argumentimi politik”, përfundoi Matoshi.
Rritja e kritikave për kursin paqësor
Megjithatë, jo të gjithë e admironin këndvështrimin e tij. Kur komuniteti ndërkombëtar mblodhi liderët e Serbisë, Kroacisë dhe Bosnjës në një bazë ushtarake amerikane në Dejton, Ohajo, për t’i dhënë fund luftës në Bosnje, në nëntor 1995, shqiptarët e Kosovës ishin tepër të shqetësuar.
E ardhmja e Kosovës nuk ishte pjesë e diskutimeve të Dejtonit. Shumë prej tyre druheshin se qasja e tyre paqësore nuk kishte dhënë fryte.
Muhamet Mavraj, asokohe student i Universitetit të Prishtinës, në atë kohë i ndiqte leksionet në bodrumet e shtëpive private, sepse shumica e studentëve shqiptarë ishin dëbuar nga universitetet publike të drejtuara nga serbët.
Në vitin 1997, ai ishte një nga studentët që kërkonin një qasje më radikale. “Konferenca e Dejtonit de facto i dha fund politikës joaktive të Rugovës. Asnjë premtim që ai kishte bërë gjatë pesë viteve të mëparshme nuk ishte përmbushur. Perëndimi nuk e kishte shpërblyer politikën e tij ndërsa rinia e Kosovës vazhdonte të migronte”, kujton Mavraj.
“Unë i ndërpreva studimet dhe për rreth dy vjet u përpoqa të gjeja miq brenda universitetit për një lëvizje konkrete”, tha ai. Kjo punë arriti kulmin më 1 tetor 1997, kur mijëra studentë në Kosovë u mblodhën për protestën e parë publike në shumë vite.
Ata nuk kishin marshuar për më shumë se një kilometër nga njëri skaj i Prishtinës deri në kampusin e universitetit kur policia ndërhyri me gaz lotsjellës, duke arrestuar drejtuesit e studentëve dhe rektorin e tyre.
Mavraj tha se ajo ditë shënoi fillimin e rezistencës së armatosur ndaj Serbisë nga një forcë e re guerile, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“1 tetori 1997 shënoi fundin e një politike pasive dhe fillimin e një faze që do t’i hapte rrugën çlirimit të Kosovës me mjete të tjera”, tha ai.
“Protestat tona vazhduan deri më 30 prill 1998 dhe të gjithë sektorët e shoqërisë u njohën me to dhe atëherë Kosova ishte në luftë”, kujton ai.
Mavraj thotë se një takim midis studentëve dhe Rugovës nuk përfundoi mirë, pasi ai u bëri thirrje atyre që të anulonin protestat e tyre.
“Në fund të takimit, ai përdori kartën e frikës. Na tha se në protestë do të derdhej gjak dhe unë e pyeta: ‘Nga e dini këtë? Po takojmë të njëjtët njerëz si ju (amerikanët).’ Ai uli shikimin poshtë”, tha Mavraj.
Megjithatë, Mavraj e pranon se Rugova e meriton respektin që ai gëzon. “Një kurs krejtësisht paqësor, pa ndonjë manifestim për të provokuar regjimin serb i solli atij respektin e ndërkombëtarëve – i cili Kosovës i nevojitej prej një kohe të gjatë”, pranoi Mavraj.
Ndalimi, largimi dhe rikthimi në triumf
Por periudha më e vështirë për Rugovën do të vinte më pas. Kur NATO-ja filloi sulmet ajrore në përpjekje për ta detyruar Millosheviçin të tërhiqte forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe nga Kosova, në mars të vitit 1999, policia mësyu në shtëpinë e Rugovës, duke e vendosur atë dhe familjen e tij në arrest shtëpie në lagjen Velania të Prishtinës.
Tre ditë më vonë, duke zemëruar shumë liderët e UÇK-së, ai u detyrua të shkonte në Beograd për të takuar Millosheviçin dhe të shfaqej në televizionin e kontrolluar nga shteti, duke shtrënguar duart me të, në një kohë kur Kosova ishte gjysmë e zbrazur nga njerëzit e saj, të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe ishin strehuar në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut të ditëve të sotme.
Pas më shumë se një muaj nën kontrollin e policisë serbe, Rugova dhe familja e tij u lejuan të shkonin në Itali në maj 1999. Kthimi i tij në Kosovë pas përfundimit të luftës, më 21 korrik 1999, u përshëndet nga mijëra mbështetës të tij në Prishtinë.
Në maj 2002, Rugova u përball përsëri me Millosheviçin, tani në një tjetër kapacitet. Dy muaj më herët, ai ishte zgjedhur si presidenti i parë i Kosovës pas zgjedhjeve të para parlamentare.
Millosheviçi ndërkohë ishte arrestuar në vitin 2001 dhe ishte dërguar në Hagë për t’u përballur me akuzat për krime lufte të ngritura nga prokurorë ndërkombëtarë.
“Nuk ishte diçka që unë e doja, por i akuzuari e kërko këtë gjë dhe kjo ishte ajo që m’u tha. Po të mos kisha shkuar, do të kishte pasur pasoja”, tha Rugova në gjykatë.
Një ditë pas vdekjes së tij, gazeta Kosova Sot në Prishtinë e risolli në kujtesë Rugovën si “Gandin e Kosovës”.
Por për Halil Matoshin, shembulli i vërtetë për Rugovën nuk ishte lideri pacifist indian i pavarësisë, por një figurë europiane më e kohëve të fundit. “Ai mund të krahasohet vetëm me Vaclav Havel. Ai besonte te pushteti i politikë s dhe te jo dhuna”, përfundoi Matoshi.