Në emisionin ‘Repolitix’ të gazetarit Denis Minga në Report Tv, u diskutua për Kuvendet e PD, teksa na ndajnë 11 ditë nga ai i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Të ftuarit, Arben Meçe, Gent Malko, Bledian Koka dhe Ibsen Elezi diskutuan edhe për akuzat që Berisha ka ngritur ndaj Bashës për dosjen e lobimit rus dhe për çështjen ‘Toyota Yaris’. Opinionistët u shprehën se të dyja palët i kanë ngritur stekat e sulmeve ditët e fundit ndërsa mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë.
Opinionisti Arben Meçe theksoi se për këto ngjarje, një e vërtetë e cila nuk thuhet në kohën e duhur, nuk është më një e vërtetë. Ai shtoi se akuzat e palëve janë për të krijuar besueshmërinë e kësaj lufte.
“Si drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar. Hedhja e kësaj teze nuk lidhet me fajin që ka bërë Basha. Përpara gijotinës e kemi vënë ne Bashën me këto teza. I kemi thënë në kohën e duhur. Ato që po thonë janë të vërteta sepse i kemi thënë ne dhe në kohën e duhur. Janë të vërteta, por nuk po i thonë në kohën e duhur. Dëmi që po vjen s’është parimor, është një luftë për një pushtet të poshtër brenda Partisë Demokratike. Qëllimi i Berishës është të marrë Partinë Demokratike. Gjithë kjo luftë ka pasur vetëm një synim. Për veten e tij Berisha djeg çdo gjë, më 21 janar vrau katër veta, në vitin 1997 dogji Shqipërinë. Në të gjitha rastet parimi ka qenë që mbi interesat e mia nuk vë asgjë.”-tha Meçe.
Ish-anëtari i kryesisë së PD, Gent Malko, tha se Berisha po i vë disa akuza përballë Bashës por synon t’ju çojë një mesazh atyre që e mbështesin.
“Rama i ka dhënë një mundësi Bashës, i ka faluar një lojtar, del Alibeaj dhe kërkon dekomunistizimit. Kanë kaq kohë që e thonë, tranzicioni politik që duhet të mbyllet. Ata mendojnë se pikë e dobët e Berishës është e shkuara e tij ish-komuniste, mendojnë se do e godasin këtu. Berisha nuk po godet Bashën, por po jep mesazhe. Nëse Berisha e ka ditur punën e lobimit rus dhe ‘Toyota Yaris’, po të donte dhe nuk priste momentin e tanishëm, mund t’i nxirrte para 1 muaji. Nuk po godet Bashën se Bashën ai e ka një kundërshtar që e eleminon politikisht në sekond. Mesazhin po ja jep atyre që mbështesin Bashën. Ky njeri si politikan, ky lojtari juaj, mund të eleminohet se kam prova e fakte. Meqë erdhi Kuvendi i datës 11, palët po i bëjnë presion njëri-tjetrit deri në këtë nivel.”-tha Malko.
Ndërsa ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Ibsen Elezi tha se e sheh totalisht ndryshe situatën.
“Mund të merresh me Toyota Yaris, kur një njeri si Basha ka shkatërruar Partinë Demokratike? Berisha është lojtar i vjetër dhe i fortë. Kur ne i thonim t’i je i hequr teknikisht nga PD, thoshte me datë 10 se nuk e ka ditur se do ta heqin. Toyota Yaris, të hapësh një akuzë të tillë që hap diskutime dhe nuk dalin efiçente. Në lidhje me lobimin rus Berisha e ka pas në vitin 2018 dhe ka pas informacion. Ka informacion se është i implikuar. Krijohet një bindje dhe Berisha e ka pranuar që ekziston një dosje. Berisha ka marrë përsipër për të larguar Bashën, pse merresh me Toyota Yaris. Ky është i kapur me krim në dorë, me fakte, çfarë s’ka bërë në PD. Kërkon rregulla kur i ka thyer të gjitha rregullat.”-tha ai…./m.j











