Teksa dita agon, qindra burra mblidhen në një shesh me pluhur në Chaghcharan, që është kryeqyteti i provincës Ghor në Afganistan.
Në një reportazh të publikuar nga BBC, thuhet se ata rreshtohen buzë rrugës me shpresën se dikush do të vijë t’u ofrojë çfarëdo pune. Nga kjo varet nëse familjet e tyre do të hanë atë ditë.
Megjithatë, gjasat për sukses janë të pakta.
45-vjeçari Juma Khan ka gjetur vetëm tre ditë punë gjatë gjashtë javëve të fundit, me pagesë nga 150 deri në 200 afganë në ditë.
“Fëmijët e mi ranë në gjumë të uritur tri net radhazi. Gruaja ime qante, po ashtu edhe fëmijët. Prandaj iu luta një fqinji të më jepte pak para për të blerë miell”, thotë ai. “Jetoj me frikën se fëmijët e mi do të vdesin nga uria.”

Historia e tij nuk është aspak e rrallë. Sipas OKB-së, sot në Afganistan, tre në katër persona nuk arrijnë të plotësojnë nevojat bazë. Papunësia është e përhapur, sistemi shëndetësor po vuan dhe ndihma që dikur siguronte bazat për miliona njerëz është reduktuar në një pjesë të vogël të asaj që ishte dikur.
Vendi po përballet tani me nivele rekord urie, me 4.7 milionë njerëz, më shumë se një e dhjeta e popullsisë së Afganistanit, që vlerësohet se janë vetëm një hap larg urisë ekstreme.
Ghor është një nga provincat më të goditura.
Burrat këtu janë të dëshpëruar.
“Mora një telefonatë ku më thanë se fëmijët e mi nuk kishin ngrënë prej dy ditësh”, thotë Rabani me zërin që i dridhet.
“Mendova se duhej të vrisja veten. Por pastaj mendova: si do ta ndihmonte kjo familjen time? Kështu që jam këtu duke kërkuar punë.”
Khwaja Ahmad mezi arrin të thotë disa fjalë para se të shpërthejë në lot.
“Po vdesim nga uria. Fëmijët e mi më të mëdhenj vdiqën, ndaj duhet të punoj për të ushqyer familjen. Por jam plakur dhe askush nuk do të më japë punë”, thotë ai.

Kur hapet një furrë buke pranë sheshit, pronari shpërndan bukë të ndenjur mes turmës. Brenda sekondash, bukët janë copëtuar, ndërsa një tufë me burra kapen pas copave të çmuara.
Papritur krijohet një tjetër rrëmujë. Një burrë me motor vjen për të punësuar një punëtor që të mbajë tulla. Dhjetëra burra hidhen drejt tij.
Në dy orët që gazetarët qëndruan aty, vetëm tre burra u punësuan.
Në komunitetet përreth, ku ka shtëpi të zhveshura të shpërndara mbi kodra të thata ngjyrë kafe, përballë majave me dëborë të vargmalit Siah Koh, ndikimi shkatërrues i papunësisë është i qartë.
Abdul Rashid Azimi na çon në shtëpinë e tij dhe nxjerr dy nga fëmijët e tij, binjaket shtatëvjeçare Roqia dhe Rohila. Ai i mban pranë vetes, i etur për të shpjeguar pse po bën zgjedhje të padurueshme.
“Jam i gatshëm t’i shes vajzat e mia”, qan ai. “Jam i varfër, i zhytur në borxhe dhe i pafuqishëm.”
“Kthehem në shtëpi nga puna me buzë të thata, i uritur, i etur, i dëshpëruar dhe i hutuar. Fëmijët më thonë: ‘Baba, na jep pak bukë’. Por çfarë mund t’u jap? Ku është puna?”
Ai përqafon Rohilën dhe e puth ndërsa qan.
“Më copëtohet zemra, por është e vetmja mënyrë për të ushqyer fëmijët e tjerë.”
“Gjithçka që kemi për të ngrënë është bukë dhe ujë i nxehtë, as çaj nuk kemi”, thotë nëna e tyre, Kayhan.
Dy nga djemtë e saj adoleshentë punojnë duke lustruar këpucë në qendër të qytetit. Një tjetër mbledh mbeturina, të cilat Kayhan i përdor si lëndë djegëse për gatim.

Saeed Ahmad tregon se tashmë është detyruar të shesë vajzën e tij pesëvjeçare, Shaiqa, pasi ajo u sëmur me apandesit dhe kishte një kist në mëlçi.
“Nuk kisha para për të paguar shpenzimet mjekësore. Kështu që e shita vajzën time te një i afërm”, thotë ai.
Operacioni i Shaiqa-s rezultoi i suksesshëm. Paratë për të (rreth 3 mijë e 200 dollarë) erdhën nga ata tek të cilët, ajo është shitur.
“Nëse do ta kisha marrë të gjithë shumën atëherë, ai do ta kishte marrë menjëherë vajzën. Kështu që i thashë: më jep tani aq sa duhet për trajtimin e saj dhe pjesën tjetër ma jep gjatë pesë viteve të ardhshme, pastaj mund ta marrësh”, shpjegon Saeed.
Vajza i hedh krahët e vegjël rreth qafës së tij. Lidhja e tyre e fortë duket qartë, por pas pesë vitesh ajo do të duhet të largohet e të jetojë në shtëpinë e të afërmit.
“Nëse do të kisha para, nuk do ta kisha marrë kurrë këtë vendim”, thotë Saeed.
“Por mendova: po sikur të vdesë pa operacionin? Të paktën kështu ajo do të jetojë.” Vetëm dy vite më parë, Saeed merrte ndihmë.
Asokohe ai dhe familja e tij, si miliona afganë të tjerë, merrnin ndihma ushqimore: miell, vaj gatimi, thjerrëza dhe suplemente për fëmijët.
Por shkurtimet masive të ndihmave gjatë viteve të fundit kanë privuar shumicën dërrmuese nga kjo ndihmë jetike.
SHBA-të që dikur kanë qenë donatorët më të mëdhenj të Afganistanit, ndërpreu pothuajse të gjithë ndihmën vitin e kaluar. Edhe shumë donatorë të tjerë kryesorë, përfshirë Britaninë e Madhe, kanë ulur ndjeshëm kontributet. Sipas shifrave aktuale të OKB-së, ndihma e marrë deri tani këtë vit është 70% më e ulët se në vitin 2025.
Thatësira e rëndë që ka prekur më shumë se gjysmën e provincave të vendit, po i përkeqëson problemet.
“Nuk kemi marrë ndihmë nga askush, as nga qeveria, as nga OJQ-të”, thotë banori Abdul Malik.
Qeveria talebane, e cila mori pushtetin në vitin 2021, fajëson gjithashtu administratën e mëparshme të Afganistanit, e rrëzuar pasi forcat e huaja u tërhoqën nga vendi.
“Gjatë 20 viteve të pushtimit u krijua një ekonomi artificiale për shkak të fluksit të dollarëve amerikanë”, i tha BBC-së Hamdullah Fitrat, zëvendëszëdhënës i qeverisë talebane.
“Pas përfundimit të pushtimit, trashëguam varfëri, vështirësi, papunësi dhe probleme të tjera.”
Megjithatë, politikat e vetë talebanëve, sidomos kufizimet ndaj grave, janë gjithashtu një arsye kryesore pse donatorët po largohen.
Kur u pyetën, talebanët hodhën poshtë çdo përgjegjësi për largimin e donatorëve, duke deklaruar se “ndihma humanitare nuk duhet të politizohet”.
Fitrat përmendi gjithashtu planet e talebanëve “për të ulur varfërinë dhe krijuar vende pune përmes projekteve të mëdha ekonomike”, duke përmendur disa projekte infrastrukture dhe minierash.
Por ndërsa projektet afatgjata mund të ndihmojnë një ditë, është e qartë se miliona njerëz nuk do të mbijetojnë pa ndihmë urgjente.
Si Mohammad Hashem, vajza 14-muajshe e të cilit vdiq pak javë më parë tregon: “Fëmija im vdiq nga uria dhe mungesa e ilaçeve… Kur një fëmijë është i sëmurë dhe i uritur, është e qartë se do të vdesë”.
Një i moshuar i zonës thotë se vdekshmëria e fëmijëve, kryesisht për shkak të kequshqyerjes, “është rritur shumë” gjatë dy viteve të fundit.
Këtu nuk ka regjistra zyrtarë të vdekjeve. Varrezat janë i vetmi vend ku mund të gjenden prova të shtimit të vdekjeve të fëmijëve. Në spitalin kryesor provincial në Chaghcharan, repartet e të porsalindurve janë më të mbushurat. Çdo krevat është plot, disa madje me dy foshnja.
Shumica janë nën peshë dhe shumë prej tyre kanë vështirësi të marrin frymë vetë.
Një infermiere sjell një krevat të vogël me binjake të porsalindura. Ato kanë lindur dy muaj para kohe. Njëra peshon 2 kilogramë, tjetra vetëm 1 kilogram.
Janë në gjendje kritike dhe u vendosën menjëherë në oksigjen.
Nëna e tyre, Shakila 22-vjeçare, po rikuperohet në maternitet.
“Ajo është e dobët sepse gjatë shtatzënisë mezi kishte çfarë të hante, vetëm bukë dhe çaj”, shpjegon gjyshja e binjakeve, Gulbadan. “Prandaj foshnjat janë në këtë gjendje.”
Pak orë pasi gazetarët u larguan nga spitali atë ditë, foshnja më e rëndë vdiq pa arritur të merrte as emër.
“Mjekët u përpoqën ta shpëtonin, por ajo vdiq”, thotë gjyshja e tronditur një ditë më pas. “E mbështolla trupin e saj të vogël dhe e çova në shtëpi. Kur nëna e saj e mori vesh, humbi ndjenjat.”
Duke treguar foshnjën tjetër që mbijetoi, ajo shton: “Shpresoj që të paktën kjo të mbijetojë.”

Infermierja Fatima Husseini thotë se ka ditë kur vdesin deri në tre foshnja.
“Në fillim e kisha shumë të vështirë kur shihja fëmijë që vdisnin. Por tani pothuajse është bërë normale për ne”, thotë ajo.
Dr. Muhammad Mosa Oldat, drejtues i repartit të maternitetit, thotë se shkalla e vdekshmërisë arrin deri në 10%, gjë që “nuk është e pranueshme”.
“Por për shkak të varfërisë, numri i pacientëve po rritet çdo ditë”, thotë ai. “Dhe ne nuk kemi burimet për t’i trajtuar siç duhet foshnjat.”

Në repartin e terapisë intensive pediatrike, foshnja gjashtëjavëshe Zameer vuan nga meningjiti dhe pneumonia. Të dyja sëmundjet janë të shërueshme, por mjekët duhet të bëjnë një rezonancë magnetike dhe spitali nuk ka pajisjet e duhura.
Por ndoshta gjëja më tronditëse që tregojnë mjekët është se spitali publik nuk ka ilaçe për shumicën e pacientëve dhe familjet duhet t’i blejnë vetë në farmaci private.
“Ndonjëherë, nëse mbeten ilaçe nga foshnjat e familjeve më të pasura, i përdorim për foshnjat, familjet e të cilave nuk kanë mundësi t’i blejnë”, thotë Fatima.
Mungesa e parave po i detyron shumë familje të marrin vendime të dhimbshme.
Mbesa e mbijetuar e Gulbadanit shtoi pak peshë dhe frymëmarrja iu stabilizua. Por disa ditë më vonë familja e mori në shtëpi, sepse nuk mund ta përballonte më qëndrimin në spital.
Edhe foshnja Zameer u mor në shtëpi nga prindërit për të njëjtën arsye. Tani trupat e tyre të vegjël do të duhet të luftojnë të vetëm për të mbijetuar.











