Nga Ardit Rada
Për të shpëtuar mijëra banorë të Leningradit, sovjetikët tentuan të përdorin kalimin përmes liqenit Ladoga. Përmasat e tij janë të tilla saqë sheh horizontin dhe jo bregun përtej. Teksa anijet e vjetra tejmbusheshin me qytetarë, kaosi por edhe lajmet e keqija që vinin nga fronti me gjermanët e bënin situatën gjithnjë e më tepër pesimiste. Sipas të thënave, një komisar mori altoparlantin dhe njoftoi se më në fund trupat sovjetike kishin marrë sërish kontrollin mbi portin e Ladogës duke lënë të vrarë qindra nazistë. Brohoritjet bënë që kaosi të shuhej për disa orë, derisa njerëzit u ftilluan se Ladoga ishin ata vetë, ku s’kishte këmbë pushtuesi. Por kaq mjaftoi që morali mes turmave të ngrihej dhe për orë të tëra të vendosej qetësia.
Ilir Meta ka nxituar dje të shpallë fitoren për debatin që ai ka me mazhorancën rreth Gjykatës Kushtetuese. Duke e lexuar sipas nevojës opinionin e Komisionit të Venecias, ai madje ka nxjerrë stafin e tij me bluza të stampuara. Nuk dihet arsyeja se pse e gjithë Presidenca duhet të mbështesë një opinion ligjor përmes veprimeve të tilla. Përveçse qesharak, një akt i tillë tregon se sa dobët është me propagandën ai që herë vishet si Venecia, e herë si Selltiku i Skocisë. Por duke u ndalur te thelbi, opinioni i Venecias për emërimet në Gjykatën Kushtetuese shprehet qartë se “Presidenti e pezulloi procesin në mënyrë të njëanshme”.
Bëhet fjalë për rastin e Arta Vorpsit, që Meta e refuzoi dhe luftën e tij e çoi më tej, duke publikuar mesazhe konfidenciale me ndërkombëtarët. Por kaq mjafton për të mos e lexuar të gjithë raportin dhe për të kuptuar sesi Ilir Meta e përdori rastin e Arta Vorpsit për të krijuar alibinë e shfaqjes që pasoi.
“Dashnori” i Integrimit, aq sa këtë fjalë ia ka vënë emrit të partisë së tij, është personi që e ka lënë këtë vend pa ministër të Jashtëm në pikën më kulminante të negociatave me Bashkimin Evropian. Prej këtij shembulli dhe të tjerave para dhe pas, duhet kuptuar se personi i interesuar për mungesën e Gjykatës Kushtetuese është vetë Presidenti.
Me parimin se “i ra bixha” pa Gjykatë, Meta tentoi ta lejë vendin pa ministra, pa zgjedhje dhe pa ligje. Ndryshe nuk do të kishte si të shpallte “fitoret” që kur doli në gjunjë para militantëve të Partisë Demokratike dhe u përbetua për shpërndarje të Kuvendit.
Në thelb triumfi që shpalli dje Meta është thjeshtë një përpjekje për të mbajtur opozitën në vallen e politikës. Për të legjitimuar tubimin e 2 Marsit, por edhe për t’i thënë ndërkombëtarëve me gojën e Venecias se kërcënimet e tija ishin të drejta. Ilir Meta nuk po kërkon të vendosë qetësi apo drejtësi përmes interpretimit të Venecias, por të ngrejë moralin e opozitës.
Por historia në Ladoga ndodhi 78 vite më parë. Shumë larg në kohë. Shumë larg me selinë e Presidencës.
Bravo! Keto kemi nevoje te degjojme dhe jo gjera teknike. Cirrjani masken pseudos qe perdor zyren per te kenaqur Saliun
Shume drejte Ardit
rrespekt per shkrimin! nqs ed rama se fut brenda meten ska gje ne vij per mandat te tret. presim rezultatet nga reforma ne drejtesi