Është treguar i ashpër kësaj here deputeti socialist Ben Blushi kur e ka konsideruar PS të zhytur në një gjëndje kritike dhe të drejtuar sikur të ishte një konçension. Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar në selinë rozë, deputeti Blushi tha se PS ka 7 vjet që nuk bën zgjedhje, në kushtet kur edhe në kohën e Enver Hoxhës, vetë diktatori zgjidhej një herë në 4 vite. Për Ben Blushin situata është kritike e teksa muaji janar po ikën, i paralajmëruar si koha kur do të mbahej Kongresi, PS mbetet pa zgjedhje të brendshme.
“Janari mbaroi dhe s’ka Kongres. Edhe karnavalet e kanë një datë. Ky kongresi i PS u bë si kometë, nuk dihet kur do vijë kur do kalojë. PS është në një moment kritik sot. Duhet të ketë zgjedhje në PS. Koalicioni ynë nuk është stabël, reforma në drejtësi nuk po ecën.Kryetari që është edhe kryeministër është i vetmi në botë që ka mandat 7 vjeçar, po shkon drejt të përhershmit, edhe Merkel është zgjedhur para disa muajsh, zgjedhjet i fiton partia dhe të vë apo të heq mandatin, kjo normë nuk negociohet, është e panegociueshme në cdo sistem. Edhe në Partinë e punës mandatet ishin të kufizuara, Enveri zgjidhej cdo 4 vjet, formalisht por zgjidhej”- tha Blushi.









