Nga Ben Andoni
Leksiku, përcaktimet dhe dallimet që derdhen sot për demokracinë nuk kanë fund. E përdor protestuesi i zakonshëm i Flamingove, e përdor administrata e Ramës, e përdorin rëndom politikanët, e përdor vetë kryeministri dhe z.Berisha dhe gjithë shpura e tyre. Por kur mendon se për demokracinë flitej rëndom edhe në socializëm, atëherë njeriu ndalet pakëz. Fjalën Demokraci e përdorte dikur shpesh edhe vetë lideri komunist Enver Hoxha.
Gjithsesi, në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore (L2B), kur po frynte një fllad paqësie pas katrahurës së përbotshme, falë edhe shkollave të ndryshme të studimeve politike, perceptimet dhe interpretimet për demokracinë si rend qeverisës u shtuan shumë. Sot, ka kaq inflacion për këtë fjalë, saqë demokraci etiketojnë veten dhe shumë rende shtetërore që nuk lidhen me të. Në rastin e vendit tonë, tashmë “Protesta e Flamingove” e ka sjellë si alternativë brenda sloganit të “Shqipërisë së Re”, ku njerëzit besojnë se mjafton largimi i Ramës që ka qeverisur në katër mandate (tashmë gati duke e personalizuar shtetin me pushtetin e tij), si edhe vendosja e tij dhe Berishës në burg dhe, gjërat të ndryshojnë. Shqipëria mund të bëhet vërtetë demokratike!! “E duam Shqipërinë, si gjithë Evropa”, ishte slogani i viteve ’90, por që u harrua fillimisht nga ata që e shqiptonin më shumë. Naiviteti i sotëm i ngjason më shumë atyre të viteve të para së pas L2B ose asaj të muajve të para në kapërcyellin e Socializmit drejt Ekonomisë Liberale. Ishte koha që të gjithë besonin. Kishte ligje, kishte shtete me ndarje pushtetesh dhe kishte administrata që mbartnin objektiva.
Megjithatë shpjegimet më të mira për demokracinë, po vinë me realitetet tona. Dhe, është vërtetë interesant mënyra sesi politologët e kanë futur në hulli të kibernetikës edhe konceptin e demokracisë në vetvete. Në veprën e tyre themelore të vitit 1998 në fushën e shkencave politike, respektivisht trioja e njohur e politologëve (Richard Rose, William Mishler dhe Christian Haerpfer) të interesuar shumë për demokracinë në vendet ish komuniste, formuluan një leksik dhe një kuadër që t’i përshtatej kohës. Kjo nënkuptonte se institucionet dhe procedurat politike përbëjnë “hardware-in” (bash pjesën fizike/teknike) e një sistemi demokratik, kurse opinioni publik, kultura qytetare dhe sundimi i ligjit shërbejnë “software” (programi/sistemi operativ), atë që e mban dhe e zhvillon punën. Kur një vend miraton ligje demokratike (“software”), por i mungon infrastruktura shtetërore e qëndrueshme ose gjykatat për t’i mbështetur ato (“hardware”), sistemi pëson defekte derisa jep pasoja. Në librin e tyre të rëndësishëm të vitit 1998, “Demokracia dhe Alternativat e saj: Të kuptosh Shoqëritë Post-Komuniste” (“Democracy and Its Alternatives: Understanding Post-Communist Societies”), ata e shpjeguan me fakte idenë e tyre por edhe më shumë se kaq, thjeshtuan atë pjesë kaotike që na vret në Shqipëri për ditë, mungesën e institucioneve dhe përgatitjen e njerëzve.
Shqipëria është e mbushur me ligje të mira, por që janë gati të parealizueshme prej një administrate të paaftë dhe aspak empatike. Pasojat janë ato që lidhen me pronat dhe sidomos vetë sistemin e pareformuar të Drejtësisë, i cili e ka çuar tashmë stokun e dosjeve vetëm te Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm në shifrën alarmante prej rreth 48,000 deri në 50,000 dosje në pritje. Koha mesatare e pritjes për një çështje civile në këtë gjykatë kalon të 7 vitet, referohet në një analizë të Institutit për Studime Publike dhe Ligjore.
Në argumentin tonë, Shqipëria ka këtë korrupsion dhe problem politik sepse besimi te institucionet, drejtësia dhe pronësia nuk kanë qenë kurrë njëkohësisht në formën e tyre moderne. “Të kapim kohën e humbur”, shkroi në fund të komunizmit, mjeku Ylli Popa që do bëhej kryetar i Akademisë së Shkencave, po ne kurrë nuk e kapim. Më keq akoma, kur ra komunizmi, ne shkatërruam edhe atë version të dobët që kishim të kësaj triade. Gjatë gjithë historisë, shqiptarët i kanë përjetuar institucionet të lidhur veç me fuqinë e politikës. Periudha osmane e kishte të lidhur besimin vetëm me kreun e njësisë turke (Pasha, spahi etj.), që ishte në lokalitet; në kohën e Zogut gjithçka ishte e lidhur me shpurën e mbretit dhe klanet afër tij. Enver Hoxha e çoi në zgrip, pasi e ngriti institucioni politik të PPSH mbi shtetin. Kjo bënte që shqiptarët e pas viteve ’90 me shtet të fortë identifikonin, vetëm pushtetin e Berishës (që po e tregon edhe në ditët e fundit), të cilit i drejtoheshin për çdo gjë; Ramës sot (me pushtetin e tij të pamatë dhe gati identifikimin e tij me shtetin); me Nanon që drejtoi pak por që edhe brenda liberalizimit të tij i shikoje këto elementë në një formë apo tjetër. Ndërkohë që administrata, të paktën ajo që lidhet direkt me njerëzit, duhej të ishte e ftohtë, profesionale dhe neutrale ajo iu nënshtrua pushtetit dhe interesave të ngushta sesa shërbimit të publikut. E tillë është edhe sot, ndaj Rama nuk mund ta anashkalonte.
Sa i përket Drejtësisë, komunizmi këtu e shkatërroi me Luftën e pamëshirë të Klasave, kurse Drejtësia që suprimoi dhe avokaturën kishte si busull veç Kodeve Juridike dhe “mbështetjen nga Mësimet e Partisë”, gjë të cilën e manifestonte deri në sloganet brenda sallës gjyqësore. Dhe, s’mbaron këtu. Pas ‘90: Nuk bëmë Lustrimin e duhur dhe disa deputetë të legjislaturave kanë raportuar për kolegë të tyre spiunë, ndërkohë që partitë ende sot nuk i verifikojnë kandidatët e tyre. Kurse sa për pronat, ato janë të shoqëruara me paradokset pafund, ku një palë thotë “kthim te pronari i vjetër” dhe pastaj pala tjetër nxjerr “listat e legalizimeve” (për ata që kanë ndërtuar pa leje). Pretendohet se, një e treta e çështjeve në Gjykatën e Strasburgut kundër Shqipërisë kanë të bëjnë me pronën! Më shumë se për çdo vend tjetër në Evropë. Dhe kur nuk mund të garantosh pronën, nuk mund të garantosh as institucionin, pasi detyra e parë e institucionit është garantimi dhe shenjtëria e pronës. Dhe, kur prona rëndom nuk merret ose s’është e sigurt, ke nevojë për të fortin, mikun dhe sidomos partinë.
Ndaj, Shqiptari i Flamingove dhe ai tjetër që po rri në kafe këto kohë e pret një rendje e gjatë, ku rregullimi i këtyre çështjeve dhe korrupsioni do duan dekada të riparohen. Kuptohet, nëse shqiptari i shekullit XXI do zgjohej do e kuptonte sesa e vështirë është dhe sesa punë do duhet për një Shqipëri moderne. Të paktën, u kemi borxh të vërtetën shqiptarëve se jetojmë në një vend aspak normal. Software dhe hardware shqiptar në këto 35 vite na e tregojnë se kemi një rrugë të gjatë, pasi akoma s’ka servis për këtë shqetësim. Përtej maratonës të sfilitjes së përditshme, përmuajshme, vjetore…, na duhet ende udhë sepse Demokracia jonë është dhe me gjasa do mbetet pa hardware dhe software (Homo Albanicus)











