• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, August 13, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Dhjetë episode tragjikomike në Kuvendin e Shqipërisë

by Java News
19/12/2017 20:16
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Altin Ketro

Seanca e fundit parlamentare, që ishte edhe e fundit për vitin 2017, shpalosi edhe njëherë përpara shqiptarëve fytyrën e vërtetë të disa ligjvënësve të cilët nxorën në pah atë që në fakt janë edhe në jetën reale, por që shpeshherë e kamuflojnë nëpërmjet televizionit. Përpos pjesës që përbën grupin e “zjarrit” në PD, e cila është evidentuar me kohë, protagonistja e vërtetë e ditës së hënë u bë kryetarja e LSI-së. Shumëkush që nuk e njeh u çudit nga gjestet dhe fjalori, por për ata që e njohin ajo nuk ishte e gënjeshtërt, ishte thjesht vetvetja. Aty ajo shpalosi atë çdo bën kur xhindoset dhe se si sillet ndaj kujtdo që i del përpara kur është në orët e veta.

Po, cilat ishin momentet më pikante që lanë gjurmë në atë seancë dhe jashtë saj.

Episodi i I-rë qe kur deputeti Berisha u konfrontua me punonjësit e Gardës për të folur në foltoren e Kuvendit. Sipas asaj që u pa nëpërmjet TV, më rezultoi se në momentin që deputeti i PS, Taulant Balla, ishte duke folur për mbledhjen e fondeve për një spital fëmijësh në Kosovë, në sfond shfaqet Berisha duke u ngritur nga vendi i vet me drejtim foltoren. Kur ende deputeti Balla nuk e kishte përfunduar fjalën, Berisha u gjend pranë foltores. Sipas rregullores, deputeti pret sa të përfundojë fjalën deputeti që është në diskutim, merr leje dhe pasi kryetari i Kuvendit i thërret emrin, ai ngrihet dhe shkon tek foltorja. Duke qenë se kryetari Ruçi nuk ia përmendi emrin (Balla ishte ende duke folur), padyshim që shërbimi i sigurisë së Gardës mësyu pranë foltores për ta penguar Berishën të fliste. Kjo është tabloja e asaj që unë pashë nga TV. Të pretendosh se Rama urdhëroi gardistes që të pengonin Berishën të flasë është më shumë se qesharake, sepse nëse ka diçka që e telendis dhe diskrediton më shumë PD-së është momenti kur Berisha shfryn nga foltorja përroin e vet psikik.

Episodi i II-të kishte të bënte me mësymjen që tentoi turma të bënte në drejtim të Kuvendit. E nxitur nga deputetë të PD-së dhe LSI, turma duket se gjeti një të çarë nisur nga numri i pakët i forcave të rendit që ishin në atë pjesë ku ata tentuan. Fatmirësisht nuk u arrit qëllimi, por nëse flakadanët me tym nuk do ishin hedhur nga selia e PD-së por pikërisht aty ku u tentua çarja, padyshim që rrethimi do çahej  Unë nuk e di se çfarë synonin ata deputetë që e nxisnin turmën, por për analogji besoj se kishin ndërmend skenarin maqedonas. Vetëm se atje atë skenar e ideoi dhe e zbatoi qeveria e kohës (Gruevski) kundrejt opozitës së kohës (Zaevit). Unë di që ata që e lejuan atë situatë në Maqedoni sot janë në burg. Natyrisht që qeveria nuk mund ta lejonte të njëjtën situatë për veten e vet. Jo për gjë, por qeveria ka detyrim të mbrojë edhe jetën e deputetëve të opozitës. Turma nuk i njeh të 140 deputetët për fytyrë dhe kushedi se çfarë skenari ishte që ndonjë syresh prej deputetëve të shpallej edhe hero. Ore, po ç’dreqin ishin ca tipa me kapuçë dhe maska prej halloueni në fytyrë aty mes protestuesve?

Episodi i III-të ishte pretendimi i opozitës se policia ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve. Me sa u pa nga pamjet televizive, policia nuk kishte kurrfarë mjetesh dhune si p.sh shkop gome. E vetmja gjë që u pa ishin lufta trup më trup për të shtyrë turmën sa më larg territorit të Kuvendit. Të përdorësh vetëm forcën trupore të kthyer në mur për të prapsur turmën dhe këtë ta quash dhunë, ata qofshin për konceptin që paskan për dhunën.

Episodi i IV-t kishte të bënte me pretendimin e deputetes së LSI-së, Kërpaçi, se ndaj saj ishte ushtruar dhunë policore duke e tërhequr zvarrë dhe si pasojë ajo ishte gjakosur në dorë. Deputetja rioshe nuk na sqaroi se cila ishte forma e tërheqjes zvarrë. Meqë qenka gjakosur në dorë, i bie që tërheqja është bërë nga këmbët dhe duart i kanë prekur tokën nga ku dhe është lënduar. Në rast se është tërhequr nga duart, vështirë të të dalë gjak nga prekja dorë më dorë. Megjithatë deputetja nuk na solli asnjë dëshmitar okular të na e tregonte si ngjarje dhe as vetë nuk u thellua. Situata bëhet më dramatike kur deputetja del në mbrëmje në emision televiziv me dorë të fashuar. Por deputeten e tradhtojnë pamjet televizive në Kuvend teksa ajo shihet të përleshet me kryetarin e komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, për t’i rrëmbyer kartën elektronike, pikërisht me atë dorë që ajo pretendon se e kishte të lënduar. Për të qenë më korrekt, deputeti Manja fillimisht ishte duke u përleshur dorë më dorë me kryetaren e LSI-së, ku njëri mbronte kartën e tjetra tentonte rrëmbimin. Në këtë moment afrohet vrullshëm deputetja Kërpaçi për të shfrytëzuar momentin që deputeti Manja po përballej me Kryemadhin, por edhe ajo nuk ia arriti qëllimit. Me një fjalë, dora e lënduar dhe e përgjakur, befas ishte shëruar kur vjen puna për të kryer prapësira.

Episodi i V-të kishte të bënte me rrëmbimin e kartave elektronike të deputetëve socialistë që bëri kryetarja e LSI-së. Pamjet televizive na tregojnë se si një skuth, ajo u shkon të gjithëve prapa shpine e ua heq nga aparatura me qëllim për t’i penguar të ushtrojnë të drejtën kushtetuese të shprehjes së vullnetit me votë.

Episodi i VI-të ka të bëjë me momentin kur deputetët e PD-së hedhin në sallë tymuese. Nuk është ndonjë risi, sepse është skenë e kopjuar nga deputetë e VV në Kosovë. Ata e bënë në kushtet kur bëhej fjalë për çështje kombëtare siç janë territoret kosovare. Unë nuk di që në seancën e së hënës po i faleshin 320km2 vijë detare Greqisë që të përligjet ajo situatë. Në rast se deputetët e PD-së kanë dyshime për kushtetutshmërinë e vendimmarrjes për kryeprokuroren, le t’i drejtohen gjykatës Kushtetuese, siç iu drejtua PS-ja për çështjen e detit.

Episodi i VII-të është edhe momenti më i rëndësishëm i ditës, ai kur kryetarja e LSI-në na u konvertua në burrneshë sipas folkloristëve të partisë së saj. Nga pamjet televizive duket që i gjithë grupi i “zjarrit” i PD-së që kishte mësyrë foltoren nuk pipëtiu përgjatë gjithë kohës që Kryetarja e LSI-së godiste me sende, shante dhe ofendonte kryeministrin Rama. Salla në ato momente ishte e gjitha nën “pushtetin” e ulërimave të saj. Duke qenë se Kryemadhi e akuzon shpesh kryeministrin si psikopat, ka besuar deri në çastet e fundit se Rama do t’i kundërpërgjigjej me të njëjtën monedhë, pra me sende apo fjalë në kushtet e reciprocitetit. Besoj se agresoren e ka tërbuar qetësia olimpike me të cilën Rama përballoi çizmet, shishet me ujë, broshurat shumëfaqëshe, një pjesë e të cilave i kaluan fare pranë fytyrës dhe ai nuk lëvizi as qerpikun. Bile, në disa momente u pa që të largonte edhe gardistin me çadër nga mbrojtja që i ofronte.

Episodi i VIII-të vjen nga selia e LSI-së ku Kryemadhi shpall se kryeministria Rama është në gjak me rininë e LSI-së. Sipas zakoneve kanunore të të qenit në gjak, gjakmarrja duhet marrë ose ndaj vetë personit, ose në pamundësi ndaj tij, shkon tek pjesa mashkullore e familjes, fëmijë e vëllezër. Në Shqipëri gjakmarrja ka shkuar edhe te kushërinjtë e shtatë. Kjo gjuhë që vjen nga mentaliteti i Kanunit të Lekë Dukagjinit që duket se mbart e abdikuara prej funksionit të Zonjës së Parë, jo vetëm nuk e nderon forcën politikë që ajo përfaqëson, por fut në siklet edhe ushtruesin e detyrës së Presidentit të Republikës. Në rast se atij i bëhet mbarë dhe shkon të kryejë ndonjë pajtim gjaqesh, fjala e parë që do i thotë i interesuari është: Pa e parë me sy e pa e nigju me vesht e mi se jot shoqe e ka fal gjakun e thoit të deputetes, as mos tento me ma kërku mu me fal gjakun e atij që m’ka vra babën.

Episodi i IX-të ka të bëjë po me normat zakonore ku Kryetarja e LSI-së u shpreh se deputeten 23 vjeçare e ka marr ajo në besë prej prindërve të saj. Në çast më shkoi mendja tek filmi “Nëntori i Dytë”, pikërisht te momenti kur Shpend Dragobia i thotë Lym Kepit që t’i lërë djalin e vogël që ta marrë ai me vete në Vlorë. Duke parë hezitimin e Lymit, Shpendi thotë: “Përgjigjem me kokën teme”. Në fakt, nuk është për t’u çuditur se përse militantët e rinj të LSI-së bëjnë kaq shumë për Monikën. Është kjo marrëdhënie në formë zakonore me besë a besë që tejkalon faktorin politik dhe kthehet në një lloj sekti i tipit fetar me besim të verbër tek lideri i cili u hap rrugën, ndriçon të ardhmen dhe përkujdeset për ta deri sa të piqen. Është një formë më moderne se sa forma më hermetike që aplikoi Berisha 1992-1997, ndonëse kjo lloj forme bie ndesh me frymën perëndimore të integrimit që shpërfaq LSI-ja.

Episodi i X-të dhe i fundit, është mbrëmja me emisionet politike ku një nga të ftuarat ishte edhe Monika. Besova se edhe nën sugjerimin e ndonjë këshilltari të mirë do bënte një lloj reflektimi për sa ndodhi gjatë paradites, ku, pa u tërhequr nga kauza që ajo beson, të shprehte një farë ndjese për këdo qytetar që nga ajo që u pa në TV nuk është ndjerë mirë si nga sjellja me hedhje sendesh e deri nga fjalori mashkullor që përdori. Jo që se bëri, por shkoi edhe më larg; u zotua që do bënte stërvitje me qëllim që krahu t’i hapej më fort e shënjestra të ishte precize. Kjo do të thotë se ajo kishte shkuar me paramendim në atë seancë për të goditur kryeministrin dhe asgjë nuk ndodhi në mënyrë të atypëratyshme. Pra, ka pasur një skenar të parapërgatitur ku secili kishte rolin e vet dhe mënyrën se si do të vepronte.

Si epilog, nuk mund ta mbyll veçse me shqetësimin se, përse shpërtheu ashtu një zonjë e cila mirë apo keq, e duam apo s’e duam, është pjesë e historisë së politikës së këtyre 27 viteve? A thua të jetë kushtetutshmëria e një votimi për të zgjedhur një prokuror të përkohshëm shkaku që ajo u acarua në ekstrem?! Më të lodhurin që të pyesësh se ç’përfaqëson ajo parti ta pret shkurt: është një SHPK me dy ortakë. Kjo SHPK nuk zhvillon drejtpërdrejt aktivitet ekonomik që të gjenerojë të ardhura. Po si funksionon, do të pyesë ndonjë që nuk i hyn shumë thellë mënyrave se si organizohen SHPK-të në politikë. Ju kujtohet që në burg ndodhen dy ish zyrtarë të lartë burgjesh që vidhnin në tender? Ju mendoni se ata vidhnin për vete? Hahaha! Jo mor jo, për vete mbanin thërrime se pjesën e luanit e merrte SHPK-ja për ta përdorur në fushatë. Po për autostradën Tiranë – Elbasan keni dëgjuar gjë? Po për dy rrëshqitje kodrash dini gjë? Po për 30 milionë euro shtesë që i kërkuan përpara zgjedhjeve dini gjë? Po për një auditim që zbulon se janë shpërdoruar miliona euro në atë rrugë dini gjë?  Po për të tjera dini gjë? Prisni se do t’i mësoni…

Next Post
David Luiz, mes interesave të Barcelonës dhe Realit

David Luiz, mes interesave të Barcelonës dhe Realit

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Federata merr vendimin, Superkupa e Spanjës do të luhet në Stamboll në vitin 2027!

Federata merr vendimin, Superkupa e Spanjës do të luhet në Stamboll në vitin 2027!

August 13, 2026
SHBA-të do ekzekutojnë 3 të dënuar me vdekje brenda ditës së sotme! Njëri prej tyre përdhunoi dhe vrau një vajzë 5-vjeçare

SHBA-të do ekzekutojnë 3 të dënuar me vdekje brenda ditës së sotme! Njëri prej tyre përdhunoi dhe vrau një vajzë 5-vjeçare

August 13, 2026
FOTO/ Shpërthen rafineria në portin e Roterdamit, një i vdekur dhe disa të plagosur! Dyshimet e para për shkakun

FOTO/ Shpërthen rafineria në portin e Roterdamit, një i vdekur dhe disa të plagosur! Dyshimet e para për shkakun

August 13, 2026
“Janë djegur rreth 20 hektarë”- Zjarri në 4 fshatra në juglindje të Tiranës, inspektori i APR: Shumica janë pyje, ka dëme edhe në ullishte e vreshta

“Janë djegur rreth 20 hektarë”- Zjarri në 4 fshatra në juglindje të Tiranës, inspektori i APR: Shumica janë pyje, ka dëme edhe në ullishte e vreshta

August 13, 2026
Zjarret në Evropë / Mijëra të evakuuar nga përhapja e flakëve në Itali, Francë dhe Spanjë

Piromanët i shpëtojnë drejtësisë, vetëm 18 fajtorë në 211 çështje! Shumica e dosjeve mbyllen pa prova

August 13, 2026
Situata e zjarreve në vend, ministri Nufi: Aksion pa ndërprerje nga toka e ajri, 274 forca dhe 5 mjete ajrore! Siguria e qytetarëve, prioritet

Situata e zjarreve në vend, ministri Nufi: Aksion pa ndërprerje nga toka e ajri, 274 forca dhe 5 mjete ajrore! Siguria e qytetarëve, prioritet

August 13, 2026
“Aplikoni për Rrjetin MIA”- Rama nis zbatimin e “Besës” në mandatin e katërt, thirrje të rinjve: Duam të dimë çfarë mund të bëhet më mirë nesër

“Aplikoni për Rrjetin MIA”- Rama nis zbatimin e “Besës” në mandatin e katërt, thirrje të rinjve: Duam të dimë çfarë mund të bëhet më mirë nesër

August 13, 2026
“Shqipëria drejt anëtarësimit final në BE”- Media ndërkombëtare: Unioni përballë provës më të fortë të zgjerimit dhe pa kthim pas!

“Shqipëria drejt anëtarësimit final në BE”- Media ndërkombëtare: Unioni përballë provës më të fortë të zgjerimit dhe pa kthim pas!

August 13, 2026
VIDEO/ Filmoi veten duke udhëtuar me 307 km/h, e pëson futbollisti në Angli, përfundon në qeli! (FOTO)

VIDEO/ Filmoi veten duke udhëtuar me 307 km/h, e pëson futbollisti në Angli, përfundon në qeli! (FOTO)

August 13, 2026
VIDEO/ Zjarri shkrumbon anijet turistike në Turqi, 115 personat në bord zhyten në det për të shpëtuar! Flakë e tym i zi, shikoni pamjet

VIDEO/ Zjarri shkrumbon anijet turistike në Turqi, 115 personat në bord zhyten në det për të shpëtuar! Flakë e tym i zi, shikoni pamjet

August 13, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com