Kryeministri Edi Rama prezantoi sot ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, të përfshira në Paketën e Re të Garancive Procedurale, e cila prek rreth një të pestën e Kodit dhe përmban 105 nene.
Sipas Ramës, për hartimin e paketës janë angazhuar 19 akademikë dhe magjistratë nga Italia, Franca dhe Holanda, së bashku me ekspertët e Këshillit të Europës, me mbështetjen e ministrive të Drejtësisë të Italisë dhe Francës. Sekretariati teknik shqiptar, sipas kryeminsitrit, ka bërë koordinimin e punës.
Sipas paketës së prezantuar nga kryeministri Edi Rama, për veprat me dënim maksimal nën 5 vjet nuk do të caktohet arrest në burg, ndërsa prokurori do të ketë detyrimin të hetojë edhe rrethanat që e shfajësojnë ose favorizojnë personin.
Ndryshimet prekin edhe kontrollin e telefonave dhe përgjimet. Policia dhe prokuroria mund të sekuestrojnë një pajisje, por hapja, kopjimi ose përpunimi i përmbajtjes së saj do të kërkojë autorizim paraprak të gjykatës.
Ndërsa për përgjimet parashikohet që të transkriptohen vetëm komunikimet që lidhen me hetimin.
Paketa vendos gjithashtu rregulla për prezumimin e pafajësisë dhe publikimin e materialeve të hetimit, përfshirë kufizime për publikimin e përgjimeve dhe të dhënave të caktuara.
Sipas kryeminsitrit Rama, përgjegjësia për nxjerrjen e sekretit nuk do të bjerë mbi median, por mbi personin që ka detyrimin ligjor ta ruajë atë.
Rama deklaroi se këto ndryshime në Kodin e Procedurës Penale nuk i heqin prokurorisë kompetencat për të përgjuar, kontrolluar, sekuestruar, hetuar pasurinë apo bashkëpunuar ndërkombëtarisht, “por ndryshon mënyrën e ushtrimit të këtyre kompetencave dhe forcon atë që na mungon dramatikisht, kontrollin e gjykatës mbi to.”
Paketa e ndryshimeve nuk do të zbusë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
”Për korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet, krimet me armë ose dhunë të rëndë dhe çështjet e Gjykatës së Posaçme, ruhen regjime të posaçme”
Fjalimi i plotë i Kryeministrit Rama:
“Të nderuar, përfaqësues të Këshillit të Europës dhe posaçërisht, i nderuar Gianluca,
Të nderuar profesorë të ardhur nga Italia, Franca dhe Holanda,
Zonja e zotërinj magjistratë, avokatë, shkëlqesi, ambasadorë,
Tamam dhjetë vjet më parë, në vitin 2016, Kuvendi i Shqipërisë ktheu në akt, aspiratën më të guximshme të programit tonë për një Rilindje Shqiptare. Ndryshuam Kushtetutën dhe ligjëruam çlirimin e drejtësisë nga pushteti politik, pas një varësie kronike që kishte zgjatur qysh nga dita e themelimit të shtetit shqiptar, në vitin 1912.
Reforma në Drejtësi e shembi ngrehinën e vjetër të pushtetit gjyqësor dhe ngriti një arkitekturë krejt të re. Ajo krijoi institucione të reja të vetëqeverisjes së gjyqësorit, një superstrukturë të posaçme për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një sistem pagash shumë më të larta se maja e piramidës shtetërore dhe një proces unik Vetingu, si themel të rrugës së re të drejtësisë shqiptare.
Sot, pas dhjetë vjetësh, kemi parë, dëgjuar dhe mësuar shumë. Kemi parë forcën e reformës, por edhe dobësitë që dolën nga përballja me realitetin. Kemi parë rezultate që dikur dukeshin jo të pamundura, po as nuk imagjinoheshin dot. Por kemi parë edhe dështime e deformime që nuk mund të fshihen pas rezultateve. Megjithatë, përtej çdo vështirësie dhe peripecie, barra e kthesës së madhe përmes Reformës në Drejtësi, ia ka vlejtur të gjithë qiranë kur i thonë llafit. Një fjali i përmbledh të gjitha të mirat e kësaj reforme, sa brutale aq edhe dobiprurëse: Dhjetë vjet shembën kultin njëqindvjeçar të pandëshkueshmërisë.
Të nderuar të ftuar dhe të dashur miq,
Dhjetë vjet më parë, ne i dorëzuam pushtetit gjyqësor shpatën e ndëshkimit, e cila për njëqind vjet kishte qëndruar në dorën e pushtetit politik. Sot duam të bëjmë një hap tjetër, më modest në përmasa, por jo më pak kuptimplotë në qëllim.
Duam t’i japim më shumë ekuilibër peshores së drejtësisë, në mënyrë që pushteti gjyqësor të mos bëjë asnjëherë ligjin mbi drejtësinë, po drejtësia të jetë gjithnjë fuqia e barazisë së të gjithëve para ligjit. Ky është thelbi i paketës së re që prezantojmë sot publikisht dhe që vetë bashkëautorët e saj shumë të nderuar, e kanë quajtur ‘’Paketa e Garancive Proceduriale’’.
Pas miratimit të Kodit të Procedurës Penale në vitin 1995 dhe ndryshimeve që shoqëruan Reformën në Drejtësi, kjo është ndërhyrja e parë që trajton në mënyrë kaq të plotë dhe organike prezumimin e pafajësisë në procesin penal.
E thënë me fjalët e mia, kjo do të thotë se nëse deri tani, e kemi forcuar kryesisht krahun e peshores ku rëndon fuqia e shtetit ndaj njeriut, në këtë paketë i japim peshën që meriton, krahut ku qëndron fuqia e të drejtës së njeriut përballë shtetit.
Nisja e diskutimeve për këtë paketë u nxit nga alarmi i ngritur prej Komitetit Europian për Parandalimin e Torturës dhe mekanizmave të tjerë europianë e ndërkombëtarë, të cilët na vunë përpara një pasqyrë rrëqethëse: në Shqipëri, peshorja e drejtësisë anon shumë dukshëm nga pesha represive e shtetit.
Edhe sot, po të pyesësh një model të Inteligjencës Artificiale, se cili vend mban barrën më të rëndë të paraburgimit ndër sistemet e të gjithë kontinentit europian, përgjigjja vjen shumë e hidhur: Albania.
Raporti më i fundit i Këshillit të Europës, për gjendjen më 31 janar 2025, tregon se thuajse 62% e njerëzve në burgjet shqiptare, janë të paraburgosur. Pra, mbahen në burg për atë që akuzohen, jo për ndonjë dënim që kanë marrë. Mesatarja europiane e të paraburgosurve në po atë datë, ishte 26 % ose ndryshe, Shqipëria ishte më shumë se sa dy herë më keq krahasuar me mbarë Europën.
Në Greqi 24.8%, në Serbi 21.5%, në Maqedoninë e Veriut 14.3,% në Rumani 12.4% dhe në Bullgari 7%.
Pra, ky nuk është ndonjë mallkim rajonal dhe as ndonjë rekord i pashmangshëm ballkanik. Është një problem shumë i rëndë shqiptar, të cilin duhet ta adresojë në letër pa humbur kohë Kuvendi i Shqipërisë dhe duhet ta pranojmë si sfidë të përbashkët për ta fituar, gjyqësori dhe ekzekutivi. Ne, duke siguruar mbështetjen financiare dhe logjistike për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të punës së gjyqësorit dhe magjistratët duke iu përkushtuar zbatimit të kësaj pakete garancish, si një mision dinjiteti kombëtar.
Si mundet ta pranojmë ne faktin që krahasimi me Rusinë të jetë edhe më tronditës. Atje, në atdheun të represionit, ku paraburgimi vendoset rëndom me një telefonatë, të paraburgosurit janë 30 % e popullsisë së burgjeve. 30%. Pra as sa gjysma e Shqipërisë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Të nderuar prokurorë e gjykatës,
Ju lutem, nuk mund të vazhdojmë me shifra të tilla, pas të cilave ka jetë njerëzish, drama familjesh, trauma fëmijësh dhe pasoja nganjëherë të pariparueshme jo vetëm për ata që i vuajnë, por edhe për shoqërinë. Jemi një vend shumë i vogël dhe një popull që vjen nga një histori shumë traumatike, për t’ia bërë vetes me duart tona, dëmin kolosal të një politike të tillë penale e cila ka një impakt negativ, jo vetëm mbi viktimat e drejtpërdrejta të saj, po edhe mbi shoqërinë, e cila nuk bëhet asnjëherë më e mirë e më njerëzore, kur peshorja e drejtësisë anon ndjeshëm nga represioni shtetëror.
Në juridiksionin e përgjithshëm, qëndrimi mesatar në paraburgim arrin në 253 ditë në Shqipëri – më shumë se tetë muaj – kundrejt rreth 155 ditëve në vendet e Bashkimit Europian, ku për kohën e paraburgimit ka dhe kufizime të arsyeshme që në Shqipëri mungojnë plotësisht. Ndërsa në Gjykatën e Posaçme kjo kohë ngjitet në shifrën e paimagjinueshme për Europën, 616 ditë, ose më shumë se një vit e tetë muaj krahasimisht me mesataren pesë mujore të Europës. Janë shifra rënkuese që flasin vetë.
Dhe nuk është se kjo lebeti jonjerëzore lindi dje, prandaj kujdes të gjithë ata që mund të nguten ta shohin këtë realitet kaq të zymtë përmes syzeve të negativitetit ndaj Reformës në Drejtësi.
Qysh në vitin 2006, dhjetë vjet përpara Reformës në Drejtësi, një studim i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ka konstatuar se 41% e të paraburgosurve nuk e kishin takuar mbrojtësin e tyre përpara seancës ku u vendos për heqjen e lirisë së tyre, ndërsa 59% e avokatëve të tyre nuk kishin qenë të pranishëm në marrjen e parë në pyetje nga prokuroria të klientëve.
Të jemi shumë të qartë, fakti që kjo e keqe është e hershme, i bën të dhënat edhe më të rënda, sepse vijimësia, inercia tejet negative na tregon se nuk kemi para syve një pasojë që ka lindur rishtaz nga pavarësimi i pushtetit gjyqësor, por kemi në mesin tonë një kulturë të vjetër varësie të drejtësisë ndaj kultit të forcës.
Paraburgimi, i cili sipas Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut duhet të jetë masa e fundit, në Shqipëri është qendra e gravitetit të procesit penal.
Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës, Kombet e Bashkuara, Këshilli i Europës, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, kanë nënvizuar vazhdimisht se paraburgimi në Shqipëri kërkohet rëndomë me formula të gatshme dhe vendoset duke përsëritur arsyetimin e prokurorit, pa një analizë reale të profilit të personit, të rreziqeve konkrete që mund t’i kanosen hetimit ose gjykimit në liri dhe të mundësisë për masa më të buta.
Gjykata e Strasburgut, në një sërë çështjesh kundër Shqipërisë, ka konstatuar edhe mungesën e pajustifikueshme të një shqyrtimi real për vazhdimin e masave shtrënguese. Prandaj kjo paketë është një përgjigje konkrete ndaj një problemi konkret, real dhe lëndues që Shqipëria nuk e ka me ata që sot janë në paraburgim por e ka me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe që lidhet drejtpërdrejt me kapitullin 23 të negociatave me Bashkimin Europian.
Paketa prek rreth një të pestën e Kodit të Procedurës Penale dhe vjen si një arkitekturë e vetme, koherente, që cila ngrihet mbi një parim përcaktues: Çdo ushtrim i pushtetit në procesin penal duhet të ketë një bazë të qartë në ligj, duhet të jetë proporcional me qëllimin, duhet t’i nënshtrohet kontrollit përmbajtësor dhe jo formal të gjykatës dhe duhet të prodhojë pasoja juridike kur tejkalon kufijtë e vet.
I dashur Gianluca,
Dua të ndalem këtu posaçërisht te roli i paçmuar i skuadrës suaj dhe juaji personalisht. Angazhimi juaj i drejtpërdrejtë i dha kësaj pune nën drejtimin, disiplinën dhe integritetin e domosdoshëm europian që ju keni sjellë është themelor për rezultatin që kemi para syve. Grazie!
Mbështetja e çmuar e qeverive të Italisë dhe Francës na hapi dyert e një ekspertize të klasit të parë, ndërsa kontributi i profesorëve dhe magjistratëve italianë, francezë dhe holandezë i dha paketës thellësinë krahasuese që një reformë e tillë kërkon.
Dua t’i falënderoj të gjithë një e nga një, jo vetëm për profesionalizmin e padiskutueshëm, po dhe për gatishmërinë mbresëlënëse për të na ardhur në ndihmë.
Kjo paketë nuk mund të ishte një produkt i yni sepse donte një teknikë juridike me preçizion të lartë, pasi ndërhyn në pikën nevralgjike të ekuilibrit më delikat të një demokracie: nevojën e shoqërisë për t’u mbrojtur nga krimi përmes pushtetit gjyqësor dhe të drejtën e individit për t’u mbrojtur nga gabimi ose abuzimi i pushtetit gjyqësor me jetën e tij.
Pikërisht për këtë arsye ne zgjodhëm që hartimin e saj t’ia besonim 19 akademikëve dhe magjistratëve nga Italia, Franca dhe Holanda, së bashku me ekspertët e Këshillit të Europës, me mbështetjen aktive të dy ministrive, asaj të drejtësisë italiane dhe asaj të drejtësisë franceze, ndërkohë që sekretariati teknik shqiptar bëri vetëm koordinimin e gjithë kësaj pune shumë voluminoze.
Të 100 e kusur nenet e kësaj pakete janë fryte të qindra orëve punë dhe debate ndërmjet ekspertësh që jo pa qëllim vijnë nga tradita të ndryshme juridike, nën vëzhgimin e rreptë të Këshillit të Europës që ka certifikuar çdo hap si dhe dokumentin përfundimtar që është përpara për tu kthyer në një bazë të konsultimit publik.
Nuk ka në ato 105 nene asnjë mballomë alla shqiptarçe dhe asnjë arnë të eskportuar nga jashtë. Çdo zgjidhje është ballafaquar me Kushtetutën tonë, me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, me vendimet njësuese të Gjykatës së Lartë, me jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut dhe me të drejtën e Bashkimit Europian.
Këshilli i Europës e ka kaluar paketën në filtrin e Konventës dhe të standardeve europiane, duke e vlerësuar si një projekt që rrit transparencën e procesit penal dhe zgjeron realisht të drejtat e mbrojtjes. Kjo është për ne garancia më e mirë që po ndërmarrim një tjetër reformë modernizuese për sistemin e drejtësisë dhe europianizuese për shtetin shqiptar, ku procesi penal duhet të nisë nga zanafilla e lirisë, jo nga burgu si zanafillë.
E kam treguar në mos gaboj edhe në një rrethanë tjetër, episodin me profesoren Raphaële Parizot e cila na u vu në dispozicion nga Ministria e Drejtësisë së Francës si një nga personalitetet në fushën e politikës penale. Pasi pa renditjen e masave në Kodin tonë, ajo tha që ne kemi një problem konceptual, ideologjik që në pikënisje sepse sipas saj, një Kod që fillon me arrestin me burg dhe zbret pastaj tek masat më të lehta, e mëson sistemin me këtë renditje dhe e nxit që të mendojë gjithnjë burgun të parin.
Pikërisht kësaj logjike i kundërvihet paketa e re.
Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme.
Kështu për shembull, për veprat me dënim maksimal deri në tre vjet, si rregull, nuk do të caktohen më masa shtrënguese. Për veprat me dënim maksimal nën pesë vjet nuk do të caktohet më arrest në burg. Natyra e rëndë e veprës, e marrë më vete, nuk do të mjaftojë më. As heshtja e personit, as mospranimi i akuzës nuk mund të përdoren më si provë rrezikshmërie. Rreziku duhet të jetë konkret, aktual dhe i mbështetur në fakte që lidhen me vetë personin.
Gjykata duhet të bëjë vlerësimin e saj të pavarur dhe nëse kopjon argumentet e prokurorit dhe nuk arsyeton pse masat më të buta nuk mjaftojnë, vendimi është i pavlefshëm dhe lind përgjegjësia disiplinore e gjykatësit.
Sa herë caktohet arresti, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore, të llogaritur natyrisht sipas gjendjes reale financiare të personit, me përjashtimet e domosdoshme për rrezikun ndaj provës, krimet e rënda me dhunë, terrorizmin, veprat kundër rendit kushtetues dhe çështjet specifike që janë kompetencë të Gjykatës së Posaçme.
Çdo muaj, prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës vazhdojnë të ekzistojnë dhe t’i argumentojë ato. Liria nuk mund të kufizohet një herë dhe pastaj të harrohet sikur nuk ekziston më.
Po ashtu paketa forcon edhe mbrojtjen e njerëzve në gjendje të cenueshme. Nëna me fëmijë deri në gjashtë vjeç, babai ose kujdestari kur nëna nuk jeton ose nuk është në gjendje të kujdeset, personat mbi 70 vjeç, të sëmurët rëndë dhe personat në programe terapeutike nuk mund të trajtohen më sikur rrethanat e tyre njerëzore të mos ekzistojnë.
Ndryshimi i dytë i madh vendos barazinë reale ndërmjet mbrojtjes dhe akuzës.
Avokati nuk mund të jetë dekor në sallë dhe spektator gjatë hetimit. Ai duhet të ketë të drejtë të kryejë hetimet e veta, të marrë deklarime, të kërkojë dokumente, të kryejë verifikime teknike dhe të angazhojë ekspertë.
Materialet e mbledhura nga avokati do t’i paraqiten drejtpërdrejt gjyqtarit dhe do të vlerësohen sipas të njëjtave kritere ligjshmërie dhe rëndësie si materialet e prokurorisë.
Personi do të ketë akses të pakushtëzuar te provat mbi të cilat i është hequr liria dhe do të marrë pa pagesë dosjen e plotë përpara se çështja të dërgohet në gjyq. Pa këtë akses, e drejta e mbrojtjes mbetet një premtim në letër.
Prokurori do të ketë detyrimin e shprehur të hetojë edhe rrethanat që e shfajësojnë ose e favorizojnë personin. Sepse prokurori i një shteti demokratik nuk ka për mision të gjejë patjetër një fajtor. Ka për mision të zbulojë patjetër të vërtetën.
Ndryshimi i tretë i rëndësishëm mbyll një zonë gri të marrjes në pyetje. Nuk mund të thirret dikush si person në dijeni dhe të trajtohet në fakt si i dyshuar, pa avokat dhe pa garanci. Kushdo që thirret në Prokurori ose në Polici, edhe si person në dijeni, do ta ketë të shkruar në fletën e thirrjes të drejtën për t’u paraqitur me avokat. Kur dyshimi ndaj tij ka ekzistuar që në momentin e pyetjes, deklarimet e marra nën një status tjetër nuk mund të përdoren më tej kundër tij.
Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore hetimore do të regjistrohen detyrimisht me zë dhe me figurë. Hiqet nga Kodi justifikimi “kur është e mundur”. Nëse shteti merr në pyetje një njeri, shteti duhet të jetë në gjendje të tregojë në çdo kohë, saktësisht si e ka marrë deklarimin e tij dhe sa e ka respektuar dinjitetin e tij si qytetar gjatë marrjes në pyetje. Dhe për herë të parë, shkruhet pa asnjë ekuivok se deklarimet ose informacionet e marra nën torturë, me trajtim çnjerëzor apo sjellje degraduese ndaj personit janë absolutisht të papërdorshme. Një shtet që kërkon të vërtetën nuk mund ta prodhojë atë me dhunë apo me presion verbal mbi njeriun.
Ndryshimi i katërt vjen si domosdoshmëri për të mbrojtur jetën private në epokën e telefonit inteligjent. Telefoni nuk është më thjesht një mjet komunikimi. Ai është arkivi i jetës së një njeriu, i komunikimeve, fotografive, lëvizjeve, financave dhe marrëdhënieve të tij. Prandaj sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë, një leje e pakufishme për të lexuar dhe parë gjithçka që arkivi i saj përmban. Policia dhe prokuroria mund ta sekuestrojnë pajisjen, nuk diskutohet, por për ta hapur, kopjuar ose përpunuar përmbajtjen e telefonit duhet autorizim paraprak i gjykatës. Vendimi i gjykatës duhet të përcaktojë pajisjen, kategoritë e të dhënave, aplikacionet, periudhën dhe kriteret e kërkimit. Në rastet e urgjencës, të përcaktuara edhe këto ngushtësisht nga ligji, veprimi duhet të vleftësohet nga gjykata brenda 48 orëve. Çdo e dhënë e marrë jashtë autorizimit është e papërdorshme, ndërsa çdo material i nxjerrë që s’ka lidhje me hetimin duhet të asgjësohet.
E njëjta logjikë zbatohet për përgjimet. Duhet të transkriptohen vetëm komunikimet që lidhen me hetimin, përfshirë ato që janë në favor të personit. Jeta private e njerëzve pa lidhje me veprën penale nuk mund të kthehet në material i përdorshëm, si instrument presioni apo si produkt konsumi mediatik.
Edhe marrja e mostrave biologjike dhe ruajtja e profileve gjenetike rregullohen për herë të parë në mënyrë të plotë, me pëlqim të informuar ose vendim gjykate, me praninë e mbrojtësit dhe me asgjësim të detyrueshëm pas pafajësisë së formës së prerë.
Ndryshimi i pestë i jep hetimit një fillim të verifikueshëm, një objekt të qartë dhe një fund. Procedimi duhet të regjistrohet në ditën kur prokurori merr dijeni për veprën, jo kur e çmon ai të përshtatshme. Personi ka të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar një procedim dhe t’i kërkojë gjykatës verifikimin e datës. Nëse gjatë hetimit del një vepër tjetër, ajo duhet të regjistrohet si e tillë, si vepër tjetër. Hetimet e fshehura në kohë, të mbajtura në sirtar për vite dhe të përdorura si një hije mbi kokën e dikujt, nuk mund të jenë kurrsesi një rutinë në një shtet të së drejtës.
Në gjyq do të shkojnë çështjet që kanë një perspektivë reale. Kriteri i sotëm i “provave të mjaftueshme” zëvendësohet me standardin e “pritshmërisë së arsyeshme për dënim”. Prokurori duhet të peshojë provat e akuzës dhe të mbrojtjes dhe të tregojë pse çështja ka gjasa reale të përfundojë me dënim. Procesi penal nuk mund të përdoret si dënim më vete, duke i marrë dikujt erzin dhe vite jetë nëpër gjykata, kur prova nuk përmban dot asnjë vendim fajësie.
Ndryshimi i gjashtë ka një rëndësi të veçantë, sepse e nxjerr prezumimin e pafajësisë jashtë sallës së gjyqit dhe e bën standard sjelljeje për institucionet. Prangosja nuk është shpallje fajësie. Rrjedhja e sekretit hetimor nuk është transparencë. Gjyqi në pazar përpara gjyqit në sallë nuk është drejtësi. Do të ndalohet publikimi i përmbajtjes së përgjimeve jashtë pjesës që citohet në arsyetimin e një vendimi, i të dhënave identifikuese të viktimave pa pëlqimin e tyre, i pamjeve të personave nën masa shtrëngimi fizik dhe i vendimeve për masat e sigurimit përtej kufijve të përcaktuar nga ligji. Prokurori, oficeri, avokati apo profesionisti që ka detyrimin ta ruajë sekretin dhe e shkel atë do duhet të mbajë përgjegjësi. Kjo normë nuk synon të krijojë një polici mendimi ndaj medias. Përgjegjësia nuk bie asnjëherë mbi median, por bie mbi atë që ka detyrimin ligjor ta ruajë sekretin dhe e nxjerr atë nga dosja. Edhe gjuha e akteve zyrtare duhet të respektojë pafajësinë. Askush nuk mund të paraqitet si fajtor përpara një vendimi të formës së prerë. Kur kjo shkelet, personi fiton një mjet të shpejtë për korrigjimin e aktit.
Paketa forcon njëkohësisht mbrojtjen e viktimës. Për dhunën në familje dhe krimet seksuale krijohen masa të reja, si largimi i të pandehurit nga banesa dhe ndalimi i afrimit ose kontaktit, me distancë jo më pak se një mijë metra dhe me mundësi mbikëqyrjeje elektronike. Kur largimi e lë familjen pa mjete jetese, gjykata mund të caktojë një pagesë periodike në favor të saj. Mbrohet identiteti i viktimës dhe forcohen mjetet e saj për të marrë pjesë në proces. Forcohet edhe e drejta për t’u dëgjuar. Vendimet në dhomë këshillimi që prekin lirinë dhe të drejtat nuk mund të merren më përmes një procedure të padukshme. Palët duhet të njoftohen, të paraqesin argumentet e tyre dhe të dëgjohen. Me kërkesën e të pandehurit ose të viktimës dhe me autorizimin e gjykatës, seanca mund të transmetohet drejtpërdrejt, duke mbrojtur të drejtat e të tretëve dhe të viktimave.
Të nderuar të pranishëm, risia më e rëndësishme e kësaj pakete nuk është vetëm tek vendosja e një ekuilibri më të arsyeshëm mes akuzës dhe të drejtave. Është fakti se shkelja e të drejtave ka pasoja. Një e drejtë pa pasojë është vetëm një fjali e bukur në Kod dhe një boshllëk për abuzim në realitet. Prova e marrë në shkelje të ligjit nuk mund të përdoret. Akti i kryer duke cënuar garancitë humbet vlerën juridike. Gjykata mund ta konstatojë shkeljen edhe vetë, pa pritur ta kërkojë pala krahas pavlefshmërisë absolute dhe relative, krijohet një regjim i ndërmjetëm për shkeljet serioze të së drejtës për t’u dëgjuar, për të ndërhyrë dhe për të paraqitur prova. Dhe përgjegjësia nuk mund të mbetet më pa emër. Gjyqtari që kufizon lirinë pa arsyetim të vetin, prokurori ose oficeri që përhap informacionin e mbrojtur, punonjësi që nuk regjistron marrjen në pyetje dhe oficeri që abuzon me flagrancën ose urgjencën duhet të përgjigjen personalisht. Shkelja mbetet shkelje edhe nëse në fund personi dënohet.
Dhe në fund fare, dua të jem shumë i qartë për atë që kjo paketë nuk bën, sepse zëre se po e dëgjoj zhurmën që do të nisë përpara se sa shumëkush ta lexojë tekstin dhe sidomos nga ata që as nuk do ta lexojnë ndonjëherë tekstin. Kjo paketë nuk prek asnjë shtyllë të Reformës në Drejtësi. Nuk i heq prokurorisë asnjë kompetencë për të përgjuar, kontrolluar, sekuestruar, hetuar pasurinë apo bashkëpunuar ndërkombëtarisht. Ajo ndryshon mënyrën se si ushtrohen këto kompetenca dhe forcon atë që na mungon dramatikisht, kontrollin e gjykatës mbi to.
Për korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet, krimet me armë ose dhunë të rëndë dhe çështjet e Gjykatës së Posaçme, ruhen regjime të posaçme. Kjo është një zgjedhje e vetëdijshme, sepse lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk duhet të zbutet assesi.
Kjo paketë nuk rihap çështje të mbyllura. Aktet dhe provat e marra ligjërisht përpara hyrjes së saj në fuqi mbeten të vlefshme. Rishikimi brenda gjashtëdhjetë ditëve i masave të sigurimit që janë në fuqi nuk është amnisti. Është kontroll individual nga e njëjta gjykatë, rast pas rasti, me të drejtë ankimi për palët. Të drejtat nuk kanë biografi, nuk kanë parti, nuk kanë profesion dhe nuk kanë as popullaritet. Të drejtat ose vlejnë për të gjithë, ose nuk janë të drejta.
Pavarësia e drejtësisë nuk është imunitet nga ligji. Kontrolli procedural nuk është ndërhyrje politike. Përkundrazi, sa më e pavarur të jetë drejtësia, aq më e lartë duhet të jetë cilësia e arsyetimit të saj dhe aq më i rreptë respektimi i kufijve që i vendos ligji. Dhe duhet të jemi po aq të sinqertë për zbatimin.
Këshilli i Europës na e ka lënë të shkruar, se pesha e këtyre garancive bie mbi një gjyqësor, një prokurori dhe një polici gjyqësore që kanë kufizime në njerëz, pajisje dhe ekspertizë. Regjistrimi me zë dhe figurë, kontrolli i provës dixhitale, mbikëqyrja elektronike dhe ruajtja e të dhënave kërkojnë infrastrukturë, kërkojnë financim dhe kërkojnë trajnim.
Prandaj ligji do të ketë një periudhë të arsyeshme përpara fillimit të efekteve të tij, e cila do të shoqërohet me trajnimin e gjyqtarëve, prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore dhe avokatëve, me aktet e nevojshme zbatuese dhe me mbështetjen buxhetore të Ministrisë së Drejtësisë për pajisjet dhe kapacitetet e reja. E thashë edhe më lart, ekzekutivi në këtë sfidë të cilën unë e konsideroj sfidë për dinjitet kombëtar, është cënim i drejtpërdrejtë i dinjitetit kombëtar që Shqipëria të figurojë si ‘’delja e zezë’’ e mbarë Europës dhe një ‘’dele e zezë’’ që duket dy herë më larg sesa të gjithë të tjerët dhe prandaj unë e konsideroj këtë si një sfidë të përbashkët ku ekzekutivi ka përgjegjësinë e vet që kjo sfidë të fitohet bashkërisht dhe ne do ta mbajmë këtë përgjegjësi pa asnjë diskutim, duke i vënë në dispozicion paketës, të gjithë atë që kërkohet prej nesh, në mënyrë që kushtet për zbatimin e saj të jen optimale. Garancitë që miratojmë duhet të ekzistojnë në jetën e qytetarit, jo vetëm në faqet e Fletores Zyrtare. Kjo është edhe domethënia europiane që ka kjo paketë.
Bashkimi Europian është standardi me të cilin sillet shteti kur përballë ka një njeri të vetëm, në një komisariat, në një prokurori apo në një sallë gjyqi, aty ku s’ka kamera, aty ku s’ka publik dhe aty ku faktikisht matet barazia përpara ligjit jo vetëm mes atyre që thirren, por edhe mes atyre dhe vetë përfaqësuesve të shtetit ligjor.
Reforma në Drejtësi i dha Shqipërisë një drejtësi që nuk ka frikë nga fajtori. Kjo paketë synon që drejtësia të mos frikësojë të pafajshmin.
Në vitin 2016 nisëm t’i jepnim fund kulturës së pandëshkueshmërisë. Në vitin 2026 duhet të nisim t’i japim fund edhe kulturës së paraburgimit si përgjigje automatike; të hetimit pa afat, si ushtrim force arbitrare mbi individin dhe të procesit ku qytetari hyn si i pa barabartë. Deviza jonë e përbashkët në këtë sfidë që është në rradhë të parë kulturore duhet të jetë: Barazia para ligjit nuk vlen vetëm për individët përballë gjykatës, por edhe për shtetin përballë individit në sallën e gjyqit. Forca e shtetit nuk duket nga lehtësia me të cilën vendos prangat. Ajo duket nga rreptësia me të cilën ai arsyeton çdo orë lirie që i merr një njeriu.
Një drejtësi që thotë: ‘’më mirë një fajtor jashtë se sa një i pafajshëm brenda”, nuk është më e dobët, po më e fortë, më e drejtë, më e besueshme dhe më europiane.
Në fjalët e fundit të këtij fjalimi dua të shpreh edhe njëherë mirënjohjen time të sinqertë për bashkautorët e kësaj pakete, të cilët i dhanë kësaj pakete dijen, përvojën dhe durimin e tyre.
Dua të falënderoj edhe njëherë Këshillin e Europës, Drejtorin e Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Shtetin e së Drejtës, Gianluca Esposito, si edhe ekspertët dhe ekipin e tij, të cilët garantuan që projekti të zhvillohet brenda perimetrit të Konventës Europiane dhe të të gjitha të standardeve të Bashkimit Europian.
Dua të falënderoj ministritë e Drejtësisë të Italisë e të Francës, patjetër Ministrinë tonë të Drejtësisë padyshim, si edhe juristët shqiptarë të sekretariatit teknik, të cilët koordinuan një punë të jashtëzakonshme për nga vëllimi dhe përgjegjësia, ku dua të veçoj drejtuesen e sekretariatit, Etilda Gjonajn; profesionalizmi, përvoja e mbi të gjitha disiplina e saj e paqortueshme e punës, garantuan suksesin e një misioni kaq sfidues ku duheshin bërë bashkë nga fillimi deri në fund, 19 akademikë dhe magjistratë të huaj. Ata të gjithë e kanë kryer pjesën e tyre.
Tani është radha jonë ta kthejmë këtë punë në ligj dhe pastaj ligjin në një garanci të përditshme për qytetarin”.











