• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, September 11, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kosova

Gjyqi në Hagë, Prokuroria kërkon dënim me 6 vjet burgim për Hashim Thaçin, zbardhen akuza dhe detajet

by A. Q
10/09/2026 15:38
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të shpallet fajtor dhe të dënohet me gjashtë vjet burgim në rastin për pengim të drejtësisë pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Mbrojtja e Thaçit, në anën tjetër, ka argumentuar se ZPS-ja nuk ka sjellë prova që arsyetojnë dënimin e kërkuar ndaj tij dhe ka thënë se ai duhet të lirohet nga të gjitha akuzat.

Prokurori i specializuar, Joshua Hafetz, tha gjatë shpalosjes së deklaratave përmbyllëse se “akuzat që ZPS-ja ka ngritur dhe që ka vërtetuar janë krime”.

“Përpjekja për të ndërhyrë dhe penguar procesin gjyqësor në këtë gjykatë, paraqet kërcënim për adresimin e drejtë të drejtësisë”, tha prokurori Hafetz.

Por, avokatja mbrojtëse e Thaçit, Sophie Menegon, kundërshtoi pretendimet e Hafetz, duke thënë se ZPS-ja po kërkon dënim për Thaçin “sepse i duhet t’i mbulojë dhe arsyetojë masat tejet ndërhyrëse që janë marrë ndaj zotit Thaci për muaj të tërë”.

“Pra incizimi i fshehtë i të gjitha bisedave të tij dhe bisedave telefonike dhe bisedave jo të privilegjuara, përfshirë me bashkëshorten dhe djalin e tij”.

Ajo theksoi se “provat janë të dobëta, akuzat e tyre janë të dobëta, qoftë nga ana ligjore apo faktike, dhe këto e arsyetojnë lirimin e Thaçit nga të gjitha akuzat e ngritura”.

Në seancën e parë të shpalosjes së deklaratave përmbyllëse vetëm Thaçi është i pranishëm në gjykatore, ndërkaq të akuzuarit e tjerë janë duke e ndjekur seancën përmes video-lidhjes.

Mbrojtja dhe prokurorët do t’i kenë tri ditë kohë për t’i dhënë argumentet e tyre përmbyllëse në këtë rast që ndërlidhet me çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Prokuroria tha se nëse Thaçi shpallet fajtor, dënimi për këtë rast do ta vuante “në vijim të ndonjë dënimi tjetër që do të jepet në rastin 6, nëse do të jepet”.

Për të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Prokuroria kërkoi që të gjithë të shpallen fajtor dhe të dënohen me burgim.

Prokuroria kërkoi që Hajredin Kuçi të dënohet me nëntë muaj burgim, ndërkaq, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Bashkim Smakaj të dënohen me nga tre vjet burgim secili.

Deklaratat përmbyllëse do të mbahen sot, nesër dhe të hënën e 14 shtatorit. Dy ditë pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin do të dalin para trupit gjykues për t’u përballur me aktgjykimin për krime lufte gjatë luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë. Për secilin nga ta, Prokuroria ka kërkuar 45 vjet burgim. Të katërtit i kanë mohuar të gjitha akuzat.

Prokuroria: Incizimet dhe dokumentet konfirmojnë përpjekjet për ndikim ndaj dëshmitarëve

Prokurorja e specializuar, Kimberly West, në nisje të fjalës përmbyllëse të ZPS-së tha se Thaçi dhe të bashkakuzuarit e tjerë për muaj të tërë tentuan të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve për rastin gjyqësor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Bashkë me bashkëpunëtorët e tij në këtë proces ai tentoi ta pengonte këtë proces duke ndërhyrë në dëshmitë e këtyre dëshmitarëve dhe u kap. U kap me shumë orë incizime dhe dokumente që konfirmojnë incizimet në fjalë”, tha ajo.

West i cilësoi të bashkakuzuarit e tjerë të Thaçit, si bashkëpunëtorë të tij, shokë të devotshëm, lojalistë, dhe ish-vartës, të cilët, sipas saj, Thaçi i udhëzoi “që të shënjestronin dëshmitarët, dëshmia e të cilët, sipas tij, ishin vendimtare për procesin për krime lufte”.

West pretendoi se udhëzimet ishin të ndryshme, nga kërkesa për ndryshimin e dëshmive, apo që Thaçi të vihej apo të mos vihej në ndonjë vend ku pretendohet se janë kryer krime.

Sipas saj, duke krijuar grupe të vogla, Thaçi udhëzoi të bashkakuzuarit se si dëshmitë e dëshmitarëve t’i përshtateshin “narrativit të tij”.

Prokurorja tha se dëshmitë u printuan në qendrën e paraburgimit dhe u diskutuan gjatë vizitave po në këtë qendër.

Ajo po ashtu pretendoi se Thaçi kishte biseduar me të akuzuarit e tjerë edhe për hierarkinë e UÇK-së dhe si dëshmitarët, me dëshminë e tyre, siç tha ajo, të zbehnin rolin komandues të tij.

Prokuroria risjell pjesë të incizimeve

Më pas prokurori i specializuar, Joshua Hafetz, paraqiti edhe pjesë të incizimeve mes Thaçit dhe të bashkakuzuarve të tjerë, duke e akuzuar mbrojtjen se po tenton “t’i bishtnojë” provat, që sipas tij, kanë peshë të madhe.

Hafetz tha se pjesët që nuk janë dëgjuar mirë, Prokuroria nuk i ka përdorur, teksa shtoi se Thaçi gjatë udhëzimeve ka pëshpëritur.

Në gjykatore u shfaqën pjesë të bisedave të Thaçit me Fazliut lidhur me dëshminë e Rrustem Mustafës – Remit. Prokuroria pretendon se Thaçi, përmes Faziut dhe të birit të tij, e udhëzoi Mustafën se si të dëshmonte disa ditë më vonë në Hagë për rastin numër 6 – për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokuroria po ashtu tha se vetëm një ditë pas udhëzimit të Thaçit, Fazliu u kthye në Kosovë dhe kontaktoi Mustafën, përmes të birit të tij Fahri Fazliut, dhe disa ditë më vonë e njoftoi Thaçin për bisedën dhe Thaçi e udhëzoi sërish rreth dëshmisë së Mustafës.

“Dymdhëdhjetë orë pa rrëshqitur diku, s’mundet. Thuaj shkurt, ‘po’, ‘jo’. Ai i ka mirë deklaratat, por mund të rrëshqasë, se gjatë. Thuaji t’i shkurtoj”, dëgjohet Thaçi duke i thënë Fazliut në incizimin e lëshuar në gjykatë.

Prokurori Hafetz pretendoi se gjatë vizitave të Fazliut në qendrën e paraburgimit në Hagë, Thaçi zbuloi edhe informacione konfidenciale, përkatësisht identifikoi një provë për të cilën Mustafa do të pyetej gjatë dëshmisë dhe një libër për të cilën prokurorët do ta pyesnin. Sipas prokurorit, Thaçi dha udhëzime se si Mustafa do të duhej të dëshmonte.

Prokurori po ashtu përmendi një vizitë të Hajredin Kuçit me Thaçin në Hagë, në kohën kur Kuçi ishte pjesë e mbrojtjes së Veselit. Ai tha se Kuçi e kontaktoi Mustafën përmes mesazhit, duke e ditur se është e ndaluar që të kontaktohen dëshmitarë pa një autorizim paraprak të gjykatës.

Prokuroria, tha se me këtë, Kuçi nuk iu bind gjykatës.

Madje, për të përshkruar raportin e ngushtë, që sipas Prokurorisë ekziston mes Thaçit dhe Kuçit, gjatë vizitës në Hagë, Prokuroria tha se Kuçi iu referua 90 Thaçit me fjalën “boss [shef]”, ndërkaq Thaçi e quajti mbi 50 herë atë “Hajro”.

Prokuroria pretendon se Thaçi shënjestroi tre dëshmitarë përmes Kuçit, dy ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe një viktimë e pretenduar e pjesëtarëve të UÇK-së.

“Shënjestrimi i dëshmitarëve ishte që ai [Thaçi] të përgatiste narrativin e tij të preferuar se ai nuk kishte përgjegjësi penale për veprat e paraqitura në çështjen 6”, tha prokurori Hafetz.

Hafetz tha se njëri nga dëshmitarët e shënjestruar ishte Sylejman Selimi, apo i njohur si dëshmitari numër 5.

Sipas prokurorit, gjatë takimit të 3 shtatorit 2023, Thaçi e udhëzoi Kuçin që Selimi të thoshte se komandantët e zonave të UÇK-së kishin fuqinë e vetme.

“Thuaj që telefonin satelitor ja ka sjellë diaspora… [Adem] Demaçi ka bërë disa rregullore”, dëgjohet duke përshpëritur Thaçi në incizimin e lëshuar në gjykatore.

Me Kuçin u diskutua edhe libri për të cilin do të pyetej Mustafa dhe, sipas Prokurorisë, përmes Kuçit, Thaçi dërgoi udhëzime se si Selimi të dëshmonte.

Dëshmitari tjetër, që sipas Prokurorisë, Thaçi e udhëzoi Kuçin se si të dëshmonte ishte Bislim Zyrapi, i njohur si dëshmitari numër 2.

Sipas organit ndjekës, në incizime, Thaçi kërkonte që Zyrapi të ndryshonte dëshminë e tij – pasi paraprakisht e kishte paraqitur atë si autoritet mbi Shtabin e Përgjithshëm – dhe të thoshte se ai, Thaçi dhe persona të tjerë, përfshirë Veselin u bënë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në nëntor të vitit 1998.

“Thaçit i nevojitet të japë përgjigje të sakta për strukturën e Shtabit të Përgjithshëm, që të minimizonin përgjegjësinë penale të tij para nëntorit ’98”, tha prokurori.

Sa i përket dëshmitarit të tretë, ai u identifikua vetëm si dëshmitari 6, pasi është dëshmitar i mbrojtur. Prokurori tha nuk mund të japë publikisht detaje për të, por udhëzimet e Thaçit, sipas tij, ishin që ai të mos implikohej drejtpërdrejt nga ky dëshmitar në ndonjë krim.

Prokuroria më pas vazhdoi me përfshirjen e Kilajt në këtë rast. Prokurori tha se Kilaj e vizitoi fillimisht Thaçin në shkurt të vitit 2023 – disa ditë pasi Thaçi kishte pranuar identitetet e dëshmitarëve të mbrojtur.

Në vizitë ishin të pranishëm edhe persona të tjerë. Prokuroria pretendon se në atë takim Thaçi udhëzoi Kilajn se si dëshmitarët të dëshmonin. Përkatësisht, bëhet fjalë për dëshmitarin e mbrojtur me numër 4.

Më pas Kilaj e vizitoi Thaçin sërish në tetor, kur sipas Prokurorisë, Thaçi i dha dëshminë e dëshmitarit dhe i kërkoi saktësisht se çfarë të ndryshonte.

Në incizime, sipas Prokurorisë, Thaçi kërkon që duhet korrigjuar pjesa gjashtë, faqja shtatë dhe rreshti 9.

Dëshmitari, sipas Prokurorisë, e kishte implikuar Thaçin në keqtrajtim të pretenduar.

Materiale të dëshmisë së dëshmitarit dhe materiale konfidenciale, Prokuroria tha se iu gjetën në zotërim Kilajt si dhe udhëzime se si duhej të dëshmonte.

Në fund të fjalës përmbyllëse, Prokuroria foli për përfshirjen e Bashkim Smakajt në këtë rast.

Sipas Prokurorisë, ai ishte udhëzuar nga Thaçi se si duhej të dëshmonte Bislim Zyrapi. Prokuroria tha se Smakajt i është gjetur në makinën personale edhe një dokument konfidencial, të cilën pretendoi se e mori nga qendra e paraburgimit në Hagë nga Thaçi.

Po ashtu, ZPS tha se Smakaj ishte takuar dhe kishte komunikuar me Zyrapin pas vizitës në Hagë.

Prokurori tha se incizimet tregojnë modelin e ndjekur nga Thaçi, duke kërkuar që Zyrapit t’i kërkohej të dëshmonte shkurt dhe të përgjigjej “nuk më kujtohet” apo “nuk e di” për tema të caktuara.

Akuzat për pengim të drejtësisë

Thaçi, si dhe Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi, akuzohen se, mes prillit dhe nëntorit 2023, kishin ndikuar te dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga prokurorët për çështjen gjyqësore për krime lufte kundër vetë Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Thaçi përballet me tri akuza për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Smakaj, Kilaj dhe Fazliu përballen, secili, me nga një akuzë për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kuçi përballet dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Që të pestit janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

Gjykimi ndaj tyre filloi më 27 shkurt, ndërsa më 13 mars, Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave.

Nëse Thaçi shpallet i pafajshëm për krime lufte, a lirohet menjëherë?

Në Kosovë janë ngritur pyetje nëse ish-presidenti mund të kthehet menjëherë në vend, në rast se gjykata e liron nga akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Gjykatës Speciale, “kur një i akuzuar i paraburgosur shpallet i pafajshëm, ai lirohet menjëherë, përveçse kur mbahet në paraburgim në mënyrë të ligjshme, ose vuan një dënim për vepra penale të ndryshme nga ato në lidhje me të cilat është shpallur i pafajshëm”.

“Në rastin e zotit Thaçi, paraburgimi është urdhëruar nga trupi gjykues në procesin ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si dhe nga gjyqtari i vetëm në procesin e veçantë ndaj tij për pengim të drejtësisë. Prandaj, nëse zoti Thaçi shpallet i pafajshëm në procesin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, çështja nëse ai do të vazhdojë të mbahet në paraburgim do të vendoset nga gjyqtari i vetëm që po shqyrton rastin për pengim të drejtësisë”, kishte thënë në gusht për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle.

Gjykatësi i vetëm duhet të rishikojë çdo dy muaj nëse paraburgimi vazhdon të jetë i arsyeshëm.

“Ai mund ta shqyrtojë këtë çështje edhe me kërkesë të të akuzuarit, nëse ka pasur ndryshim të rrethanave”, shtoi Doyle.

Vendimin e fundit, të dhjetin me radhë për vazhdimin e paraburgimit, gjykatësi i vetëm e lëshoi më 31 korrik, duke vlerësuar se ende ekziston rreziku që Thaçi të pengojë procedurat ose të kryejë vepra të tjera penale.

Në të njëjtin vendim, gjykatësi caktoi edhe afatet për rishikimin e radhës të paraburgimit: Thaçi mund të paraqesë parashtresat e tij deri më 7 shtator. Nëse ai nuk e bën këtë, Prokuroria duhet të paraqesë qëndrimin e saj deri më 14 shtator, ndërsa Thaçi mund të përgjigjet deri më 21 shtator.

Thaçi ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u arrestua nën akuza për krime lufte.

Që atëherë, mbrojtjes së Thaçit i janë hedhur poshtë të gjitha parashtresat për lirim nga paraburgimi. Madje, atij nuk iu pranua as një dorëzani prej 50 mijë eurosh, së bashku me disa kushte që Thaçi u zotua t’u përmbahej, në këmbim të lirimit nga paraburgimi.

Akuzat për krime lufte

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, akuzohen për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, gjoja të kryera gjatë viteve 1998-’99 gjatë luftës për pavarësimin e Kosovës nga Serbia.

Që të katërtit i kanë mohuar këto akuza dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që përfshijnë rreth 155 viktima.

Prokurorët kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.

Mbi 130 dëshmitarë dëshmuan, ndërsa u pranuam me shkrim 160 deklarata të dëshmitarëve të tjerë në këtë gjyq gjatë tri vjetëve seanca.

Gjyqi ndaj tyre përfundoi në shkurt.

Gjykata Speciale është formalisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, pasi është parë si e njëanshme, duke qenë se në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.

Prej atëherë, nëpër Kosovë janë vendosur pankarte e pllakate të mëdha me mesazhin “Liria ka emër” dhe fotografi të ish-krerëve të UÇK-së.

Gjithashtu ka pasur protesta kundër këtij procesi në Hagë, në Prishtinë dhe në qytete të tjera.

Mijëra qytetarë morën pjesë në protestën “Drejtësi, jo politikë” në Ditën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt këtë vit në Prishtinë, në përkrahje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. /REL/

Next Post
Në kërkim të fëmijërisë dhe atdheut të humbur

Në kërkim të fëmijërisë dhe atdheut të humbur

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Sulm me thikë në Londër: Katër të plagosur dhe shtatë të arrestuar pas një sherri në Bromley High Street

Sulm me thikë në Londër: Katër të plagosur dhe shtatë të arrestuar pas një sherri në Bromley High Street

September 10, 2026
Nëntë stacione të metrosë së Shën Petersburgut do të shndërrohen në bunkerë

Nëntë stacione të metrosë së Shën Petersburgut do të shndërrohen në bunkerë

September 10, 2026
Tensionet në veri/ Ish-presidenti Thaçi lë qelinë dhe shkon në Kosovë

Thaçi thyen heshtjen për Gjykatën Speciale: E shmangëm Rusinë, sot po paguaj çmimin në lëkurën time!

September 10, 2026
Berisha në SHBA, takimi me shqiptarët në New Jersey: Rama po zbraz Shqipërinë

Berisha flet nga New Jersey: Vendimi ‘non-grata’ ishte lobim korruptiv i Ramës dhe Sorosit

September 10, 2026
“Protestuesit dolën sorra, siç tha Rama”, Basha debat me Çepanin: U rrahën me njëri-tjetrin

“Protestuesit dolën sorra, siç tha Rama”, Basha debat me Çepanin: U rrahën me njëri-tjetrin

September 10, 2026
Të shtënat me armë zjarri pranë Policisë, arrestohet shoferi dhe pasagjeri 17-vjeçar

U kap me armë zjarri dhe jelek antiplumb, arrestohet pronari i një hoteli në Fushë-Krujë

September 10, 2026
Dy anije luftarake moderne në flakë, Ukraina godet flotën ruse në Detin e Zi

Dy anije luftarake moderne në flakë, Ukraina godet flotën ruse në Detin e Zi

September 10, 2026
Akuzat për vilën, vëllai i Tares ndërhyn LIVE: Ka qenë e Iglit, Abazi kërkoi t’ia blinte!

Akuzat për vilën, vëllai i Tares ndërhyn LIVE: Ka qenë e Iglit, Abazi kërkoi t’ia blinte!

September 10, 2026
Doli të blejë një paketë e s’u kthye, 28-vjeçari me motor u mor përpara nga një makinë

Doli të blejë një paketë e s’u kthye, 28-vjeçari me motor u mor përpara nga një makinë

September 10, 2026
Shkodër/Ardi Veliu kritikon ashpër policinë vendore për grupet kriminale e kultivimin e drogës

Trafik armësh? Drejtuesi i KAYO mohon akuzat: Nuk jemi përfshirë! (Çfarë thotë për Ron Yeffet?)

September 10, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com