Kryebashkiaku Erion Ve liaj është njeri i familjes, tashmë, për të gjithë ne. Nëse zgjohemi të mërzitur, ai shfaqet menjëherë në televizor dhe na thotë “jeta është e bukur-jetoje atë”. Makthet e një nate pa gjumë marrin arratinë e thyejnë qafën! S’qullja, dhimbjet e mesit, murrëtimi, stresi mpaken dhe gëzimi të çukit si lejlek mbi dritare. Del në sallon me pantofla e pizhame e teksa rrufit kafenë, ai përsëri duket në një tjetër ekran. Sa shpejt! Ti hap sytë dhe kruan veshët në pritje të një tjetër parabole. Ai paralajmëron butë- sisht se erdhi koha për t’iu futur punës.
Ne ashensor, përsëri Erioni, nuk të le vetëm në atë mugëtirë dritash të zbehta. Aty gjen një fletëpalosje me këshilla praktike sesi të bëhesh një qytetar perfekt, i denjë për komunitetin! Një këshillë si të sillesh me administratorin! Një lajmërim si dhe kur të paguash dritat! Një qasje si mund ta gjesh momentin e duhur për të përkëdhelur qenin e komshiut pa të kafshuar gishtin.
Ne Bulevard, në mes të njerëzve, ti mendon se je vetëm me mendimet e tua, por jo, aty përsëri ke mundësi të takosh Erion Veliajn me një grup kamerash nga pas, të cilat e ndjekin në vrapin e tij haravan me biçikletë mbi trajektoren e caktuar për to. Në fillim jep lajmin sa kilometra këso udhe do hapen, pastaj shpjegon rëndësinë e të ecurit me biçikletë, dobinë që sjell ajo në qarkullimin e gjakut, në tretjen e ushqimit, zbutjen e kolitit dhe forcimin e zemrës.
Duhet rendur kah puna dhe shton ritmin, pak metra para se të futesh në një kënd reklame përsëri mbi kopertinën e një reviste sheh Erionin me pulovrin e tij mbushur me rombe, me vështrimin projektuar në horizont, as fort i qeshur, por kurrsesi i zymtë, i cili të përcjell mesazhin e sportivitetit, rinisë dhe energjisë. Të duket vetja i dalë kohe dhe mode me petkat e rënda dimërore. Orët e punës mbërrijnë në cakun e mbramë. Stomaku ka filluar të therë nga pak.
Kthimi përtypet nën shenjën e nervozitetit të midesë së trazuar. Zakoni e do që të hapesh atë të uruar televizor për të marrë vesh çfarë ka ndodhur. Përsëri del Erion Veliaj, duke mbjellë pemë monopateve përreth qytetit dhe me vete ka edhe ish-Presidentin Moisiu, i cili magjepset nga nisma aq sa beli në duar i ka hije si violina Paganinit. Ç’kuptim do të kishte ky mundim pa shpjeguar rëndësinë e gjelbërimit, romantizmin e kurorave, pastrimin e ajrit për një frymëmarrje të dëlirë e pa kokëçarje?!
Gjithësia, me gjasë, u mbrujt ditën kur edhe arbëreshët, që kaptuan detin për në dheun e të parëve, e gjetën veten rrëpirave të Petrelës, duke ngulur ullinj si amanet i Skënderbeut, se kështu u tha Veliaj. Ai i di mirë ato domene të kujtesës historike. Nuk dihet në i gostiti me këngën “si të lashë e më s’të pashë, moj e bukura More”! Por një gjë është e sigurt, se ata ikën të këndellur dhe e kuptuan që Skënderbeu bash-bash nuk qenkësh Edi Rama, po ky djali punëtor si palla e hekurt e Gjergjit të madh. Vjen darka, që ardhtë e bardhë!
Rreth tryezës çukit nga pak e tërheq ndonjë gllënjkë njeriu i gjorë për të namatisur gurmazin e kreshpëruar nga smogu dhe hedh sytë nga ekrani, ku ja beh përsëri Kryebashkiaku ynë. Me kamera nga pas, të cilat i shërbejnë papërtueshëm, hyn në një familje, mban në prehër një kolopuç dhe llafoset gjithë ëndje, më pas, ulet ndanë sofrës dhe ha me ç’tu ndodhet me të zotët e shtëpisë. U jep shpresë, dashuri, përkujdesje e nëpërmjet shumëfishimit të imazhit, këtë bekim e çon anembanë kësaj shqiptarie plot derte. E nesërmja është një befasi.
Veliaj mund të shfaqet në arat e Valiasit, duke cytur qetë me qylaf në kokë e shall mbi qafë e me të njëjtën vëmendje i rëndon plorit. Më pas, i merr erë dheut për të shijuar vlagën e tij. Më vonë, hyn në një kotec me kanistër në dorë e mbledh vezë duke sqaruar, ndarë në dysh, dilemën “pula vezën, apo veza pulën”! Pasditja mund ta zërë në Mullet, duke pjekur raki ballë kazani e pak më vonë me dajë Cenin, duke kuvenduar në Pezë si rinia duhet të ndjekë shembullin e veterinave.
Kjo është një kohë e jashtëzakonshme! Një fat i madh ka futur turinjtë në shtëpitë tona. Nuk të duhet më për asgjë eksperienca, studimi, dilemat, ëndrrat, sepse kemi Erion Veliajn. Ai të thotë çfarë është e mirë apo e keqe dhe ai e di. Ai të thotë çfarë është e bukur dhe e shëmtuar dhe ai e di. Ai të thotë çfarë të duhet dhe çfarë jo dhe ai e di. Ai të thotë çfarë duhet të mendosh dhe çfarë jo dhe ai nuk ia shtie kuturu. Me të gjitha këto bie dakord qeveria, vetë Kryeministri ynë buzëhollë, me këto bie dakord opozita, e cila nuk ka asnjë fjalë të keqe për të dhe goja iu thaftë, po e nxori.
Dikur kemi menduar se Erion Veliaj është djali i portës përbri, njëri prej nesh, por ai u rrit shpejt u bë mesianik. Mund ta quajmë “Ati ynë” që na hatron, këshillon e qorton. “Ati ynë” në kuptimin hyjnor të fjalës, i cili meriton lutjen: “Ati ynë që je në bashki/ u shenjtëroftë emri yt/ ardhtë mbretëria jote/ u bëftë vullnesa jote/ si në qiell, ashtu dhe në Tiranë/ bukën e përditshme jepna sot/ na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë/ e mos na lër të biem në tundim,/ por na liro nga i keqi – Amen!
” Profesor ” asgje nuk ju pelqen! Te pakten flisni per vete jo ne shumes. Sipas jush ishim me mire kur ishim keq!