Në vitin 1994, mbrojtësi i Kolumbisë, Andres Escobar, shënoi autogol në Kupë të Botës. Më pas u vra. Është një prej tregimeve që bëri bujë të madhe. Më fatkeqi po ashtu.
Vrasja e kapitenit, i cili njihej edhe me nofkën “Zotëria i Futbollit”, jashtë një klubi nate në Medellin pas eliminimit befasues të Kolumbisë nga Botërori, e shokoi botën.
Me gjashtë të shtëna fatale nga pistoleta me kalibër 38mm, jeta e një heroi u shua. Një shtet mbajti zi dhe ndjenja e padrejtësisë dhe zemërimit ishte përhapur gjithandej për shkak të tregtisë së drogës që e kishte kapluar vendin.
Ky vazhdon të mbetet rasti më misterioz i vrasjeve në Kolumbi. Kolumbia udhëtoi në Kupën e Botës 1994 me figura të çmuara dhe supozohej të kthehej me trofe.
Kishte ndjenjë në gjithë shtetin e Amerikës së Jugut se ishte koha. Gjenerata e artë në skuadër kishte emra të shquar si Carlos Valderrama, Faustino Asprilla dhe Freddy Rincon, që e kishin kualifikuar vendin e tyre nga pozita e parë, pa humbje.
Në vitin 1993, në Barranquilla, 70 mijë tifozë në “Estadio Metropolitano Roberto Melendez”, panë Kolumbinë teksa fitonte 2:1 ndaj Argjentinës. Një rezultat mahnitës. Argjentina e kishte fituar Kupën e Amerikës dy herë dhe kishte 33 ndeshje pa humbje, derisa u përball me Kolumbinë.
Kolumbia shkoi “në qiellin e shtatë” më vonë gjatë atij viti kur e mposhti Argjentinën 5:0 në Buenos Aires dhe mori duartrokitje nga tifozët argjentinas. Pele, ikona e lojës së bukur, e mbështeti “La Tricolorin” duke e vlerësuar Kolumbinë si favorite për ta fituar Kupën e Botës. Duke iu afruar edicionit 1994, njerëzit e besuan këtë.
Futbolli si largim nga realiteti
Ishte kohë e rëndë për Kolumbinë dhe njerëzve u duhej diçka për ngushëllim. Pablo Escobar, udhëheqësi miliarder i kartelit të drogës Medellin, ishte vrarë në dhjetor të vitit 1993. Anarkia kaploi vendin.
“Kur Pablo vdiq, qyteti doli jashtë kontrollit”, ka thënë kushëriri i tij, Jaime Gavira, në dokumentarin “The Two Escobars”.
“Shefi vdiq kështu që të gjithë u bënë shefa të vetes. Pablo kishte ndaluar rrëmbimet. Ai e kishte udhëhequr gjithë botën e nëndheshme. Duhej të merrej leja nga Pablo për çdo gjë ilegale”.
Përderisa praktikat e Escobarit me bombardime dhe vrasje ranë bashkë me të, tregtia e drogës u bë më e decentralizuar dhe edhe më e vështirë për t’u përcjellë. Ishte më e paparashikueshme. Momente të rastësishme të dhunës shënuan vitin 1994.
Gjatë një vikendi në qershor, njerëzit vriteshin me mesatare prej dy personave në orë, ku u përfshi edhe një 15-vjeçare.
Për më shumë, kishte thashetheme se kartelet e drogës dhe sindikatat e bastvënies e kishin shtrirë ndikimin në skuadrën e futbollit.
Futbolli dhe bosi i drogës
Në fakt, njëri prej burgjeve luksoze të Pablo Escobarit ishte vendi që vizitohej nga disa anëtarë të përfaqësueses së Kolumbisë, përfshirë edhe Andres Escobarin. Portieri Rene Higuita ishte burgosur pak para turneut për shkak të lidhjes që kishte me shefin e drogës.
Përzgjedhësi Francisco Maturana thuhej se ishte nën ndikimin e bandës dhe më vonë ai bëri të ditur se pranoi kërcënime me vdekje për ta lënë në bankën rezervë Barrabas Gomezin, pas humbjes nga Rumania. Disa lojtarë të tjerë refuzuan të luanin nga frika e pasojave të humbjes.
Kështu flitej për Kolumbinë para dhe gjatë turneut, por vazhdonte të besohej se ishte shpresë e madhe. Futbolli mund të jetë largim nga realiteti. Futbolli mund të bashkojë. Ndoshta ky ekip kaq i mirë mund ta freskonte vendin e përfshirë në drogë.
Megjithatë, nuk mundi. Kolumbia humbi në ndeshjen hapëse 3:1 nga Rumania, ku gol të jashtëzakonshëm shënoi Gheorge Hagi. Në nxehtësinë përvëluese, në praninë e 91 mijë shikuesve, Kolumbia luajti mirë por jo mjaftueshëm. Në stadium dhe në vend, përkrahësit mbetën të dëshpëruar.
Ata e dinin se ndeshja e dytë në grup ishte vendimtare. Kolumbia luajti ndaj nikoqires, SHBA-së, sërish në “Rose Bowl” në Pasadena, kësaj radhe para 93 mijë shikuesve. Jug-amerikanët dështuan sërish dhe Escobari realizoi autogolin famëkeq.
Duke u zgjatur për ta ndalur harkimin e John Harkesit në minutën e 35-të, mbrojtësi aksidentalisht e dërgoi topin në rrjetë. Kolumbia humbi 2:1.
Në sytë e kriminelëve, që kishin hedhur para për avancimin e Kolumbisë, kishte një njollë të menjëhershme të lidhur me emrin e Escobarit. Pak kishte rëndësi fitorja 2:0 ndaj Zvicrës në ndeshjen e fundit të grupit.
Kolumbia mbeti e fundit në grup. Mbrojtësi Escobar u raportua se kishte ofertë për të qëndruar në SHBA dhe të punonte për një televizion kolumbian. Kjo do të mund ta ndalte gjakun disi. Por, mbrojtësi parimor, refuzoi.
“Dua të shkoj në Kolumbi dhe ta shfaq fytyrën”, i tha ai motrës, Maria Ester, dhe u kthye menjëherë në shtëpi.
Foli me shumë emocione edhe në gazetën “El Tiempo” në Bogota.
“Jeta nuk ndalet këtu. Duhet të vazhdojmë. Jeta nuk mund të përfundojë këtu. Pavarësisht se sa vështirë, ne duhet të ngrihemi. I kemi dy opsione. Ta lejojmë zhgënjimin të na paralizojë dhe dhuna të vazhdojë, ose ta kalojmë dhe të mundohemi t’i ndihmojmë njëri-tjetrit. Është zgjedhja jonë. Le të mbajmë respektin. Falënderimet më të ngrohta për secilin. Ka qenë eksperienca më e shkëlqyer dhe më e rrallë. Do ta shohim njëri-tjetrin sërish sepse jeta nuk ndalet këtu”.
Ato fjalë kujtohen edhe tani.
Nata tragjike erdhi pak kohë pas kthimit të Escobarit në vendin e lindjes. Qendërmbrojtësi kishte vizituar një klub nate me shokun e fëmijërisë, Juan Jairo Galeano, e me disa të tjerë. Nuk u kthye më në shtëpi.
Në një tavolinë tjetër ishin trafikantët e drogës, David dhe Santiago Gallon. Prokurori Jesus Albeiro Yepes e kishte shpjeguar ngjarjen.
“Nga tavolina ku ishin David dhe Santiago Gallon, me disa shokë të tjerë, nisën thirrjet: Autogol, Andres, autogol. Ata e provokuan vazhdimisht. Ai kërkoi pak respekt dhe u largua. Andres nuk ishte i qetë gjithë natën. Kur u largua nga vendi dhe shkoi drejt veturës së tij, e kuptoi se ata që e ngacmonin ishin në parking”, ka deklaruar Prokurori Yepes.
Ishte aty, në veturën e tij, kur Escobari u qëllua më 2 korrik 1994. Ai u dërgua në spital por vdiq 45 minuta më vonë, në moshën 27-vjeçare.
Ditën tjetër, trafikanti i drogës me emrin Humberto Castro Munoz rrëfeu se e ka vrarë futbollistin. Ai punonte si shofer i Santiago Gallonit, i cili kishte humbur shumë para në baste me eliminimin e Kolumbisë. Asnjëherë nuk është vërtetuar se vrasja kishte të bënte me momentin e gabimit të tij në futboll, edhe pse kjo mbeti hipotezë e secilit.
Munozi u dënua me 43 vjet burg dhe i mbajti vetëm 11, ndërsa në ceremoninë e varrimit të Escobarit morën pjesë 120 mijë persona, përfshirë edhe presidentin e shtetit.
Sot ai kujtohet si hero në Kolumbi.
Kujtojeni Andres Escobarin, Zotërinë e Futbollit, nëse e shihni Kolumbinë në këtë turne. Vdekja e tij shërben si kujtesë e dhimbshme e brishtësisë së paqes.











