Shqiptarët e Ukrainës, kanë lënë Shqipërinë 300 vjet më parë, por nuk kanë humbur gjuhën. Flasin shqipen e vjetër dhe kanë mall për Shqipërinë. Rudina Xhunga, ka sjellë nëpërmjet emisionin “Shqip”, dëshminë e parë televizive për ta në vitin 2007. Ja çfarë tregoi për dritare.net Xhunga, për emisionin e 9 viteve më parë, pas atij udhëtimi të pazakontë:
“Në fshatin Karakurt të Ukrainës, banojnë mbi 2000 shqiptarë. Një komunitet tjetër me rreth 5000 shqiptarë, të ardhur kohë pas kohe, jeton në Odesa të Ukrainës. Nuk ka asnjë dokument historik për shqiptarët e Ukrainës. Pak ose fare dihet për ta. Shqiptari i parë që shkroi për ta është Selim Islami. Në vjeshtën e vitit 1949, bashkë me një etnografe ruse, ai vizitoi fshatrat e banuar me shqiptarë. Në vitin ’55 botoi një libër me material gjuhësor të shkëlqyer nga kolonitë shqiptare të Ukrainës.
“Me shprehjen ‘ti shqypton si ne’, ata duan të thonë: A kupton si ne, a e kupton gjuhën tonë? Kjo më tërhoqi vëmendjen përsëpari dhe mendoj se këtu duhet kërkuar rrënja e emrit tonë shqiptar. Ai që shqipton, ai që kupton atë gjuhë”, shkruan Islami, në librin ku ka mbledhur përralla, vargje, ninulla, që sipas tij, i përkasin dialektit toskë.
Ndërsa i pyet ata vetë se nga cila krahinë e Shqipërisë vijnë, të tregojnë se vijnë nga Korça dhe rrethinat, që i lanë tre shekuj më parë për t’u vendosur në Bullgari, mandej në Ukrainë. Akademiku rus, Djerzhavin, i cili i vizitoi këto fshatra në vitin 1925, shkruan se shqiptarët erdhën në këtë vend nga Bullgaria, në fund të shekullit të 18-të dhe fillimi i 19-të. Ndërsa Jaranov shkruan se arnautët e Bullgarisë janë të shpërngulur nga Korça, Ohri, Elbasani, Çermenika, Golloborda, diku nga shekulli i 15-të deri në shekullin e 19-të.
Fjodor Dermentli, jeta profesionale e të cilit është krenari për shqiptarët e Ukrainës, ka shkruar një libër për historinë e familjes dhe rrënjët shqipe të origjinës, ku mes të tjerash rrëfen arsyet e shpërnguljes nga Shqipëria, që sipas tij janë dy: Dëshira për të mos ndërruar fenë gjatë pushtimit otoman dhe mandej lufta turko-ruse, që u pasua me dhënie tokash nga Ekaterina e Rusisë, për popullsinë joturke. Në vend të ‘flas’, ata thonë ‘zallahis’. Në vend të ‘kuptoj’, ata thonë ‘shqiptoj’.
Të kërkojnë të flasësh kadalë-kadalë. E kanë ruajtur dhe dashur gjuhën në shekuj, edhe pa e shkruar kurrë. Ata janë shqiptarët e Ukrainës, një komunitet që kur shkon t’i takosh, të mbulojnë me dashuri dhe mall për mëmëdheun që nuk e kanë parë kurrë.
Në emisionin e Rudina Xhungës që solli një emocion të fortë me gjuhën dhe tregimet e shqiptarëve të Ukrainës, ishin të ftuar Ledi Shamku e Genc Pollo, atëherë Ministër Arsimi.
Ja si u shprehën ata:
Ledia Shamku: Teza e Majerit për gjuhën shqipe, gjen provën në gjuhën e shqiptarëve të Ukrainës.
Ledi Shamku: Kam përshtypjen që jemi në një emision historik, në një moment ndoshta historik. Ndërsa po jepej kronika, ndalova në një shprehje shumë të veçantë të Selim Islamit, i cili shkoi ta takonte këtë komunitet në vitin 1955. ‘Shqiptarët e Ukrainës e ruajnë shumë mirë gjuhën e tyre, veten e quajnë arnautë. Me shprehjen ‘ti shqypton si ne‘ ata duan të thonë a kupton si ne, a e kupton gjuhën tonë‘? – thotë Selim Islami. Këtu duhet të kërkojmë rrënjën e emrit tonë kombëtar shqiptar, i cili është ai që shqipton, domethënë kupton atë gjuhë. Ka disa hipoteza rreth evoluimit tonë. Hipoteza e parë dhe së cilës i mbahet edhe Çabej e më pas edhe Mustafa Kruja, është ajo e hedhur nga Majeri, i cili thotë që fjala ‘shqip’ vjen nga një pol i latinishtes ekskipireo ose ekskipio, që do të thotë ‘kuptoj, merrem vesh, flas shkoqur’. Nuk është latinishte e ballkanikes sikundër është pandehur deri më sot, por unë u konsultova me fjalorin. Është një formë që nuk del në pah në fjalorët e latinishtes klasike, është një formë e latinishtes së mesme. Ajo ka tri kuptime: kuptimi i parë do të thotë ‘përjashtoj’, kuptimi i dytë do të thotë ‘kaloj, lë mënjanë’ dhe kuptimi i tretë është pikërisht ky, ‘flas shkoqur, kuptohem, merrem vesh’.
Me sa duket ky kuptim ka qenë në përdorim, atëherë ku u mor dhe u përshtat nga ne. Dua të them që deri më sot këta dijetarë si Çabej, Kruja i ishin përmbajtur kësaj hipoteze të Majerit, por pa një regjistrim, pa një provë faktike. E besonin këtë hipotezë vetëm duke ndjekur zinxhirin fonetik të shndërrimeve të shqipes, i cili sikurse thoshte edhe profesori, është i vetmi që nuk na lë në baltë edhe kur jemi përballë errësirës së fakteve. Dhe me shndërrime fonetike ekskipio-shqipoj është e mundur. Pra, mbetesh në hipotezën me gjasë, që duke iu referuar togfjalëshit të ngrirë ‘fol shqip’ që nuk ka kuptimin fol shqip siç thonë anglezët ‘speak english’, por ‘fol qartë, fol kuptueshëm’ që unë të të marr vesh. Kjo ishte për ata një provë anësore, por gjithsesi një provë që me gjasë vijmë nga ekskipio, pra vjen nga kjo formë dhe ka pasur fillimisht këtë kuptim pra, jo kuptimin flas shqip, flas gjuhën shqipe, por flas që të kuptohem me ty.
Rudina Xhunga: Pra, shqiptarët dhe Shqipëri, vjen nga fjala shqiptoj që do të thotë kuptohem, merrem vesh?
Ledi Shamku Shkreli: Po. A të janë drejtuar ty, duke të të thënë ‘nuk të shqiptoj?’. Këtu kemi një regjistrim faktik. Mungonte një hallkë që ishte materiali faktik dhe këtë provë e kanë ruajtur shqiptarët e Ukrainës. Unë jam emocionuar, sepse kemi pak dokumente historike. Te ne duhet të veprojë më fortë ajo që quhet arkeologji gjuhësore. Shqipja ka dalë vonë nga prehistoria. Dokumenti ynë i parë është Formula e Pagëzimit. Ndoshta me këtë emision vihet jo një teserinë në mozaikun e madh të dijes mbi shqipen dhe mbi veten tonë, por ndoshta vihet një gur i rëndë që vërteton tezën e Majerit, vërteton hipotezën e Çabejt, të Krujës dhe të atyre që kanë besuar që midis ‘shqip’ dhe kuptimit ‘merrem vesh’ ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë.
Genc Pollo, ministër i Arsimit dhe Shkencës: Do të çojmë mësues të shqipes në Ukrainë!
Genc Pollo: Ne kemi qenë aktivë këto dy vjet në këtë fushë, por aktiviteti ynë ka pasur të bëjë në radhë të parë me emigracionin e ri shqiptar, pra me qindra mijëra shqiptarë të vendosur në Greqi, Itali, Angli, Amerikë dhe në Gjermani dhe jemi përpjekur që të ofrojmë libra shkollorë të gjuhës, letërsisë, gjeografisë, të asaj që mund të quhet kulturë amtare, në mënyrë që të ruhet dhe të zhvillohet identiteti i tyre shqiptar, sepse në kushtet e sotme, në kushtet e një kulture globale, me mjetet e informimit masiv është shumë më e lehtë sesa ka qenë 500 vjet përpara që ky identitet të bjerrë. Ka qenë një përpjekje, mund të bëhej edhe më shumë, situatat nuk janë dhe aq të favorshme, por gjithsesi, ka nisma të mira që na gëzojnë dhe na inkurajojnë nëpër vendet që përmenda. Diçka që kemi bërë për herë të parë në korrik të këtij viti, ka qenë seminari i mësuesve të diasporës nga shumë vende të Evropës, të cilët u mblodhën në Durrës për të bërë një trajnim specifik për mënyrën sesi mund të kultivohet shqipja dhe kultura amtare te fëmijët e emigrantëve. Por duhet të them që objekti i punës sonë nuk kanë qenë diasporat e hershme, si arbëreshët e Italisë, arvanitasit e Greqisë apo si rasti shumë interesant, si historikisht ashtu dhe gjuhësisht, i shqiptarëve të Odesës. Për këtë duhet të mendoj një qasje të veçantë që nuk mund të jetë identike me fëmijët e atyre që janë larguar nga Shqipëria 5 apo 15 vjet më parë.
Në parim, dërgimi i mësuesve të gjuhës shqipe është i mundshëm, por duhet parashikuar në një fond të veçantë. Ne kemi bashkëpunuar me Ministrinë e Jashtme, e cila ka përgjegjësinë për koordinimin e këtyre gjërave dhe shpesh si Ministri e Arsimit kemi dërguar abetare dhe libra të tjerë sipas kërkesës të shkollave të ndryshme në Greqi, Angli dhe vende të tjera. Është një mundësi që të gjejmë mësues të trajnuar dhe të specializuar që të shkojë atje. Është mundësi më e mirë që një mësues i asaj shqipeje te shqiptarët në Odesë, të mund të vijë të trajnohet këtu për të dhënë orë të lira atje. Këto janë aranzhime që ndryshojnë nga vendi në vend, në varësi me mundësitë që ofron çdo shtet e që nuk janë të njëjta. Këto janë gjëra që duhen parë me ambasadën tonë dhe Konsullin e Nderit që ka bërë këtë punë shumë të mirë, në mënyrë që t’i japim zgjidhje dhe të plotësojmë një kërkesë relativisht të thjeshtë që na vjen nga shqiptarët e Ukrainës.
Flet Shpresa Kureta, ambasadore jorezidente e Shqipërisë, në Ukrainë.
Dritare.net – Zonja Kureta, më në fund, në 2016, shqiptarët e Ukrainës kanë atë çfarë kërkonin prej kohësh. Çfarë ndodhi?
Shpresa Kureta- Pa dyshim që nuk është rastësi. Që me marrjen e detyrës u përballa me faktin e pranisë së një komuniteti shqiptar në Ukrainë dhe kjo çështje do të ishte një ndër prioritetet e punës sime. Ndërtuam një program paraprak pune që synonte njohjen e realitetit dhe rrugët që të afronin me të. Për të krijuar një ide më të qartë u përpoqa të shfrytëzoj të gjithë informacionin që ekzistonte brenda Ministrisë së Jashtme dhe jo vetëm. Gjithashtu filloi edhe një komunikim me institucionet e tjera në vend, por edhe me institucionet ukrainase qendrore dhe lokale. Hap tjetër ishte caktimi i Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Ukrainë, procedurë të cilën e gjeta në proces, por që punuam fort që të përmbyllej sa më parë, pasi duke mos qenë prezent në vend, mundësitë për të vepruar janë më të kufizuara dhe menduam që prania e Konsullit dhe e Konsullatës së Nderit do të na ndihmonin në punën tonë. Gjërat lëvizën në drejtimin e duhur dhe procedura e caktimit të tij u mbyll në janar 2015.
Hapi tjetër ishte vizita ime e parë, së bashku me Konsullin e Nderit, z. Shahin Omarov, në Zhovtneve ose Karakurt, në distriktin Bolgrad të rajonit të Odesës, në muajin shkurt 2015, ku pata mundësi të takohem dhe të bisedoj direkt me banorët, vizitova shkollën, shtëpinë e kulturës dhe institucionet e tjera si dhe zhvillova takime me autoritetet më të rëndësishme në Odesa, ku u bisedua për shqiptarët e Ukrainës me banim në rajonin e Odesës.
Më tej u punua për ndërtimin e një programi, për të adresuar çështjet më të mprehta që kanë të bëjnë së pari me ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit të tyre kombëtar, dhe këtu çështja e gjuhës shqipe, pa dyshim është e një rëndësie të veçantë. Në komunikimin me ta kuptohej që kishin bërë të pamundurën për të ruajtur një shqipe të vjetër, të cilën brezi i vjetër e përdorte pak më shumë, ndërsa të rinjtë mund të thoshin ndonjë fjalë, por vështirë se mund të artikuloheshin. Por gjeje mes tyre një dëshirë të madhe për të mësuar gjuhën shqipe dhe mezi e kishin pritur t’ju ofrohej një mundësi e tillë. Por nuk kishte ndonjë program, nuk kishte mësues, nuk kishte tekste, etj.
Si fillim u konsultua baza ligjore. U mbështetëm tek marrëveshja midis Shqipërisë dhe Ukrainës në fushën e arsimit, e nënshkruar në maj të vitit 2003, e cila krijonte mundësi për shkëmbime të mësuesve dhe studentëve mes dy vendeve dhe e shfrytëzuam për të bërë të mundur pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga diaspora shqiptare në Ukrainë në programet e mësimit të gjuhës shqipe të ofruara nga Universiteti i Tiranës. U bë e mundur që Zv. Drejtorja e shkollës tetëvjeçare të Zhovtneve ose Karakurt dhe një mësuese e re e shkollës tetëvjeçare të Priazovski, të merrnin pjesë në këto programe dhe të përgatiteshin për të çelur klasat e para. Gjithashtu u punua me autoritetet dhe ministrinë e arsimit të Ukrainës për miratimin e programit për mësimin e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare, i cili u miratua në korrik 2015. Gjithashtu kishte filluar një komunikim midis Ministrisë së Jashtme, Ambasadës dhe Ministrisë së Arsimit për garantimin e teksteve për mësimin e gjuhës shqipe.
Me çeljen e dy klasave mund të themi që kemi rezultatet e para inkurajuese në këtë drejtim, por nga ana tjetër, eksperienca e krijuar nga trajtimi i këtyre çështjeve, komunikimi dhe pritshmëritë, na bëjnë të mendojmë që ky është vetëm fillimi, një fillim i mbarë, por që do të kërkojë akoma shumë punë dhe angazhim, për të vijuar më tej. Objektivi ynë është konsolidimi i asaj që është arritur dhe avancimi i mëtejshëm. Në këtë funksion po punohet për çeljen dhe funksionimin e Katedrës së Gjuhës Shqipe, në një nga Universitetet e Ukrainës.
Dritare.net- Ku janë çelur këto klasa të para?
Klasa e parë është hapur në shkurt 2016, në Shkollën Tetëvjeçare të Zhovtneve (Karakurt), në distriktin Bolgrad të rajonit të Odesës dhe klasa tjetër u inaugurua gjatë vizitës sime të fundit në Ukrainë, më 24 shtator 2016, në fshatin Priazovski të Komunës së Zaporizhia. Siç e theksova edhe më lart, hapja e tyre ka qenë rezultat i një pune këmbëngulëse të filluar rreth 20 muaj më parë, me vizitën time të parë në shkurt 2015, tek komuniteti shqiptar në Karakurt (rajoni i Odesës) në bashkëpunim me Konsullin e Nderit të Shqipërisë në Ukrainë, z. Shahin Omarov, me institucionet shqiptare, autoritet ukrainase dhe komunitetin shqiptar, për përgatitjen dhe miratimin zyrtar të programit, përgatitjen e mësuesve, garantimin e teksteve, etj. Më tej do të vazhdohet me fuqizimin e këtyre klasave, rritjen e kapacitetit mësimdhënës së mësuesve, pajisjen me tekstet shkollore, por edhe me hapjen e klasave edhe në shkolla dhe vendbanime të tjera ku ka shqiptarë.
Dritare.net – Çfarë mund të bëhet me tekstet shkollore për ta?
Ka një komunikim të vazhdueshëm midis Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ambasadës, dhe Ministrisë së Arsimit lidhur me identifikimin e nevojave dhe plotësimin e tyre për tekstet shkollore në gjuhën shqipe për çdo vit akademik. Aktualisht janë plotësuar nevojat për tekstet shkollore të nivelit të parë për të dyja klasat që kanë filluar me programin dhe është në proces procedura për garantimin e teksteve të nivelit të dytë, për klasën që ka filluar programin në shkurt 2016, por edhe për klasën që sapo ka filluar, për vitin e ardhshëm akademik.
Dritare.net- Sa shqiptarë ka në Ukrainë dhe çfarë lidhjesh kanë ata me Shqipërinë dhe shqipen?
Diaspora shqiptare në Ukrainë është nga komunitetet më të vjetër të shqiptarëve jashtë vendit, te larguar gjatë periudhës së pushimeve osmane. Të dhënat e para historike shkojnë deri në gati 300 vjet më parë, pas migrimit masiv të Arbëreshëve në Kalabri dhe jug të Italisë, shumë shqiptarë nga Trakia, Çamëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi mendohet të kenë emigruan si fillim drejt Bullgarisë dhe më tej në atë që është Ukraina e sotme. Një tjetër valë e moderuar e migracionit thuhet se lidhet me luftën ruso-turke të viteve 1768-1774. Në atë kohë disa shqiptarë, kryesisht arvanitas dhe familjarët e tyre, që kishin lidhje me flotën ruse në Egje, besohet se janë vendosur në Perandorinë Ruse. Ka pasur edhe valë të tjera të migrimit në fund të shekullit të 18-të dhe në fillim të shekullit të 19-të. Në fillim të viteve 1800 shqiptarët u vendosën në Karakurt dhe nga mesi i shekullit të 19-të ka pasur një komunitet të konsoliduar shqiptar në Odesa, madje ka rrugë që mbajnë emrat “Rruga e madhe e Shqiptarëve” dhe “Rruga e vogël e Shqiptarëve” në Odesa. Pas Luftës së Krimesë, rreth viteve 1860, disa shqiptarë u transferuan në lindje të Ukrainës për t’u vendosur atje.
Megjithëse për momentin nuk ka as regjistrim të plotë dhe as ndonjë studim analitik mbi numrin e saktë të shqiptarëve në Ukrainë, vlerësimet paraprake bazuar në vendbanimet e njohura të shqiptarëve, tregojnë se ka rreth 2000 banorë me origjinë shqiptare që jetojnë në Karakurt dhe rreth 5000 të tjerë që jetojnë në Odesa. Në rajonin e Bolgrad, me rreth 72.000 banorë, vlerësohet se 4% e banorëve (rreth 3000) të jenë me origjinë shqiptare. Nuk ka të dhënat për tri fshatra të konsideruara të populluara pothuajse ekskluzivisht nga shqiptarët, të ardhur rreth viteve 1860 në rajonin e bregut të detit Azov, rreth 10 km larg nga bregu.
Pra bëhet fjalë për mijëra shqiptarë të shpërngulur nga vendbanimet e tyre në periudha të ndryshme, dhe të vendosur në rajone të ndryshme në Ukrainë, duke filluar që 300 vjet më parë. Gjithashtu duhen pasur parasysh lëvizja e tyre brenda vendit, martesat me ukrainas apo me pjesëtarë të komuniteteve të tjera, që kanë ndarë si rregull vendbanimin si bullgarë dhe gagaus, por edhe procesin e asimilimit. Pavarësisht sa më lart, kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të ruajtur identitetin e tyre kulturor, zakonet, traditat shqiptare dhe më e rëndësishmja, gjuhën shqipe. Ishte vërtet prekëse të shikoje fëmijët tek luanin teatër në gjuhën e vjetër shqipe.
Po punohet së bashku me konsullatën e nderit të Shqipërisë në Kharkiv për të identifikuar vendbanimet, grupet dhe individët me origjinë shqiptare, për të bërë të mundur vendosjen e lidhjeve dhe komunikimit midis tyre, por edhe me vendin amë, për mbledhjen dhe ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore dhe materiale si edhe për zhvillimin e saj. Samiti i Diasporës, që pritet të zhvillohet në nëntor 2016, pa dyshim do të shënojë një moment të rëndësishëm në këtë rrugë.
Dritare.net- Tim Judah, gazetari i njohur, ka shfaqur shumë interes për shqiptarët e Ukrainës.
Nga sa jam informuar, gazetari i njohur Tim Judah ka treguar interes për shqiptarët e Ukrainës dhe është interesuar pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të dijë se çfarë bëhet aktualisht dhe cilat janë planet për të ardhmen lidhur me diasporën tonë në Ukrainë.
Dritare.net- Çfarë kërkojnë ende dhe çfarë mund të bëjë më tepër shteti për shqiptarët e Ukrainës?
Vështirë të thuash se ata kanë kërkuar apo kërkojnë ndonjë gjë nga shteti shqiptar. Kur i takon për herë të parë, ajo që të impresionon është natyraliteti, thjeshtësia, mirësia dhe fisnikëria e tyre. Asnjë kërkesë, asnjë ankesë, megjithëse ne nuk kemi qenë prezentë dhe pranë tyre, por vetëm mall dhe dashuri për atë vend, kujtimet për të cilin i kanë trashëguar dhe i ruajnë brenda tyre, si gjënë më të shtrenjtë. Kuriozitet dhe dëshirë për të njohur Shqipërinë dhe shqiptarët. Por pa dyshim nevojat e tyre, jo vetëm për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin e tyre kombëtar, por edhe për përditshmërinë, janë të mëdha. Në pjesën më të madhe vazhdojnë të banojnë në fshatra dhe aktiviteti kryesor është bujqësia dhe blegtoria. Kultivojnë të gjitha llojet e bimëve, rrisin bagëti, prodhojnë verë etj., por kanë nevojë të mbështeten në mirëmenaxhimin e tyre. Janë përballur me problemin e papunësisë, që i detyron të rinjtë të largohen nga vendbanimet tradicionale. Kjo e bën gjithnjë dhe më të vështirë ruajtjen e asaj çfarë ka mbetur nga trashëgimia shpirtërore e paraardhësve të tyre.
Tash që kemi një pasqyrë më të plotë, synojmë e kemi mundësi të shkojmë më tej, sa i përket njohjes së problematikës konkrete ekonomike, sociale, të pozitës së tyre si etni e integruar në shoqërinë dhe institucionet ukrainase. Duke e njohur gjithnjë dhe më mirë situatën, mendojmë të adresojmë më mirë problemet tek institucionet përkatëse ukrainase, por edhe tek institucionet tona, për të mundësuar një bashkëpunim sa më të frytshëm me institucionet qendrore dhe lokale të Ukrainës, me qëllim adresimin e të gjitha çështjeve. Rëndësi të veçantë do t’i kushtojmë realizimit të programeve për njohjen e historisë, kulturës, gjuhës së folur, traditave e zakoneve të bashkësisë shqiptare, zhvillimit demografik, etj.
Ka nevojë që të ndërmerren ekspedita studimore për të mbledhur dhe analizuar çfarë ka mbetur dhe njëkohësisht mund të jepen klasa mësimi në gjuhën shqipe për mësuesit, nxënësit, dhe të tjerë të interesuar; të vazhdohet me përgatitjen e mësuesve në Shqipëri; të inkurajohen dhe mbështeten nga shteti shqiptar të rinj nga ky komunitet të vazhdojnë studime të plota universitare në Shqipëri; të punohet me grupet artistike; të shtohen kontaktet dhe komunikimi, etj.
Ne jemi të bindur, që një njohje më e plotë dhe më e thellë e realitetit, do të mundësojë edhe një mbështetje më të organizuar dhe efektive nga institucionet tona shtetërore, biznesi, shoqëria civile, etj. Natyrisht, që ne kemi shumë pak forca në përfaqësi, por duke bashkëpunuar me konsullin e nderit në Ukrainë dhe gjithë aktorët dhe institucionet përkatëse, synojmë të bëhemi më të dobishëm për bashkatdhetarët tanë në Ukrainë, që janë integruar në shoqërinë ukrainase dhe rrezatojnë shumë kulturë e mirësi. Zgjerimi i kontakteve me ta i ka gjallëruar dhe i ka bërë entuziastë. Duket sikur kemi bërë shumë, por realisht jemi vetëm në një fillim të mbarë. Ata meritojnë shumë edhe pse kërkesa e tyre kryesore është të njohin vendin e tyre, të mundësojnë vazhdimin e mësimit të gjuhës shqipe e të zgjerojnë komunikimin me kombin e tyre.
Doja të ndaja me ju një informacion shumë të rëndësishëm lidhur me komunikimin e komuniteteve të ndryshme shqiptare në Ukrainë. Në një takim të zhvilluar më 24 shtator 2016, në fshatin Priazovski, gjatë vizitës time të fundit në Ukrainë, me pjesëmarrjen e rreth 50 përfaqësuesve nga këto komunitete, u mor vendimi për themelimin e Unionit të Shqiptarëve të Ukrainës, me të cilin do të përpiqemi të punojmë ngushtësisht. Kjo përbën vërtet një ngjarje të rëndësishme, jo vetëm për një komunikim dhe shkëmbim më të mirë mes tyre, por edhe me institucionet në Ukrainë dhe me vendin amë. Dhe mos harroni që për herë të parë u bë e mundur të takohen mes tyre në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv, në qershor 2015, pasi më parë, jo vetëm që nuk kishte komunikim midis tyre, por edhe vështirë se kishin shumë njohuri për ekzistencën e njëri-tjetrit. Gjithashtu në takimin e themelimit të këtij Unioni u bisedua edhe lidhur me Samitin e Diasporës, që do të zhvillohet në Tiranë, në nëntor 2016 dhe ku pritet të marrin pjesë, të paktën dhjetë përfaqësues nga ky komunitet. Ky Samit pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe hap sinjifikativ në ndërtimin e një strategjie komplekse, në sigurimin e një mbështetje më të madhe, bashkëpunim efektiv, afrim të ndjeshëm me shqiptarët kudo ku jetojnë dhe tërheqje gjithnjë dhe më të madhe të kontributit të tyre në zhvillimet në Shqipëri. /dritare.net