Ish-deputeti demokrat Edmond Spaho rreshtohet krah kritikëve për “abuzimet në sistemin e drejtësisë”, siç ai e cilëson, duke iu referuar mbajtjes së të pandehurve në kafazin e qelqtë dhe mostransmetimin e seancave live. I ftuar në emisionin “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Nertil Agalliu, Spaho tha se kërkesat e Metës për të mos qëndruar në kafaz dhe për ta dhënë live seancën janë të drejta dhe duhet të kishin përkrahjen e të gjithë politikës, veçanërisht të PD-së.
Jo vetëm për Metën, por Spaho ndalet edhe tek rasti Veliaj apo Beqaj, duke thënë se mbajtja e të gjithë të pandehurve në kafaz është trupëzuese për vetë sistemin gjyqësor. Ai thekson se i pandehur duhet të ketë të gjithë lirinë që në sallën e gjyqit të komunikojë lirshëm me avokatin e tij, por edhe me trupën gjykuese.
“Askush nuk shkroi apo nuk foli për dy çështjet që ngriti meta, çështjen e mbylljes në kafaz dhe së dyti për transmetimin live të gjyqit. Mendoj që janë dy kërkesa shumë të drejta dhe që duhet të kishte edhe përkrahjen e politikës dhe veçanërisht të PD, që është aleatja e Partisë së Lirisë. Të dyja kërkesat janë të drejta, jo vetëm për Metën, por edhe të tjerë, si Veliaj. Pse duhet ta mbash në mënyrë të turpshme në kafaz? Është turpëruese edhe për vetë sistemin gjyqësor, tregon se çfarë mentaliteti primitiv kanë ata për drejtësinë. Kur një i pandehur mbrohet në gjykatë duhet të komunikojë lirshëm me mbrojtësin e vet, me trupin gjykues. Pa folur pastaj një funksionar që i ka mbajtur të gjitha funksionet në shtetit shqiptar, e fut atje sikur të jetë ndonjë kafshë e egër dhe nuk e lejon të rrijë në mënyrë dinjitoze në sallë. Është mungesë respekti për shtetin dhe institucionet që ai ka përfaqësuar”, shprehet Spaho në “Sot Live në Shqipëri”.
I pyetur nëse janë masa represive, Spaho thekson se drejtësia më shumë po bën shfaqje dhe po përpiqet ta tregojë fajësinë mes këtyre instrumenteve, se sa po përpiqen të bëjnë drejtësi. Sipas Spahos, personat e dyshuar duhet të hetohen në gjendje të lirë, siç thotë Këshilli i Europës apo Strasburgu, duke theksuar se masa e paraburgimit duhet të aplikohet vetëm në rastet kur kemi të bëjmë me vepra shumë të rënda penale.
“Këtu ka abuzivitet pafund, më shumë po përpiqemi të bëjmë shfaqje dhe ta tregojmë fajësinë e tyre përmes këtyre instrumenteve, se sa po përpiqemi të bëjmë drejtësi. Të gjithë mund të ndiqen fare mirë në gjendje të lirë.
Paraburgimi është për vepra shumë të rënda, por të gjitha rastet e tjera mund të ndiqen në gjendje të lirë siç e thotë KiE apo Strasburgu”, vijon Spaho.
Duke theksuar se me nisjen e një procesi gjyqësor nuk ka më as sekret hetimor dhe as rrezik që të pandehurit të prishin provat, Spaho ngre pyetjen se përse Meta, Veliaj apo Beqaj mbahen në burg? Duke e cilësuar poshtërim sjelljen e drejtësisë së re, ai kujdeset të evidentojë se çdo i pandehur prezmuohet i pafajshëm sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë.
“Dosja është mbyllur, hetimi ka përfunduar, ka nisur gjyqi, tani nuk ke as dëshmitarë që të kërcënosh apo të prishësh provat, pse e mbajnë në burg? Apo për të treguar që ata janë të fajshëm. Ai poshtërim që i bëhet Metës, Veliajt apo ministrave duke i mbyllur në kafaz duke sikur synon të përçohet mesazhi që këta janë fajtorë, dhe të nxitet një lloj zemërimi popullor ndaj tyre. Ai është fajtor kur Apeli të japë vendimin përfundimtar, sa kohë nuk ka vendim gjykate prezumohet i pafajshëm dhe duhet trajtuar me dinjitet”, thotë ish-deputeti i PD.
Ish-deputeti ngre edhe një tjetër pyetje, nisur nga fakti që GJKKO ka refuzuar transmetimin live të seancave gjyqësore. Sipas tij, mungesa e transparencës të çon të mendosh se rastet mund të jenë edhe të pambështetura me prova.
“Ku ta di unë që refuzimi për të transmetuar live gjyqet nuk bëhet për të vetmen arsye se rastet janë të pambështetura mirë në prova. Ai realitet primitiv që e mban të mbyllur në kafaz ai të çon edhe në atë që dosjen mos ta kesh qepur mirë siç duhet dhe nuk dëshiron që publiku të shikojë kemi vërtetë drejtësi të re, apo drejtësia e re është më e vjetër se e vjetra”, përfundon Spaho.
Ai sjell si shembull edhe Roven Zakën, ish shefin e Rrugores së Tiranës, i cili akuzohej për ryshfet, por u shpall i pafajshëm.
“Kush mban përgjegjësi për atë që ka ndenjur një vit në burg, për njollën që iu vu në publik, që ai humbi punën, mund të ketë probleme familjare. Përgjigjet njeri për këtë gabim të rëndë që është bërë ndaj tij, dhe kalohet si çështje normale”, vijon Spaho.











