Pandemia globale i ofroi kryeqytetit shqiptar qetësinë e munguar prej shumë vitesh. Matjet e ndotjes akustike në kryqëzimet më të zhurmshme të Tiranës shënuar një ulje me 10 dB, krahasuar me një vit më parë.
“Fasha ditore e nivelit të lejuar të nivelit të ndotjes akustike është 55 decibel. Mesatarja në kryqëzimet kryesore të qytetit varion nga 55 deri 60 dB. Gjatë natës vijojmë të jemi brenda fashës së lejuar nën 40dB apo nën 35db”
Sipas një monitorimi në muajin Prill nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit niveli i zhurmës në “Vasil Shanto” arrinte në 52 dB, në Rrugën e Elbasanit 54 dB, ndërsa tek kryqëzimi i 21 Dhjetorit, 57dB, pra pak mbi normën e lejuar.
“Kjo është vlera gjatë javëve të pandemisë, ku masat kanë qenë të rrepta. Javët e fundit kemi vënë që ka arritur deri në 75dB”, thotë eksperti i Mjedisit, Rodion Gjoka.
Industria, makinat, transporti publik të njohura si burim ndotjeje po i kthehen normalitetit. Çfarë propozon eksperti që ndotja akustike të qëndrojë afër normës së lejuar?
“Mjetet e transportit publik, të tonazhit të rëndë apo motorët të kalojnë një filtër sa i takon zhurmës që emetojnë në ajër. Duke krijuar një gjelbërim të shkallëzuar sidomos gjatë akseve rrugore këto valë zanore mund të shuhen”, shprehet Gjoka.
Po ashtu, autoritetet shohin reduktimin e lëvizjes së makinave, ecjen në këmbë, përdorimin e biçikletave apo punën online, si një mënyrë për të krijuar një mjedis më të shëndetshëm.
/a.r