Ndërkohë që përhapja e virusit në Europë përkeqësohej, nëntë kokat e qeverive të eurozonës kërkuan lëshimin e “koronabonove” për të ndihmuar në përhapjen më të barabartë në të gjithë Europën të borxhit shtesë që qeveritë do të duhet të marrin teksa përpiqen të zëvendësojnë zhdukjen e të ardhurave private. Por ndërkohë që ideja është e mirë, ajo u hodh poshtë nga justifikimi që dhanë propozuesit e saj.
Nga Yanis Varoufakis
Edhe nëse Britania dhe Amerika nuk do të ishin dy vende të ndarë nga e njëjta gjuhë, siç tha dikur George Bernard Shaw, Europa bashkëkohore është padyshim e ndarë nga një fjalë që synonte të përfaqësonte gurin themelor të Bashkimit Europian: solidariteti.
Një demon dashakeq që kërkon të maksimizojë përçarjen europiane nuk mund ta kishte kalibruar më mirë mënyrën në të cilën COVID-19 goditi Europën. Italia, ende ekonomia e prekur më rëndë një dekadë pas krizës së euros – me potencialin më të ulët të rritjes, borxhin më të madh publik, hapësirën më të vogël fiskale dhe politikën më të brishtë – ka pësuar një numër të lartë viktimash nga pandemia. Implikimi ekonomik i shkaktuar nga pandemia do të shtojë edhe më tej vuajtjet.
Po kështu, edhe Spanja u bë një epiqendër e koronavirusit. Ndërsa për Greqinë, edhe pse numri i të vdekurve, për fat të mirë, ka qenë i ulët, ulja e të ardhurave nga turizmi, nga i cili varet ekonomia e këtij vendi, vjen pas një krize dhjetëvjeçare.
Ndërkohë, vendet me financat më të larta kanë vuajtur më pak nga aspekti shëndetësor dhe ekonomik.
Ndërkohë që përhapja e virusit në Europë përkeqësohej, nëntë kokat e qeverive të eurozonës kërkuan lëshimin e “koronabonove” për të ndihmuar në përhapjen më të barabartë në të gjithë Europën të borxhit shtesë që qeveritë do të duhet të marrin teksa përpiqen të zëvendësojnë zhdukjen e të ardhurave private. Duke pasur parasysh se, ndryshe nga Japonia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara, Europës i mungon një bankë qendrore e aftë të financojë qeveritë e goditura drejtpërdrejt, Eurobonot do të siguronin që barra e borxhit të ri të mos bjerë mbi supet e atyre që janë më pak në gjendje ta mbajnë atë.
Ideja për bono të tilla nuk është as e re dhe as e ndërlikuar. Ajo që është e re është se, gjatë kësaj pandemie, thirrja për Eurobono u shpreh si një lloj solidariteti me vendet jugore më të prekura nga pandemia.
Siç e parashikuan disa prej nesh para takimeve të ministrave të financave të eurozonës, kjo nuk do të ndodhte kurrë. Në mënyrë të parashikueshme, ideja e “koronabonove” dështoi në mbledhjen e Eurogrupit më 9 prill, duke e shtyrë idenë e eurobonoveve për vitet e ardhshme ose ndoshta edhe përgjithmonë.
Rezultati nuk është i vështirë për t’u shpjeguar. Nëntë krerët e qeverive ishin të sigurt se portretizimi i tyre i bonove si mishërim financiar i solidaritetit europian do të fitonte. Ky ishte një bast i keq.
Shumë është bërë për rezistencën e ashpër ndaj Eurobonove nga Wopke Hoekstra, ministri holandez i financave, i cili në takim vuri veton ndaj çdo ideje që përfshin një modul borxhi të përbashkët europian. Shumë komentues në perëndim të Rinit dhe në jug të Alpeve e kanë përshkruar ministrin Hoekstra si një jugor pa zemër për të cilin solidariteti nuk ka kuptim. Ndarja gjeografike dhe emocionale e Europës nuk ka qenë kurrë kaq e theksuar sa sot.
Për fat të keq, Hoekstra ka të drejtë. Solidariteti është një justifikim i dobët për Eurobonot apo ndonjë formë tjetër borxhi. Kur takoj individë ose komunitete që vuajnë, mund të ndihem i detyruar të jap para, të ofroj strehim ose të sigurojë një hua të madhe, me datë të pacaktuar, kur asnjë bankë nuk dëshiron të ndihmojë. Ky është solidaritet. Por solidariteti nuk më detyron dhe nuk mund të më detyrojë të hyj në borxhe me ta.
Duke bërë thirrje për solidaritet për të mbështetur thirrjen e tyre për Eurobono, nëntë kokat e qeverive e humbën argumentin e tyre që para se ai të fillonte. Jack nuk ka të drejtë të kërkojë që Jill, për solidaritet, të pranojë të marrë një kredi bashkë me të. Edhe Jack nuk do të mendojë se është e padrejtë që Jill ka çdo të drejtë të vërë veton ndaj propozimit të tij.
Dhe kështu Eurogrupi e varrosi idenë e Eurobonove. Në vend të kësaj, vendeve të goditura iu ofruan 27.7 miliardë euro (30.1 miliardë dollarë, ose 0.22% e të ardhurave të eurozonës) në ndihmë të drejtpërdrejtë dhe kredi me vlerë disa qindra miliardë euro.
Kritikët e qeverive “të kursyera” të veriut të BE-së tregojnë disa pabarazi të habitshme. Stimulimi fiskal i qeverisë gjermane është 6.9% e PBB-së, madje më e lartë se ai i SHBA-së (5.5% e PBB-së). Ndryshe nga kjo, qeveria italiane dhe ajo spanjolle, duke u përballur me sistemet shëndetësore dhe ekonomitë që janë prekur tmerrësisht shumë, mund të përballonin përkatësisht stimuj fiskal vetëm 0.9% dhe 1.1% të PBB-së. A nuk është kjo një dëshmi e zhdukjes së solidaritetit?
Ndoshta është kështu. Por supozoni për një moment që, Gjermania do të ndante stimulin e saj me vendet e jugut të cilëve u mungon hapësira e saj fiskale. Përfitimi makroekonomik do të ishte i papërfillshëm, sepse paratë gjermane do të përhapeshin shumë pak në pjesën tjetër të eurozonës. Me pak fjalë, solidariteti nuk është vetëm një argument i dobët për Eurobonot. Ai është gjithashtu një politikë makroekonomike e parëndësishme. Për më keq, thirrjet për më shumë solidaritet kanë gjasa të jenë vetë-shkatërruese deri në atë masë sa ta ndajnë akoma më tej Europën dhe të shkatërrojnë atë që nënkupton solidariteti aty.
Shumë kohë para se të shfaqej COVID-19, europianët e veriut druheshin se jugorët borxhlinj kërkonin justifikime për të shtrirë duart e tyre nga kursimet e jugorëve. Mbajtja e leksioneve mbi kuptimin e solidaritetit e përforcon këtë dyshim. Prandaj, unifikimi i Europës dhe parandalimi i shpërbërjes së saj do të kërkojë braktisjen e fjalimeve mbi solidaritetin dhe në vend të kësaj t’i bëhet thirrje arsyetimit.
Kursimtarët holandezë dhe gjermanë duhet ta pranojnë se kursimet e tyre do të ishin shumë më të ulëta nëse italianët, grekët dhe spanjollët borxhlinj nuk do ta kishin ndarë euron me ta. Në fund të fundit, janë deficitet jugore që e mbajnë kursin e këmbimit të euros mjaftueshëm të ulët që Gjermania dhe Holanda të ruajnë eksportet e tyre neto. Eurobonot këtu nuk kanë asnjë lloj lidhje me solidaritetin. Duke e zhvendosur borxhin nga vendet e deficitit në një Union të fortë dhe, në këtë proces, duke zvogëluar borxhin e përgjithshëm të eurozonës (falë niveleve më të ulëta të interesit afatgjatë), Eurobonot do ta mbanin një vend si Italia në euro – duke parandaluar në këtë mënyrë zhdukjen e kursimeve gjermane dhe holandeze,
Adam Smith e tha shumë mirë këtë në vitin 1776: “Darkën tonë nuk e presim nga dashamirësia e kasapit, atij që prodhon birrë apo bukëpjekësit, por nga vëmendja që ata i kushtojnë interesit të tyre personal”. Në mënyrë të ngjashme, sot eurobonot dhe një ndryshim i rregullave qesharake të eurozonës nuk do të vijnë kurrë duke pritur “dashamirësi” nga ata që kanë me tepri. Mënyra e duhur për të shmangur vetot veriore është duke i bërë thirrje asaj që Smith do ta quante “vetë-dashuri” e tyre, ndërsa sqaron se veto do të vendoset edhe ndaj politikave vetë-dëmtuese të veriut.
Project Syndicate-Birn