Qytetarët dhe pacientët shqiptarë sot paguajnë më pak dhe marrin shërbim cilësor shëndetësor pranë qendrave të tyre të banimit, dhe kjo falë refomave të ndërmarra gjatë këtyre viteve nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë. Në kuadër të këtyre reformave, në 2017 plot 600 mijë qytetarë të cilët nuk derdhin kontribute do të përfitojnë barna me rimbursim ndërkohë që me mijëra mjekë dhe infermierë në te gjithë vendin do të përfitojnë rritje të pagës.
Në Ditën Botërore për angazhimin drejt vendosjes së Mbulimit Shëndetësor Universal, Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj, i shoqëruar edhe nga Drejtorja e Zyrës për Shqipërinë të OBSH-së për Rajonin e Evropës, Dr. Nazira Artykova, ka zhvilluar një vizitë pune në qytetin e Shkodrës ku ka folur edhe për nismat e ndërmarra përgjatë këtyre viteve për reformimin e sistemit shëndetësor, ndërsa është ndalur tek përfitimi i barnave të rimbursueshme edhe për 600 mijë qytetarë të pasiguruar. “Në 2013-ën, sistemi ynë mbulonte 2.3 milionë banorë, nga 2.9 që jemi në Shqipëri. Rreth 600 mijë me kontribute të drejtëpërdrejta, 1.7 milionë ishin me radhë, fëmijë, nxënës, studentë, pensionistë, persona me aftësi të kufizuar, invalidë, punëkërkues të papunë, familje në ndihmë ekonomike. 600 mijë vetë, përgjithësisht në moshë pune, ishin të pasiguruar. Aksesi i tyre tek rimbursimi i barnave vitin e ardhshëm, të paktën fondamentin e shërbimit pa pagesë, e kemi për të gjithë”, ka nënvizuar ministri i shëndetësisë.
Sipas tij, sot qytetarët marrin shërbim më të mirë shëndetësor si në spitale dhe poliklinika, por ajo çka është më e rëndësishme, është edhe vendi se ku do të ofrohet ky shërbim. Përveç kësaj, kreu i shëndetësië ka pohuar se sot çdokush mund të kryejë një vizitë te mjeku apo të kryjë ekzaminime pa paguar para.
“Mjeku i familjes falas për të gjithë. Po nëse mjeku i familjes dyshon që duhet të shkosh tek kardiologu, etj., etj., kushtonte ajo vizita tek kardiologu, 15 mijë lekë ishte. Po në qoftë se ai të thotë, kardiologu, duhet të bësh provën e biçikletës, 15 mijë lekë të tjera, nuk e bën se nuk të dhemb. Atëherë jo, thamë: I pasiguruar je? 1 mijë lekë. Dhe kjo ishte gjithë zinxhiri i plotë. Po prapë dhe kjo s’mjaftonte. Se mirë, ja doli që je i sëmurë do fillosh mjekimin, i pasiguruar do ta paguash. Prandaj vitin e ardhshëm e shtrimë rimbursimin tek të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri, të siguruar, të pasiguruar. Dhe edhe nëse një moment mund të duket jo e ndershme ndaj të siguruarit, ne kemi rënë dakort të paktën ne si forcë politike këtë kemi promovuar, koontribuojmë sipas mundësive, përfitojmë sipas nevojës”, ka pohuar ministri Beqaj.
Sipas tij, angazhimi në Programin e Qeverisë për vendosjen e sistemit të kujdesit shëndetëro me Mbulim Universal ka ecur më së miri edhe me keyrjen e “Check-Up”-it, ku një pjesë e mirë e qytetatëve kanë mundur të zbulojnë sëmundjet për të cilat nuk kishin djeni. “Nuk është “Check-Up”-i detyrimisht për të sëmurët kronikë, se ata janë të sëmurë kronikë, kanë një diagnozë, marrin barna etj., etj. Dhe sot, që kanë kaluar që nga prilli vjet kur kemi filluar në mënyrë të plotë, rreth 20 muaj, dhe fakti që ne na rezulton që burrat shqiptarë janë goxha mbipeshë, gratë shqiptare janë goxha obeze, kemi 4% diabet të pazbuluar, kemi gjysmën e njerëzve që janë me tension të lartë dhe nuk e dinë, kemi njerëz që janë me tension të lartë, po rezulton që mjekimi nuk është i përshtatshëm, tregon që ky program ja vlen”, theksoi ministri gjatë takimit në qytetin e Shkodrës.
Por edhe investimet e bëra në spitalet rajonale kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e ofrimit të shërbimit duke nisur nga hemodiaiza, kabinetet e kardiologjisë, skaner dhe rezonanca, etj. “Përmirësime janë bërë në të gjithë Shqipërinë, pikërisht këtë kanë ndihmuar zgjerimin e aksesit edhe ofrimin e cilësisë. Në Shkodër, çdo ditë bëhet një koronare. Jo vetëm që bëhet falas, se falas ishte dhe në Tiranë, po në Tiranë kishte radhë pritje më të gjatë, dhe minimalisht, edhe hallin e të sëmurin edhe të familjarit që duhet të lëvizë e kemi reduktuar. Rezonanca magnetike sot bëhet në Shkodër, deri para marsit, ose do të paguhej privatisht, ose do të shkoje në Tiranë, me një radhë pritje më të gjatë. Këto ditë, në spital lidhet kontrata edhe për furnizimin e protezave, besoj duhet të mbyllim edhe furnizimin e citostatikëve për 3-4 terapi bazë që kemi rënë dakort me shërbimin Onkologjik në Tiranë, që mund të fillojmë ta bëjmë edhe këtu atë pjesë të kimioterapisë. Është shumë e lodhshme, është shumë e mundimshme për të sëmurin, praktikisht, është një sëmundje që në një mënyrë ose një tjetër të gjithë ne na ka prekur një në rrethin familjar, e dimë sa e rëndë është nga ana njerëzore, plus që të shosh e të vish nga Shkodra një herë në tre javë e sikletshme është. Të paktën një shërbim bazë të mund ta ofrojmë këtu” theksoi ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Këtë vit një tjetër risi është edhe shpërblimi i mjekëve që kryjnë shërbime roje në pavijone të ndryshme si urgjenca, reanimacioni, etj.
###
Fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim:
Siç tashmë u prezantua, 12 Dhjetori është zgjedhur botërisht si dita ku demostrohet angazhimi për Mbulimin Shëndetësor Universal. Në një shprehje edhe më kuptimplotë: “Shëndet Për Të Gjithë”.
Në fakt, në prezantimin e videos që na u paraqit pak më parë, midis të tjerash, fillimisht dua të nisem nga dy momente. “State of health”, u tha aty, dhe “not only for sick people”, që do të thotë kemi detyrën të prokupohemi për shëndetin që kur jemi të shëndetshëm. Unë e kam thënë edhe herë të tjera, herën e parë publikisht jo në Shqipëri, me një dozë ndoshta edhe gjysëm humori, po mbas asaj, e them në mënyrë të prerë edhe të qartë: Unë paguhem për Ministër Shëndetësie, por nuk jam Ministër Shëndetësie. Unë jam Ministër Sëmundjesh.
Edhe ju vetë, – shumica për të mos thënë 99% e atyre që ndesheni përditë, janë njerëz të sëmurë në stad të avancuar, pastaj tek unë vijnë, o s’ka një mjekim, o s’ka mundësi të bëjë një ekzaminim, apo se s’mund të vendos një protezë, e kështu me radhë.
Sigurisht, edhe me këtë duhet të merremi sepse jeta e njeriut është e rëndësishme, kemi për detyrë të merremi me të, por gjithmonë e më tepër, duhet të fillojmë të merremi që kur jemi të shëndetshëm. Edhe për arsye të sfidave që kemi përpara. Pesha që zë popullsia mbi 6 vjeç, mbas 20 vitesh, në krahasim me sot do të dyfishohet. Pra, mbas 20 vjetësh, do kemi 2 herë më shumë popullsi se sa sot në moshën mbi 65 vjeç, ndërkohë që popullsia e vendit nuk do të ndryshojë.
Këto tre vjet e ca në shëndetësi, ju ma keni mësuar edhe multimorbilitetin, – se nuk e dija, s’kisha si ta dija më parë, – mbi 65 kanë një sëmundje të parë, pastaj fillon dhe e dyta, dhe e treta, e kështu me radhë. Tensioni i lartë sjell diabetin, diabeti veshkat, veshkat zemrën, edhe vazhdon ky rrethi (vicioz). Ndoshta, ne nuk jemi në gjendje ti shmangim sëmundjet, por kemi për detyrë që të punojnë që ato të vijnë sa më vonë, dhe ndoshta të vjnë dhe në një shkallë sa më të lehtë.
Dhe, për këtë arsye, që në Programin Elektoral, dhe pastaj edhe Qeverisës, vendosëm kontrollin bazë të shëndetësor, si një program, i cili ka për qëllim të vlerësojë rreziqet që i kanosen dikujt kur është ende i shëndetshëm. Nuk është “Check-Up”-i detyrimisht për të sëmurët kronikë, se ata janë të sëmurë kronikë, kanë një diagnose, marrin barna, etj., etj.
Dhe sot, që kanë kaluar, – që nga prilli vjet kur kemi filluar në mënyrë të plotë, – rreth 20 muaj, dhe fakti që ne na rezulton se burrat shqiptarë janë goxha mbipeshë, gratë shqiptare janë goxha obeze, kemi 4% diabet të pazbuluar, kemi gjysmën e njerëzve që janë me tension të lartë dhe nuk e dinë, kemi njerëz që janë me tension të lartë po rezulton që mjekimi i tyre nuk është i përshtatshëm, tregon që ky program ja vlen, jo vetëm në nivelin e nje pamje më të plotë epidemologjike të shqiptarëve, edhe rasti konkret sepse në “Check-Up”, ne vlerësojmë riskun, pastaj komunikojmë riskun, dhe pastaj, ajo që është e rëndësishme, duhet të menaxhojmë riskun. Dhe mbas programit bazë shëndetësor falas për këdo (që është) i siguruar, i pasiguruar, sigurisht, na duhet të merrnim hapat e mëtejshëm që po i ndërmarrim në vijim. Sepse, dakord, ka element risku për një 50-vjeçar që do të vizitohet më tej; po qe i pasiguruar duhet të paguajë. Ndërsa nuk i dhemb, do të jetë shumë e vështirë të shkojë te mjeku.
Atëherë, çfarë thamë?
Mjeku i familjes falas për të gjithë!
Po nëse mjeku i familjes dyshon që duhet të shkosh tek kardiologu, etj., etj., kushtonte ajo vizita tek kardiologu, 15 mijë lekë ishte. Po në qoftë se ai të thotë, kardiologu, duhet të bësh provën e biçikletës, 15 mijë lekë të tjera, nuk e bën se nuk të dhemb. Atëherë jo, thamë. I pasiguruar je? 1 mijë lekë. Dhe kjo ishte gjithë zinxhiri i plotë. Po prapë, dhe kjo s’mjaftonte. Se mirë, ja doli që je i sëmurë, do të fillosh mjekimin, i pasiguruar do ta paguash.
Prandaj, vitin e ardhshëm, e shtrimë rimbursimin tek të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri, të siguruar, të pasiguruar. Dhe, edhe nëse një moment mund të duket jo e ndershme ndaj të siguruarve, ne kemi rënë dakort, – të paktën ne si forcë politike këtë kemi promovuar, – koontribuojmë sipas mundësive, përfitojmë sipas nevojës!
Falas në kuptimin, “free at the point of delivery”, po sigurisht që ajo kushton!
Ti që ke nevojë, nuk nxjerr para nga xhepi në atë moment. Se, dhe me personin e siguruar nuk ka ndodhur ndonjëherë të themi ne, shiko, ti vërtetë ke kontribuuar, vjen e shtrohesh në spital, dhe ditë e 7-të të themi dil tani se kontributet që ke paguar ti, mbaruan. Kontributi nuk është llogari individuale kursimesh që pastaj shlyhesh-shlyhesh, dhe pasi të mbarojnë lekët, (të themi): ik tani bëj ça të duash. Kemi ne raste, më shumë në QSUT, na vijnë njerëz nga spitalet private, rrinë atje 5-6 ditë, pastaj thonë na mbaruan lekët, tani na dilni ju për zotë se ne kaq kishim.
Në 2013-ën sistemi jonë mbulonte 2.3 milionë banorë, nga 2.9 që jemi në Shqipëri. Rreth 600 mijë me kontribute të drejtëpërdrejta, 1.7 milionë ishin me radhë, fëmijë, nxënës, studentë, pensionistë, persona me aftësi të kufizuar, invalidë, punëkërkues të papunë, familje në ndihmë ekonomike. 600 mijë vetë, përgjithësisht në moshë pune, ishin të pasiguruar.
Aksesi i tyre tek rimbursimi i barnave vitin e ardhshëm, të paktën fondamentin e shërbimit pa pagesë e kemi për të gjithë. Fillimisht, si mbulim, sepse edhe kjo është e drejtë ligjore, po sigurisht, ka dhe dy elementë të tjerë shumë të rëndësishëm që bëjnë trekëndëshin e universalizmit. Është edhe Aksesi, është edhe Cilësia.
Sepse, mund të thonim ne, dakort vjen tek kardiologu në Shkodër, ai të thotë ke nevojë të bësh një biçikletë, shko në Tiranë, 7 muaj radha. Atëherë, prandaj e ngritëm kabinetin e kardiologjisë në spital, edhe me biçikletë, edhe me ECHO zemre, pastaj i shtuam dhe Holterin e zemrës dhe Holterin e tensionit. Sepse, në qoftë se thjesht kam të drejtën unë, po duhen 30 mijë lekë të shkoj e të vij në Tiranë, s’do të shkoj. Prandaj, e afruam këtu. Prandaj e hapën në spitalin e Shkodrës, dhe kur them në spital të Shkodrës, po e ilustroj meqë jemi këtu në Shkodër, po në të gjithë spitalet rajonale edhe kabinetin e Diabetit.
Nga 2013-ta në 2017-ën të mos jemi ne një sistem që mbulojmë vetëm 80% të shqiptarëve po mbulojmë 100% të shqiptarëve. Sepse, 600 mijë vetë me rimbursimin falas vitin e ardhshëm janë të mbuluar në fondament. Po pastaj, vjen dhe momenti i Cilësisë. Prandaj, kush e ka pare, kabineti i “Check-Up”-it, ka po atë standart si në Theth, edhe në Shkodër, edhe në mes të Tiranës, edhe në Gramsh, edhe në Pukë, edhe në Fushë-Arrëz edhe kudo. Edhe kabinetet mobile kanë po atë standard.
Sigurisht, tek pjesa e kapaciteteve të burimeve njerëzore, kjo është një sfidë që nuk mbaron kurrë. Një mjek më i ri, sa ka filluar, të gjithë ju keni qenë një ditë të parë, ditën e parë të punës, qoftë mjek, qoftë infermierë, kështu fillon. Por ama, unë besoj se sot një infermier në kabinet të “Check-Up”-it bën shumë më tepër mjekësi seç bënte një infermier në një Qendrër Shëndetësore që bënte vetëm plotësim letrash. Bile, sot ne, në këto kabinete me marrjen e gjakut me “vacutainer”, mund të jemi në një standard më të lartë edhe në spitale, dhe këtë cilësi e ofrojmë kudo në mënyrë të barabartë. Në mënyrë që çdo qytetar, pavarësisht se ku jeton nga pikëpamja e shëndetit, të trajtohet, të ndjehet njësoj.
Po dhe ata që janë larg, vetë distanca gjeografike kthehet në barrierë, se nga gjeografike kthehet financiare, diku kthehet dhe kulturore, sepse po të marrim “Check-Up”-in, minimalisht, si pjesmarrje raporti gra-burra është 61% me 39%, sikur të gjitha gratë të kishin ardhur bashkë me burrat për “Check-Up”, do të ishim goxha më mirë, se dhe në rast sëmundje, gratë e kanë barrën e të gjithë shtëpisë, jo vetëm të shëndetit të tyre.
Ky disproporcion është më i madh, nëse zgjerojmë grupmoshat. Nëse në grupmoshën 60-65, – se me këto 65-70 sa kemi filluar, është shpejtë si statistika, – 60-65 raporti është 55% gra, 45% burra. Në 40-45 zbret në, le të themi, 31% burra, 69% gra. Pra, burrat kryesisht në grupmoshën 40-50-vjeç, se kanë akoma ndjeshmërinë, ne s’kemi akoma të aftë të shkojmë në mënyrë më të shënjestruar tek ata.
Dhe pastaj, po për këtë vlerësim, gjykuan specialistët që në kontrollin bazë, me gjithë këtë infrastrukturë dhe logjistikë të ngritur, me gjithë këtë mbështetje laboratorike, duhet të shtonim edhe dy elementë për sëmundjet e veshkave, sepse edhe këto sëmundje kanë peshë të madhe, dhe vërtetë u tha këtu që kemi bërë përmirësime në hemodializë në Shkodër, se nuk e kemi bërë të re në fakt; ka qenë, po e kemi përmirësuar shumë më mirë, ka kushte më të mira, s’ka tre turne, po pak po diskutojmë çdo të bëjmë, që të mos përfundojnë të sëmurë për hemodializë. Merremi me të drejtë, ata e kanë 3 herë në javë, e kanë jetike, është e lodhshme, prandaj duhet vlerësuar në mënyrë më të plotë.
Ne kemi financuar 20 transplante veshke. 20 raste për këto 3 vjet kanë bërë transplant veshkash falas, dhe 20 sepse aq dhurues familjarë janë gjetur nuk është se kemi pas shtrëngesë financiare. Kemi njerëz në listë pritjeje, por duke qenë se në Shqipëri, dhurimi duhet të vijë nga njerëz të afër të familjes, deri aty kemi arritur të gjejmë kompatibilitet, edhe në rastet kur ka patur gatishmëri të familjarëve, por mospajtueshmëria e ka bërë atë që të mos realizohet dot. Dhe kushton shumë transplanti. Po s’kemi ndonjë diskutim ne, as në rrethe mjekësore jo më në shoqëri, çfarë të bëjmë që ta shtymë sa më shumë fillimin e kësaj sëmundje.
Dhe në këtë kontekst edhe veprime të tjera, hapa të tjera janë ndërmarrë sot në spitalin rajonal të Shkodrës, po përmirësime janë bërë në të gjithë Shqipërinë, pikërisht këto kanë ndihmuar zgjerimin e Aksesit edhe ofrimin eCilësisë. Në Shkodër, çdo ditë bëhet një koronare. Jo vetëm që bëhet falas, se falas ishte dhe në Tiranë, po në Tiranë kishte radhë pritje më të gjatë, dhe minimalisht, edhe hallin e të sëmurin edhe të familjarit që duhet të lëvizë e kemi reduktuar.
Rezonanca magnetike sot bëhet në Shkodër. Deri para marsit, o do të paguhej privatisht o do të shkoje në Tiranë, me një radhë pritjeje më të gjatë. Këto ditë, në spital lidhet kontrata edhe për furnizimin e protezave, besoj duhet të mbyllim edhe furnizimin e citostatikëve për 3-4 terapi bazë që kemi rënë dakort me shërbimin Onkologjik në Tiranë, që mund të fillojmë ta bëjmë edhe këtu atë pjesë të kimioterapisë. Është shumë e lodhshme, është shumë e mundimshme për të sëmurin. Praktikisht, është një sëmundje që në një mënyrë ose një tjetër, të gjithë ne na ka prekur një njeri në rrethin familjar, e dimë se sa e rëndë është nga ana njerëzore, plus që të shkosh e të vish nga Shkodra një herë në tre javë, e sikletshme është. Të paktën, një shërbim bazë të mund ta ofrojmë këtu.
Po, edhe shërbimi i urgjencës këtë ka pasur në fokus, përmirësimin e cilësisë së shërbimit sa më pranë, reduktimin e risqeve. Edhe me urgjencën verore, edhe me furnizimin më të mirë të Qendrave Shëndetësore në sezonin e dimrit, – se ky është viti i dytë apo i tretë, – edhe me një flotë të vendosur në territor në mënyrë më optimale. 1 ga 10-të urgjenca që vijnë në spital të Shkodrës, 1 vjen me autoambulancë, 9 vijnë vetë. Pse vijnë vetë?
E para sepse kanë perceptimin e përgjithshëm që autoambulanca nuk vjen. Po ti pyesësh njerëzit, nuk vjen thonë. E dyta, që në momentin e parë, edhe kur kanë një dhimbje të lehtë nisemi në spital se, të shohim gjejmë ndonjë derman. Kush punon në urgjencë të spitalit e di se gjysma e atyre, mund ta kishin zgjidhur problemin pa ardhur fare në spital. Dhe ne, me Qendrën Kombëtare të Komandës dhe Kontrollit të Urgjencës, – le të themi, triazhimin e parë do ta bëjmë që në telefon. Sepse, për më tepër sot kemi, dhe do kemi më shumë vitin e ardhshëm një bazë shumë më të mirë edhe të dhënash.
Midis të tjerash në video u fol edhe për informacion, kur u prezantua video. Kushdo e ka, po unë rezultatin e “Check-Up”-it tim e kam këtu (në telefon). Futem tek (portali) e-Albania dhe shoh “Check-Up”-in e fundit që kam bërë. Mund të jetë e vjetër EKG-ja që kam bërë në shkurt, po është një EKG që ja tregoj dikujt, një mjeku se kush ka qenë EKG-ja e shkurtit. Kam radhën në shkurt, do të kem atë tjetrën. Këtë regjistër të “Chech-Up”-it, edhe urgjenca mund ta aksesojë, dhe në qoftë se ne do ti themi në telefon, qendra e komandës, infermierë do jenë ata që do përgjigjen, do të marrë një familjar, dhe po ti kërkojë të paktën numrin e identitetit, minimalisht, po të ketë bërë “Check-Up” do të dalë “Check-Up” për “Check-Up”.
Fillojmë edhe në Shkodër, se e mbaruam në Durrës për një vit pilotimin e recetës elektronike. Nga janari-shkurti, çdo recetë e Shqipërisë do jetë në server. Po më dhe ID-në, numrin minimum do ta dijë, po të jesh i sëmurë kronik, çfarë barnash ke marrë.
Nuk po bëjmë ndonjë sforco. Regjistri i “Check-Up”-it ekziston, regjistri i recetave ekziston, se na duhet për punë tjetër, pse të mos e përdorim përderisa e kemi bërë investimin. Megjithatë, thelbi janë paratë. Pranë, edhe në qoftë se vitin e ardhshëm me buxhet do të kemi financimin e shëndetësisë publike në raport me PBB-në, nivelin më të lartë 2.95%, prapë nga më të ultit është në Europë, dhe më shumë duhet ta çojmë. Meqenëse është viti i katërt dhe përmbyll 4-vjeçarin qeverisës, bazën e mbulimit universal, duke bërë sa më prezente shërbimin në territor, pra duke pas dhe aksesin të ofrojmë për të gjithë 2.9 milionë banorët edhe parandalimin, edhe vizitën mjekun e familjes dhe sistemin e referimit edhe rimbursimin e barnave.
Sigurisht që, ata që përballeni përditë me njerëzit jeni ju. Jeni praktikisht pjesa më fondamentale e shërbimit, për fat të keq mbi ju vjen dhe kostoja më e madhe për mosfunksionimet që ka sistemi vetë, qoftë mosfurnizimi i vijueshëm, qoftë mosfunksionimi i vijueshëm i pajisjeve mjekësore. Pikërisht, për këtë arsye ne vlerësuam që vitin e ardhshëm midis politikave të pagave në shëndetësi të kishim diçka më të shënjestruar, përveç asaj bazës 10%, më shumë vlerësim, të paktën më të dinferencuar për shërbimin e rojës, për ata që punojnë në urgjencë dhe për ata që punojnë në reanimacion.
Pa dashur të polemizoj me ndjeshmërinë e personelit shëndetësor në Shkodër, lidhur me nevojat për të ndryshuar legjislacionin penal të gabimit mjekësor, ka një angazhim jo vetëm timin, por edhe të qeverisë, për më shumë se 2 muaj për ta riparë në themel Kodin Penal. Ka angazhim të qeverisë, sepse qeveria brenda dhjetorit, miraton një Kod të ri Penal, pra nuk bëhet fjalë vetëm për ta amenduar apo abroguar nenin 96. Është një proces që ka fillar prej disa muajsh.
Pashë atje Urdhrin e mjekëve, Këshillin e Shkodrës, propozimin unë nga Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë e kam marrë, edhe teksin konkret. Të gjithë mjekët ose infermierët janë ose nëpër urdhra prezentë, ashtu si Presidentët e Shoqatave të Profesionistëve i kanë bërë një letër edhe Presidentit, dhe Kryetarit të Kuvnedit dhe Kryeministrit. Mjekët në Shkodër mund të vazhdojnë ta shprehin kërkesën e tyre edhe në mënyrë të hapur, edhe me ndërprerje të punës, po dua të them që jemi të angazhuar për ta parë këtë proces sepse kemi konstatuar që ajo dispozitë është shumë e përgjithshme ndërkohë që vende të tjera në vite e kanë zhvilluar atë legjislacion duke e detajuar goxha më tepër. Tjetër është gabimi, tjetër është pakujdesia, tjetër është neglizhenca.
Dhe nuk besoj se është e nevojshme që ne të shpikim rrotën për çdo gjë në Shqipëri. Ka reforma të bëra në vitet e fundit edhe në vende të zhvilluara të cilat janë konsultuar dhe janë në vijmësi në ndjekje të prokupimeve që midis të tjerash qeveria ka edhe për këtë aspekt shumë të rëndësishëm që janë burimet njerëzore.
Nuk dua të zgjatem më shumë. Së pari faleminderit për punën e përditshme që bëni! Dua të falenderoj gjithashtu edhe zyrën e OBSH-së, e cila në vijimësi, ka qenë e gatshme të na ndihmojë dhe të na mbështesë në çdo lloj kërkese që ne kemi bërë, në aspekte të ndryshme që lidhen me kujdesin shëndetësor edhe me shërbimin Parësor, edhe me atë Spitalor, dhe me barnat, dhe me materialet mjekësore edhe me aspekte të tjera, dhe besoj se, meqënëse kemi hyrë në dhjetor, mund të jetë një moment për t’ju uruar edhe festat, shëndet dhe në familjet.