Nga Dritan Hila
“Sot është shpërndarë një bisedë që pretendohet së bëhet mes deputetit Ervin Salianjit dhe koleges së tij Grida Duma. Me thënë të drejtën, nuk do të kisha fare dëshirë ta lexoja, por për hir të profesionit, duhej. Nuk u sikletosa nga gjuha e dialogut, por në fund, nga mungesa e kortezise me të cilin synohet të goditet çdo njeri në politikë. Pa anashkaluar sesa të vërteta mund të jenë këto dialogje.
Dhe nuk do t’i kisha shkruajtur fare këto rreshta nëse nuk do të njihja bashkëshortin e Gridës, ish- kolegu im në Ministrinë e Jashtme, Ilir Shqina. Është pikërisht Iliri që më shtyn që të shkruaj këto radhë, pasi Ilir është një djalë i përkorë; është i zoti në zanatin e tij dhe ndoshta shpesh është detyruar të përballojë kostot e qënies së gruas së tij njeri publik.
Sa për Gridën, në këtë moment të vështirë përgojimi e progromi, e ndiej të nevojshme të them se nuk i çmoj talentin politik. Por nuk hyn tek njerëzit fanatikë. Është natyrë “open mind” dhe i vetmi faj i saj është që ka zgjedhur të jetë ndjekëse e Bashës, por edhe të jetë e bukur. Dhe këtu zulma nuk mbahet. Kush e ka inat për suksesin apo pamjen e saj, tashmë ka rastin mos i lerë kusur. Por ka mundësi që e gjitha të përfundojë në flluskë sapuni.
Rasti i Dumës të kujton furtunat që ngriheshin dikur për fotot lakuriq të Ramës. Apo sulmet e tmerrshme të Berishës kundër femrave të së majtës. Besoj se ende objekteve të sulmeve të tij iu ngjethet mishi nga fjalori që lëshonte kryetari i qeverisë nga tribuna e parlamentit.
Vetëm se ka një problem. Pavarësisht se shqiptarët ngjajnë si popull konservator, në natyrë janë tolerantë dhe mospërfillës.
Kështuqë sulmet ndaj Gridës, mund të shkaktojnë aleancë në krah të saj. Mjafton të kujtojmë se nga sulmet e Berishës, femrave që sulmonte vetëm iu rriteshin kuotat ne PS. Ndërsa me foton lakuriq të Edi Ramës me synim humbjen e bashkisë në zgjedhje, duhet të kujtojnë bumerangun që ju erdhi sulmuesve nga kjo. Ndaj ka shumë mundësi që me sulmin ndaj Gridës, në vend që të mbjellin erë, mund të korrin furtune”. Dritare.net.