Nga Dritan Hila
Fjala e kryeministrit Rama në Kuvendin e Kosovës nuk kishte ndonjë të re, përveç frazës për një president të përbashkët, e cila për hir të së vërtetës u shpreh si një ëndërr.
Natyrisht që serbët nuk e morën seriozisht, por iu duhej për konsum propagandistik; as evropianët nuk e morën seriozisht, pasi Shqipëria nuk është Rusia, pra një vend që përcakton rendin botëror, por është objekt i fuqive të mëdha.
Fatkeqësisht apo fatmirësisht, ne nuk jemi në gjendje të vetëvendosim, pasi jemi vend i vogël dhe tmerrësisht i prapambetur ekonomikisht dhe kulturalisht. Askujt nuk i vjen keq për ne dhe të vetmet herë që kemi dalë në axhendat botërore, ka qenë atëherë kur austro-hungarezëve dhe italianëve iu duhej një kundërpeshë e Rusisë në Ballkan dhe së fundmi me rastin e Kosovës, kur doktrina e të drejtave të njeriut kishte gjetur një dishepull tek presidenti amerikan dhe kryeministri britanik.
Gjithsesi, të marrët nuk kanë munguar në këtë gadishull. Por ky nuk është rasti i udhëheqësve shqiptarë të andej e këndej kufirit. As Berisha nuk e kishte seriozisht para pesë vjetësh dhe as Rama nuk e ka pasur ndonjëherë gjatë kësaj kohe. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Prishtinën. Nëse për të bashkuar kufijtë nuk na lejon kush, për të rregulluar bilancin tregtar apo rritur shkëmbimet e mallrave me njëri-tjetrin nuk na pengonte kush. Por as kemi rregulluar dogana, as unifikuar sistem arsimor e as kemi qullosur gjë të hajrit. E vetmja gjë janë nja dy përfaqësi diplomatike, që për nga vlera reale nuk vlejnë një lek.
Nëse ka një të vërtetë që u intereson të dy udhëheqësive, kjo është sektarizimi sa më shumë i shteteve të tyre. Rama ka dhjetë vjet që e zvarrit anëtarësimin në BE, ndërsa Kosova nuk lë yçkël pa nxjerrë për të shmangur Gjykatën Speciale. Udhëheqësve shqiptarë iu duhet edhe ca kohë që të plaçkitin mirë atë që ka mbetur nga pasuria publike. Ndërsa atyre që janë në opozitë iu duhet të sigurojnë pasuritë e vëna. Ndaj askush nuk ka pse frikësohet se mos shqiptarët bashkohen. Sepse këta që janë e kanë mendjen të vjedhin, ndërsa ata që ikën e kanë mendjen të ruajnë kokën dhe atë që vodhën./dritare.net
Faleminderit per analizen e thelluar e te argumentuar.zNjerez te mencur e gjakftohte na duhen.Faleminderit Z,zHila.Tespekt njerezor per punen Tuaj.