Së shpejti profesioni i psikologut do të jetë i rregulluar me ligj të veçantë i cili do të parashikojë se personat e pakualifikuar dhe të paçertifikuar në bazë të një standarti nuk do të mund të ushtrojnë këtë profesion. Lajmin e bëri të ditur Ministri i Mirëqënies Sociale Blendi Klosi gjatë një takimi me grupet e interesit, pedagogë e studentë të Psikologjisë. Klosi shtoi se së shpejti, bashkë me ligjin e ri do të krijohet dhe një urdhër i spikologut, në mënyrë që kushdo që ushtron profesionin të jetë i regjistruar dhe i kualifikuar
“Ky ligj garanton shmangien e personave të pakualifikuar nga ushtrimi i profesionit të psikologut. Ai parashikon ngritjen e një urdhri të psikologut, në mënyrë që kushdo që ofron këtë profesion të jetë i regjistruar, i kualifikuar dhe i standardizuar. Personat e pakualifikuar dhe ata që janë të mangët e që vijnë nga profesione që nuk kanë lidhje me psikologun dhe nuk kanë asnjë nga masterat apo doktoraturat në këtë fushë, nuk mund të jenë pjesë e Urdhrit të Psikologut; nuk mund të jenë njerëz që ofrojnë shërbime aty ku s’duhet dhe të shtrembra”, – u shpreh ministri Klosi.