Frrok Çupi
Të paktën të kishin mësuar nga Santiago, plaku i përbotshëm i detit, që edhe pse në fantazi të Hemingueit nuk ia doli të sfidojë detin në luftën e tij 84 ditore në fund të jetës. Të gjithë i janë drejtuar detit për të marrë lavdi ose pushtet, por të gjitha luftërat me detin kanë dështuar. Qeveria shqiptare në vitin 2009 i hyri detit me këmbë dhe fillimisht siguroi një fitore të madhe, siç bën deti me viktimat që i tërheq e pastaj i mbyt. Qeveria fitoi pushtet, fitoi autokraci mbi popullin, lidhi Greqinë pas vetes ose Greqia e lidhi në interesa (nuk ka rëndësi); por… marrëveshja e detit u nënshkrua mes qeverisë së Tiranës dhe qeverisë së Athinës.
Vetë deti ishte ai që e hëngri fitoren e qeverisë së vitit 2009 e cila u bë ‘nul’ në Gjykatën Kushtetuese të vitit 2010.
Qeveria aktuale shqiptare, e cila për shkak të marrëveshjes së vdekur, ndodhet në ujërat e trazuara të një marrëveshjeje të imponuar me Greqinë, nëse do të mendojë se beteja me detin fitohet lehtë, atëherë ‘Poseidoni’ i fatit të kombit shqiptar do ta gjuajë me rrufe dhe marrëveshja do të vdesë. E di pse e them ‘fati i kombit shqiptar’?, jo për eufori patriotike, por për të vërtetën e kripur të detit: Marrëveshja detare me Greqinë është nënshkruar që në vitin 1925; janë bërë dhjetëra përpjekje për t’ i zhvatur territore kombit tonë…, por aq, nuk mundet më. Përpjekja e fundit për të grabitur territore të kombit u bë në vitin 2009 nga vetë qeveria shqiptare, por dështoi si Santiago.
Deti duket sikur i ka ndezur luftërat, por në fakt i ka larë.
1.
Tani po lahet lufta e fundit mes Turqisë e Greqisë.
Po të mos ishte kjo, ne do të ishim duke u marrë akoma me ndonjë idiotësi tjetër politike. Por Greqia sapo ka dalë nga kriza e rëndë financiare, qeveria e Mitsotakis ka lindur e korruptuar dhe i duhet një luftë. Turqia duket si delja e zezë për evropianët dhe mendohet se tani mund të zihet ngushtë; aferat me Sirinë e kanë lodhur; sulmi mbi Shën Sofinë ka ndezur patriotizmin e grekëve, etj.,etj. Por para se të nisen fregatat drejt brigjeve të Turqisë, Greqia ka zgjedhur të hapet këtej nga ujërat tona detare, meqë ‘ne shqiptarët folklorikë në politikë dhe të dobët’ si në vitin 2009, do t’ i themi ‘ja çinia, ja koka’.
Prej shumë vitesh mes Greqisë e Turqisë ka tension ‘këndezësh’, që askush nuk e ka kuptuar pse-në. Veçse grekët sa herë zhyten në jetë luksozë, tremben se ‘këta tanët nuk luftojnë nga dhjami, turqit na mundin se nuk kanë çfarë humbin’. Në këtë moment është ndezur edhe gjaku ‘sulltanik’ i turqve që kanë sjellë në kujtesë se Greqinë e urrejnë që nga dita kur shpalli pavarësinë në vitin 1821. Aleati i Erdogan deklaroi dje se ‘Greqia është bërë një tumor malinj që shqetëson turqit. Ky tumor ose do te shërohet (a është e mundur), ose do të çrrënjoset dhe hidhet poshtë’, tha ai.
Deti është vetëm preteksti për të mbyllur epokën.
2.
Lahet lufta e Dytë Botërore.
Mbi gjithë Evropën kaluan stuhitë e asaj lufte të egër; bënë ç’bënë, por hapësirat detare të kombit tonë nuk pësuan thyerje. Në vitin 1936 ishte bërë ndarja më e fundit, ku Greqia kishte marrë aq sa donte, 10 milje. Madje edhe pse fuqitë e mëdha e kufizuan në 6 milje, Greqia vazhdoi të njohë 10. Që atëherë, përveç bisedimeve në korridoret e kancelarive, nuk ka pasur debate nervoze mbi temën e deteve.
Edhe ngjarja tragjike e vitit 1946 në kanalin e Korfuzit, ku Tirana komuniste u akuzua dhe u dënua nga Gjykata Ndërkombëtare pse kishte vendosur mina ku u vranë 44 marinarë anglez, duket sikur është larë me këtë rast. Ka një alibi të çuditshme: Atëherë vetë qeveria greke kundërshtoi dhe tha se nuk kishte posedim në ato ujëra, të cilat sot na dalin se i përkasin Greqisë. Ka vdekur edhe Casus Belli, faktikisht.
3.
Me detin, qeveria shqiptare lau mëkatet ndaj Greqisë.
Kaq e thjeshtë është ajo vepra tradhtare që e quajnë ‘shitje e trojeve dhe e detit’. Po të ngjitesh lart në pushtet, sidomos në shoqëritë e dobëta, mund t’i shesësh tjetrit edhe magjen e bukës, se të hipën marrëzia në kokë. Qeveria e vitit 2009 iu dorëzua qeverisë së Greqisë në shenjë pardoni për krimin e kryer në vitin 1992 dhe që u quajt masakra e Peshkëpisë. Një komando esktremistësh grekë sulmuan postën shqiptare të Peshkëpisë dhe vranë dy ushtarakë. Qeveria shqiptare, në shenjë hakmarrjeje, burgosi katër liderët kryesorë të Omonias. Konflikti mes dy shteteve u ndez aq sa CIA kishte shkruar se ‘po fillonte konflikti ndërballkanik’. Pastaj po kjo qeveri, në trazirat e vitit 1997, që u quajt edhe luftë civile, akuzoi Greqinë se kishte nxitur dhe organizuar gjithë rebelimin në jug të vendit… Me rastin e detit, qeveria e Partisë Demokratike i kërkoi dorën e pajtimit Greqisë, me një dhuratë ‘të vogël’ ndër duar- rreth 354 kilometra katror hapësirë detare plus pasuritë.
4.
Djalli të sjell në pushtet
Djalli është tradhtia ndaj interesave të kombit. Një politikë e dobët e mirëpret pushtetin nga çfarëdo ‘Djall’ që të vijë. Me rastin e marrëveshjes së detit në vitin 2009, u kuptua gjithë makinacioni i ndërrimit të pushtetit në vitin 2005. Deri më sot ka mbetur si hije ajo që ndodhi në qershor 2005: Fatos Nano- socialist, i dorëzoi pushtetin Berishës- demokrat, qetë- qetë, edhe pse kishte fituar shumicë socialiste. Socialistët e Metës e morën mesazhin e ‘detit’ dhe u radhitën në ‘qeverinë e duhur’… Askush nuk e besonte se kjo mund të ndodhte akoma pa u shëruar plagët e luftërave të vitit 1997-98. Por ndodhi. ‘George Tenet kërcënoi Nanon që të lërë pushtetin’. Kjo është legjenda, që me sa duket qartësohet tani. Zoti Tenet ishte drejtor i CIA dhe me origjinë nga minoriteti grek në Shqipëri… Që ditën kur PD mori pushtetin nuk u përmend më as armiku i deriatëhershëm, greko- amerikani Nikolas Gage, që kishte lobuar për detin. Marrëveshja e detit e vitit 2009 nisi me garancitë për të ardhur në pushtet: Më jep pushtetin, të jap detin, varret e ushtarëve, pjesëmarrje në qeveri, heshtje para të drejtës së individit’. Ja, kjo! Akoma sot e përditë këta na vërtisin në sy rrezikun se ‘pushteti varet nga marrëveshja me të tjerët’. Partia Demokratike akuzon rivalin se ‘po shet detin për pushtet’, gjë që e ka provuar vetë. Maxhoranca duket se do të vihet nën presion që ta nënshkruajë marrëveshjen brenda ditësh. Për herë të parë në historinë e deteve, marrëveshja e viti 2009 u nënshkrua si marrëveshja për ‘gjelat e Baldushkut’, brenda vetëm një viti. Asnjë pazar nuk mbyllet pa marrë dielli, e jo më lufta e detit. Marrëveshja me Italinë na ka zgjatur 9 vjet; marrëveshja Rumani- Ukrainë ka zgjatur 6 vjet; marrëveshja e Amerikës me Meksikën rreth 120 vjet…
… Këtu i lan deti krimet ndaj kombit.