• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, December 30, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Ekonomi

ANALIZA/ Zhvillimet kryesore të vitit 2016 në sektorin ekonomik

by A R
31/12/2016 12:37
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga koncesioni i TVSH-së që nuk u bë kurrë, largimi i ministrit Cani, premtimi i pambajtur i faljes fiskale, shitja enigmatike e koncesionit të Rinasit, e deri tek ekonomia e kanabisit, cilat janë disa nga zhvillimet kryesore ekonomike të 2016-s…

2016-a ka qenë një vit dinamik, i shoqëruar me zhvillime të shumta ekonomike. Janari filloi me një situatë të rënduar të bizneseve, pas presionit të lartë në emër të luftës kundër informalitetit në katër muajt e fundit të vitit 2015. Gjithsesi, shfuqizimi i të ashtuquajturit ligji i supergjobave nga Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit 2015 ishte sinjali i parë pozitiv për sipërmarrjet, që ndikoi disi në shtensionimin e situatës.

Në fund të janarit, Ministria e Financave bëri publike nismën e ndërmarrë prej saj për një Partneritet Publik-Privat, në fushën e administrimit tatimor. Ministria pranoi se kishte marrë një propozim të pakërkuar nga kompania MPOS. Thelbi i propozimit ishte një platformë teknologjike, që zëvendëson dhe zgjeron sistemin aktual të deklarimeve fiskale, Nexus, me të cilin operohet prej disa vitesh në DPT dhe në të cilin kasat aktuale fiskale deklarojnë të dhënat ditore. Propozimi hapi shumë diskutime, jo vetëm lidhur me efektshmërinë e tij (raportin kosto-përfitime), por edhe dorëzimin e të dhënave kyçe tek privati. Ndonëse deri në fund të shkurtit pritej të shpallej tenderi për Partneritet Publik-Privat për platformën teknologjike që synonte përmirësimin e mbledhjes së TVSH-së, plani u la pezull pas ndërhyrjes së FMN-së, që kërkoi një analizë kosto-përfitime dhe tashmë që u mbyll 2016-a ky projekt është lënë në heshtje.

Në mes të shkurtit, kryeministri Edi Rama largoi nga detyra ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, duke emëruar në vend të tij Arben Ahmetaj, që deri në atë kohë mbante detyrën e ministrit të Ekonomisë. Largimi i ministrit Cani erdhi në një moment kur gjërat duket se kishin kthyer për mirë në financat e vendit. Pavarësisht agresivitetit të fillimit, biznesi duket se është shtruar dhe kultura fiskale po ndryshonte. Aksioni ndaj informalitetit u përqendrua te biznesi i madh dhe janari shënoi një rritje të ndjeshme të të ardhurave në buxhet me 25%.
Marsi dhe prilli ishin muajt kur bizneset e huaja shpërthyen në ankesa për klimën e rënduar për të investuar. Dhoma Amerikane, Dhoma Gjermane, Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri u ankuan për klimën e rënduar të investimeve, pasigurinë juridike me kontratat aktuale, mosfunksionimin e shtetit ligjor dhe korrupsionin. Në një anketim të publikuar në fillim të muajit prill, Dhoma Gjermane e renditi Shqipërinë ndër 20 vendet e Europës Qendrore dhe Lindore për të bërë biznes.

Në mars, kompania shtetërore e sigurimeve INSIG u shit, pas vite përpjekjesh të pasuksesshme për ta privatizuar atë. Blerësi, që e kreu pagesën në maj, ishte operatori tjetër shqiptar Eurosig, që ofroi 2.2 miliardë lekë, ndërsa ofertat e tjera ishin nga Kastrati dhe Albsig (joint venture) prej 1,5 miliardë lekë; Recovered Earth Technologies & Duraku sh.p.k. – me 2,15 miliardë lekë dhe Balfin sh.p.k me 1,65 miliardë lekë.

Në fund të gjysmës së parë të 2016-s, autoritetet ndryshuan tërësisht strategji me sipërmarrjet. Ministri i Financave u shfaq më bashkëpunues dhe u kërkoi shoqatave të biznesit të dërgonin paraprakisht mendimet e tyre për ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore. Indeksi i besimit të bizneseve, i matur nga Banka e Shqipërisë, filloi të përmirësohej, pasi në janar 2016 kishte arritur në nivelin më të ulët që nga tremujori i parë 2014.

Në korrik, ministri i financave Ahmetaj njoftoi me bujë një projekt për një falje të madhe fiskale. Ai parashikonte faljen e plotë të detyrimeve deri në vitin 2011 dhe pas këtij viti do të falej 30% e detyrimit dhe gjobat e kamatëvonesat për ata që paguanin pjesën tjetër prej 70% të detyrimeve. Por, ky premtim u zhbë shpejt, pasi nuk gjeti dakordësinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Aktualisht drafti i faljes është ende në proces, pasi është rishikuar disa herë dhe mund të kalojë vitin e ardhshëm. Sipas draftit të ri do të ketë falje për gjobat automatike të sistemit për deklarimin e sigurimeve, për mungesën e kasave, ndërsa vetëm detyrimet deri në 2010 mund të fshihen. Gjobat e vënë deri në 2014 do të fshihen vetëm nëse paguhet principali i plotë.

Në korrik, kompania kanadeze, që ka me koncesion Patos-Marinzën, fushën më të madhe naftëmbajtëse mbi tokë në Europë, Bankers Petroleum Ltd, njoftoi se ishte shitur te kinezët e Geo-Jade Petroleum Corporation. Pas disa vonesash, vetëm në shtator, kompania njoftoi se plani i propozuar i marrëveshjes me degët e Geo -Jade Petroleum Corporation mori miratimin e Administratës Shtetërore Kineze të Këmbimit Valutor.

Një tjetër shitje interesante, enigmatike dhe e komplikuar e këtij viti ishte ajo e koncesionit të Aeroportit të Rinasit. Që në mars të këtij viti, pothuajse njëkohësisht me ndryshimin e kontratës koncesionare me qeverinë (ku fitoi dhe dy vite të tjera shtesë) Tirana International Airport (TIA) kishte njoftuar se ishte në negociata për të shitur koncesionin te kompania kineze China Everbright. Autoriteti i Konkurrencës zbardhi edhe skemën e kompanive blerëse, ku blerësi direkt ishte Keen Dynamics Limited, i regjistruar në Ishujt Cayman, me xhiro zero me 2015, ndërsa China Everbright Limited ishte kompania mëmë dhe kishte një qarkullim vjetor prej 1.2 miliardë eurosh. Por, vetëm më 10 tetor, TIA njoftoi zyrtarisht se China Everbright Limited (CEL kodi i aksioneve në bursë: 165.HK), një kompani ndërkombëtare investimesh dhe menaxhimi të aseteve e vendosur në Hong Kong, kishte marrë në zotërim 100% të kapitalit aksioner të TIA-s. Por, në momentin që u bë regjistrimi i aksioneve në Qendrën Kombëtare të Biznesit në nëntor, pronari i vetëm ishte Real Fortress Private Limited, një kompani e krijuar dhe që rregullohet nga ligjet e Singaporit dhe sipas të dhënave në internet është krijuar më 22 qershor 2016 dhe e ka adresën në 2 SHENTON WAY #18-01 SGX CENTRE i SINGAPORE 068804, duke qenë një kompani offshore. Regjistrimi në QKB i dha fund pas shumë muajsh transaksionit për shitjen e kontratës koncesionare nga tre aksionerët Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”, DEG-Deutsche investitions-und Entwicklungsgesellschaft mbH” dhe (“AviAlliance GmbH”). Çmimi i shitjes së kuotave është 82.25 milionë euro, sipas kontratës zyrtare.

Zhvillimi më pozitiv i 2016-s ishte rritja e interesit të turistëve të huaj për Shqipërinë. Si asnjëherë më parë, vendi ka qenë në lajmet e mediave të huaja që reklamonin bukuritë e tij natyrore të pafundme, mikpritjen, ushqimin. Në kahun tjetër, pasiguritë që ofroi Turqia si pasojë e sulmeve terroriste dhe përpjekjes për grusht shteti këtë vit e kanë riorientuar ofertën turistike drejt rajonit tonë, ku përfituese është edhe Shqipëria. Hotelet e mëdha në zonat kryesore turistike në vend pohojnë se kanë mbyllur prenotimet për verën e 2017-s, teksa investitorë të rinj po tentojnë të kapin momentin dhe investimet në hotele po kthehen në tendencën e momentit.
Të dhënat flasin për një rritje me mbi 30% të hyrjeve të të huajve për qëllime turizmi në tremujorin e tretë të vitit, kur është edhe kulmi i sezonit.

Hashash 2Masivizimi i kanabisit

Masivizimi i kultivimit të hashashit është një tjetër dukuri e 2016-s. Një “biznes” në pamje të parë fitimprurës dhe që sjell një “cash” të shpejtë në ekonomi, por që në pak kohë pritet të japë pasoja shkatërruese për themelet ende të dobëta të ekonomisë shqiptare. Duke filluar që nga largimi i vëmendjes nga bujqësia, shtrembërimi i tregut të punës dhe te konfliktet sociale, kostot e kriminalizimit të mëtejshëm të ekonomisë me pastrimin e këtyre parave dhe deri rrezikun fatal të fuqizimit të grupeve kriminale, që kontrollojnë si kultivimin ashtu edhe tregtimin e tij.

Ndërsa fillimisht u trajtua vetëm si lajm kronike, kultivimi i tij tërhoqi shpejt vëmendjen e ekonomistëve, që paralajmëruan se masivizimi i kultivimit të hashashit nuk do t’i sjellë të mira ekonomisë, përkundrazi, do të rezultojë një investim varfërues dhe me shumë viktima. Ata bëjnë thirrje që kjo dukuri të marrë fund sa më shpejt, përndryshe pasojat afatgjatë do të jenë të mëdha. Ata nuk ngurruan as të heqin një paralele mes asaj që po ndodh tani dhe piramidave të ‘97-s.

“Në këndvështrimin afatgjatë, problemet bëhen më të rënda” ka pohuar prof. Arben Malaj, rektor i Universitetit Luarasi, ish-ministër i Financave dhe një njohës mjaft i mirë i ekonomisë. “Është hera e dytë pas 1997-s që shqiptarët investojnë masivisht në biznese kriminale, të cilat prodhojnë të ardhura të përkohshme, por me kosto të rënda sociale afatmesme dhe afatgjata. Pas pak viteve, kur të kthejmë kokën pas, investimi i parave dhe fuqisë punëtore në këtë aktivitet do të rezultojë një investim varfërues dhe me shumë viktima”.

Prof. Dr. Ardian Civici ka deklaruar se nuk mund të mendohet se e ardhmja e hapësirave rurale shqiptare do të jetë hashashi, sado “eficent” të jetë ai në këto momente. “Përvoja të ngjashme në vende të tjera të botës, sidomos në Azi dhe Amerikën Latine, dëshmojnë më së miri rreziqet dhe problemet e rënda ekonomike e sociale që prodhon një zgjedhje e tillë, një tendencë mjaft e vështirë të eliminohet apo të zhduket pa përpjekje e ndërhyrje drastike”, pohoi Civici.

Për prof. Selami Xhepën, zv/rektor për Shkencën dhe Metodologjinë në Universitetin Europian të Tiranës, kjo që po ndodh nuk duhet parë ngushtësisht në planin ekonomik, pasi implikimet e këtij fenomeni janë të njëjta me pasojat e ekonomisë kriminale; ato rrezikojnë të sotmen dhe të ardhmen e vendit. “Nuk ka ndonjë rast në histori që grupe sociale, siç janë fermerët, të jenë pasuruar duke kultivuar lëndë të tilla; janë pasuruar individë, grupe dhe organizata kriminale të cilat kanë kërcënuar demokracinë, shtetin ligjor dhe kanë mbajtur kombet në varfëri”, thotë Xhepa.
Në të njëjtën linjë është dhe Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike. “Për shkak të mënyrës se si funksionon tregu kriminal i kultivimit të kanabis sativa, një numër i kufizuar individësh me pushtet ose anash tij (pushtetit) grumbullojnë në duart e tyre të ardhura kriminale të konsiderueshme e për rrjedhojë, injektimi në ekonomi i një pjese të këtyre parave deformon me shpejtësi edhe tregjet e tjera”, tha Preçi./Monitor/a.m.

Next Post
Në kërkim për trafik emigrantësh, kapet në Kakavijë polakja 41-vjeçare

Statistikat nga pika kufitare e Kakavijës, 30 % emigrantë më pak erdhën për festën

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Biserko: Serbia vazhdon të mohojë krimet e luftës

Biserko: Serbia vazhdon të mohojë krimet e luftës

December 30, 2025
Qeveria vendos: 4595 punonjës të sistemit të burgjeve përfitojnë sigurimin e jetës dhe shëndetit për tre vite

Qeveria vendos: 4595 punonjës të sistemit të burgjeve përfitojnë sigurimin e jetës dhe shëndetit për tre vite

December 30, 2025
“Travel and Tour World”: Korça, destinacioni dimëror që magjeps turistët e huaj me atmosferën festive

“Travel and Tour World”: Korça, destinacioni dimëror që magjeps turistët e huaj me atmosferën festive

December 30, 2025
“Po veproni rrezikshëm”, sauditët kërcënojnë Emiratet: Largohuni nga Jemeni, keni 24 orë

“Po veproni rrezikshëm”, sauditët kërcënojnë Emiratet: Largohuni nga Jemeni, keni 24 orë

December 30, 2025
“Ke qejf të vetëshpallesh”/ Nga miq në rivalë, Stine përplaset me Mirin: Nuk pate shumë aksion, për disa gjëra nuk ka nevojë të…

“Ke qejf të vetëshpallesh”/ Nga miq në rivalë, Stine përplaset me Mirin: Nuk pate shumë aksion, për disa gjëra nuk ka nevojë të…

December 30, 2025
U përdhunua nga 70 vjeçari dhe mbeti shtatzënë, flasin familjarët e 12-vjeçares: E futëm në shtëpi! Drejtësia të bëjë punën… 

U përdhunua nga 70 vjeçari dhe mbeti shtatzënë, flasin familjarët e 12-vjeçares: E futëm në shtëpi! Drejtësia të bëjë punën… 

December 30, 2025
U zgjodhën deputetë më 11 Maj/ Qeveria liron nga detyra 3 zv.ministrat, Ilva Gjuzi, Ceno Klosi dhe Romina Kuko!

Shuma e kompensimit në bazë të të ardhurave/ Qeveria miraton paketë financiare shtesë, kategoritë që përfitojnë

December 30, 2025
Përdhunoi 12-vjeçaren, ky është 70-vjeçari që u arrestua nga policia e Pogradecit (EMRI-FOTO)

Përdhunoi 12-vjeçaren, ky është 70-vjeçari që u arrestua nga policia e Pogradecit (EMRI-FOTO)

December 30, 2025
Këshilli i Ministrave miraton projektligjin për vullnetarizëm, ja çfarë përfshin

VENDIMI/ Qeveria jep pensione speciale për artistë e sportistë të njohur (EMRAT)

December 30, 2025
“I bëre shqiptarët frikacakë”, plas debati në studio mes Qafokut dhe Lapajt: Dështuat në zgjedhje, nuk ia dolët

“I bëre shqiptarët frikacakë”, plas debati në studio mes Qafokut dhe Lapajt: Dështuat në zgjedhje, nuk ia dolët

December 30, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com