Nga Aziz Huq, Project Syndicate
A ka ndonjë mënyrë për të kuptuar qasjen e pazakontë të Presidentit amerikan Donald Trump ndaj qeverisjes? Rreth tri dekada më parë, ekonomisti Mancur Olson ofroi një kornizë përmes veprës së tij mbi origjinën e shteteve.
Duke bërë një dallim me banditëve “lëvizës” dhe atyre të “stacionarë,” Olsen shkruante se qeveritë krijohen kur banditët lëvizës vendosen në një vend të caktuar për të shfrytëzuar ata që janë më pranë tyre. Pasi stacionohen, ata mund të ndjekin njërën nga dy taktikat: të inkurajojnë aktivitetin ekonomik që më pas mund të taksohet, ose të zhvasin lirshëm. Mund t’i “qethësh delet” për shumë vite, siç mendohet të ketë thënë Perandori romak Tiberius, ose mund “t’i rrjepësh të gjalla” vetëm një herë.
Kjo zgjedhje kritike, shpjegon Olsen, varet nga vizioni ose myopia e udhëheqësve. Në mandatin e tij të dytë, Trump është i ndarë mes këtyre dy versioneve të shtetit, por tani duket se po fiton qasja “rripi të gjallë.”
Nuk kishte përse të qe kështu. Në nëntor të 2024-ës, Trump ishte pozicionuar mjaft mirë për të ndjekur rrugën tjetër. Sapo kishte fituar në zgjedhje duke kapur një numër rekord nga votuesit me ngjyrë dhe ata hispanikë. Sikur të kishte qeverisur si i moderuar pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë, ky koalicion që i dha fitoren mund të kishte mbetur në anën e tij, duke sjellë më pranë materializimit ëndrrën e strategut politik Karl Rove për një shumicë të përhershme republikane.
Por në vend të kësaj, Trump e pa fitoren si një çek të bardhë dhe avancoi një projekt politik maksimalist, duke përqafuar Projektin 2025 të Fondacionit “Hertiage”, ndërsa po flirton me idenë e një mandate të tretë dhe duke thyer premtimin e tij se nuk do të niste luftëra të reja. Tani ai është në minimumin historic të popullaritetit, edhe nëse i mban me një grusht të hekurt votuesit në primaret republikane.
Megjithatë çdo projekt afatgjatë që nuk gëzon mbështetje të gjerë, ka limite të dukshme. Ndërsa ato vijnë duke u qartësuar, Trump gjithnjë e më shpesh po priret drejt realizimit të synimeve afatshkurtra, praktikisht duke plaçkitur republikën për të pasuruar veten dhe aleatët.
Që të jemi të sinqertë, pasurimi i vetes ka qenë aty qysh në fillim. Sipas një përllogaritjeje, familja Trump ka përfituar më shumë se 4 miliardë dollar nga marrëveshje të dyshimta, duke shfrytëzuar mandatin e dytë presidencial. Megjithatë, shkalla e korrupsionit po rritet në 2026-ën. Konsideroni përpjekjen e vazhduar dhe të paprecedent për ta përjashtuar Trump-in dhe familjarët e tij të afërt përjetësisht nga taksat; ose rregullin “paguaj për të luajtur” për ata që duan falje presidenciale; apo faktin që Organizata Trump ka aktualisht dhjetë marrëveshje për projekte zhvillimi nëpër botë – dhe 22 të tjera në pritje – me partner strategjikë të SHBA-ve, si Katari dhe Arabia Saudite.
Ndërkaq, presidenti e ka braktisur projektin politik për një sundim të unifikuar Republikan. Ai e ka shfrytëzuar ndikimin e tij mbi votuesit në primare për të mbështetur kandidatë nën mesataren kundrejt atyre më të kualifikuar, thjesht sepse ata kanë shprehur besnikëri pa kushte ndaj tij. Kur u pyet për impaktin e luftës me Iranin në koston e jetesës së amerikanëve, Trump e bëri të qartë se nuk i bëhet vonë.
Si shpjegohet ky kapërcim nga vizioni afatgjatë tek ai afatshkurtër? Ndonëse korniza e Olsenit nuk na vjen shumë në ndihmë këtu, ka disa tipare dalluese të rendit kushtetues amerikan që mund të hedhin dritë në tundimin e parezistueshëm të mandatit të dytë për t’u zhytur në vetëpasurim. Tipari i parë lidhet me faktin se Trump ka kputuar që amendamenti i 22-të i kushtetutës realisht nuk e lejon një mandat të tretë. Këtë duket se e ka kuptuar vetëm së fundi dhe tani po ia ndjen pasojat.
Së dyti, ndryshimet e fundit në mjedisin ligjor bëjnë që të ketë edhe më pak gjasa që Trump ose aleatët e tij të ndëshkohen për korrupsionin e tyre. Vendimet e fundit të Gjykatës Supreme i kanë specifikuar aq shumë statutet federale ën lidhje me korrupsionin, sa janë bërë të panjohëshme, për të mos thënë që formalisht i imunizojnë presidentitët nga çdo hetim penal për shumicën e akteve të tyre “zyrtare.” Gjykata madje ka ndaluar edhe përdorimin në gjyqe penale të dokumenteve që tregojnë motivet e presidentit, duke minuar kështu çdo hetim të mundshëm në të ardhmen ndaj Shtëpisë së Bardhë për çështje korrupsioni, sado të dukshme qofshin ato.
Së treti, paaftësia e Kongresit për ta larguar Trump-in nga detyra ose për ta ndaluar të rikandidonte, pavarësisht dy proceseve të gjykimit ndaj tij në mandatin e parë, ishte një dënim me vdekje ndaj ilaçit të preferuar kundër korrupsionit të etërve themelues. Me gjithë humbjet e pritshme në zgjedhjet e mesit të mandatit, Republikanët do të kenë një numër të mjaftueshëm ulësesh në Senat për të anuluar çdo përpjekje për “impeachment.”
Këta faktorë ligjorë – disa të krijuar vetëm së fundmi – ofrojnë kushtet e nevojshme për transformimin e Trump-it në një bandit stacionar. Ato sugjerojnë gjithashtu se shkalla e ryshfetit të mundësuar nga Trump, me gjasë do të rritet teksa filozofia qeverisëse përqëndrohet tek afatet e shkurtra.
Konsideroni përpjekjen e kohëve të fundit të Prokurorit të Përgjithshëm në Detyrë, Todd Blanche, për të përjashtuar përgjithmonë nga taksat kompanitë e presidentit. Nëse Trump e arrin këtë, bizneset e tij do të kenë dorë të lirë për të shkelur ligjet e taksave dhe qeverisjes së mirë. Mund të presim shumë më tepër kontrata të tjera pa garë mes qeverisë dhe aleatëve të tij. Kontrata si marrëveshja 5-vjeçare me Palantir, e sapofirmosur me Pentagonin, do t’i kyçin administratat e ardhshme, pasi nuk mund t’i anulojnë pa prova se ka patur abuzim dhe mashtrim.
Mund të presim gjithashtu që administrata Trump të abuzojë fuqitë e veta rregulluese. Duke qenë se vendimet ekzekutive të Gjykatës Supreme i kanë dhënë bekimin e tyre kontrollit personal nga Trump ndaj rregullave, ai tani mund ta përdorë postin për të siguruar transferta nga kompanitë private tek aleatët e tij të parapëlqyer. Le të mos harrojmë që në marrëveshjet e saj me firmat ligjore që ishin të etura për të shmangur sanksionet, Shtëpia e Bardhë eksploroi idenë e mbajtjes së përfaqësimit ligjor falas për presidentin dhe ortakët e tij.
Të gjitha këto prirje tregojnë për një treg të hapur për favore presidencialë në formën e amnistive ose të pezullimeve rregullatore. E tillë duket edhe përpjekja e fundit e Shtëpisë së Bardhë për të marrë në kontroll dhënien e granteve federale, që do të korruptojë gjithçka, nga kërkimi shkencor te kopshtet publike për fëmijë. Faktor do të jetë politika, jo merita. Siç paralajmëronte Gjykatësi Ketanji Braun gjatë argumenteve gojore në çështjen për imunitetin e presidentit, Zyra Ovale është kthyer në “tryezën e aktivitetit kriminal.”
Por, vala në rritje e korrupsionit mund të sjellë në jetë edhe koalicione të reja politike, të afta për të implementuar reforma. Në Hungari, pakënaqësia publike ndaj korrupsionit i dha fund sundimit 16-vjeçar të Viktor Orbanit, shpirtit binjak të Trump për nga konservatorizmi. Kryeministri i ri, Petr Magyar po hap hetime parlamentare kundër korrupsionit dhe po pranon të punojë me organizatat antikorrupsion të BE-së. Ka pak shpresë në faktin që rritja haptas e kleptokracisë tek ne, mund të ketë të njëjtin efekt anësor të bashkimit të një opozite fraksionare. Por nëse kjo do të mjaftojë për të ringjallur llogaridhënien në Amerikë, mbetet për t’u parë.










