Nga Ardit Rada
Sali Berisha ka përbërë titull sot për shkak të kërcënimit me djegie mandatesh. Lajmi ka shkuar edhe më tej duke vënë përballë qëndrimin personal të Berishës me vendimin e grupeve parlamentare ku nuk u diskutua ky opsion. Gazetarët tentuan të merrnin një përgjigje nga Basha për mundësinë që la hapur sot Berisha, por më kot.
Megjithatë memoria afatshkurtër që karakterizon median për shkak të ‘bombardimit’ me lajme të kota dhe të rëndësishme, bën që kërcënimi i Berishës të shihet si risi. Por në fakt kjo nuk është hera e parë që PD ta hedhë këtë tezë në publik.
Ka qenë fillimisht ish-kryetari i Grupit, Edi Paloka, ai që e hapi ‘vallen’ e djegies së mandateve. Në tetor të vitit 2014, Paloka do të shprehej se: “Mbase dikush mendon se do të vijë 6-mujori dhe këta do detyrohet të futen, se do të humbin mandatet! Atëherë do të jetë fundi i gjithçkaje. Ai do të jetë momenti kur praktikisht ky vend nuk do të ketë më opozitë dhe shqiptarët do të duhet të luftojnë për të rikthyer demokracinë në Shqipëri”. Përmes kësaj deklarate dhe këtij presioni, Paloka kërkonte një marrëveshje me Ramën me kusht që opozita të kthehej në Kuvend. Ishte koha kur opozita kishte nisur luftën me Reformën në Drejtësi…
Rasti i dytë është vetë Basha. Në vitin 2016, frika për rrjedhje votash nga deputetët demokratë, bëri që Lulzim Basha ta kërcënonte grupin parlamentar me djegi mandatesh. Në prag të votimit të Reformës në Drejtësi, Basha u kërkoi deputetëve të mos votojnë për një sistem të kapur nga Rama. Duhet të kemi parasysh se në vitin 2016, në radhët e deputetëve të Partisë Demokratike ishin edhe emrat e kritikëve si Bregu, Topalli, Imami, Bode, Ruli, Patozi e të tjerë. “Kapja nga maxhoranca qoftë edhe e 1 mandati nga opozita është fundi i Parlamentit dhe djegia e gjithë mandateve tona” – ishin fjalët e Lulzim Bashës në fillim të qershorit 2016.
Por ky nuk është rasti i vetëm i Bashës. Pak ditë më vonë ai do të shkruante në rrjetet sociale: “Çdo tentative për të trafikuar qoftë dhe një mandat te vetëm opozitar me paratë e pista te drogës dhe krimit qeveritar do te rezultojë ne djegien e mandateve opozitare si hapi i pare drejt përvelimit te parlamentit legjitim qe do te jete edhe përgjigja e merituar e popullit ndaj një qeverie qe i hap atij lufte, me çdo mjet qe siguron fuqia e padiskutueshme e sovranit”.
Dhe po ashtu, Basha të njëjtën tezë ia tha edhe në sy ministrit të Jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier gjatë një takimi kokë më kokë.
Rasti i tretë, i katërt apo i pestë është po vetë Berisha që u rikthye sot në publik me një “propozim bombë”. Por që në fakt është përsëritje e vetëvetes. Në shkurt të vitit 2016 Berisha deklaroi se do ta rishikojë qëndrimin e tij në Parlament, duke paralajmëruar jo vetëm braktisjen e Parlamentit, por edhe djegien e mandateve, si një hap ekstrem që do të polarizonte klimën politike. Në një linjë me Sali Berishën në atë kohë ka qenë edhe Jozefina Topalli, e cila tha se ishte gati ta dorëzonte mandatin e saj.
Në fakt kërcënime me djegie mandatesh janë artikuluar edhe nga deputetë të tjerë të PD-së, kryesisht në mbledhjet e grupit. Ky ishte opsioni më serioz për ta detyruar politikën që të hyjë në një krizë parlamentare. Por që mesa duket, djegia e mandateve ka qenë vetëm një ‘shashkë’ e përdorur ndër vite. /JavaNews