Nga Alteo Hysi
Ditën e djeshme, Kryeministri Rama zhvilloi një vizitë të nivelit të lartë në Bruksel, ku takoi krerët e institucioneve më të rëndësishme europiane. Vlerësimi pozitiv që drejtues si Presidenti i Komisionit Europian Junker apo ai i Parlamentit Europian, Tajani, bënë për reformat e deritanishme në Shqipëri, ishte padiskutim lajmi pozitiv nga Brukseli.
Por ky nuk duhet lexuar thjesht dhe vetëm si një mesazh inkurajues nga partnerët tanë. Nëse do ti lexojmë në raport me politikën shqiptare, deklaratat e zyrtarëve përçojnë tre leksione të forta për një pjesë të politikanëve tanë.
Leksioni i parë është që lufta politike në Bruksel ka një princip në mënyrën se si zhvillohet, midis të majtëve dhe të djathtëve.
Si Presidenti i Komisionit, Junker, ashtu edhe ai i Parlamentit Europian Tajani, dy politikanë të së djathtës europiane, vlerësuan me nota të larta progresin që qeveria e Edi Ramës ka bërë në luftën kundër krimit.
Dy politikanët e partive popullore europiane folën me superlativa për Shqipërinë, përkundër fushatës negative që ka ndërmarrë kreu demokrat i Shqipërisë Lulzim Basha, për të baltosur vendin kudo që shkon.
Leksioni i dytë erdhi nga Junker, duke përforcuar faktin se kudo në botë, gazetaria dhe politika janë të cënuara nga fake news. Edhe ky leksion i Junker erdhi përkundër situatës artificiale që pompojnë mediat pranë opozitës, mbi “rritjen” e kriminalitetit në vend.
“Është mirë që të mos citoni gazetarët dhe gazetat sepse kjo është loja mes gazetarëve. Dikush shkruan, një tjetër i citon, një i tretë i shkruan, një i katërt i kopjon edhe vijnë dhe bëhen pjesë e këtyre pyetjeve”. – i tha Junker gazetares shqiptare.
Leksioni i tretë:
“Shqipëria është në rrugën e duhur dhe nëse vazhdon kështu do të hapen negociatat për anëtarësim me BE”.
Me këtë vlerësim nga ana e zyrtarëve të Brukselit janë mbyllur të gjitha takimet e Ramës dje, çfarë tregon se Shqipëria ka qënë dhe vijon të mbetet nën monitorimin e Brukselit.
E gjithë kjo çmonton realitetin e errët që opozitarët shqiptarë, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi duan ti imponojnë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Ashtu sikurse zhbën fushatën intensive të opozitarëve për ti nxirrë faqen vendit.
Shqipëria që sipas Junker e Federica Mogherinit ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në luftën kundër krimit, nuk ka asgjë të përbashkët me Shqipërinë që sipas Bashës është kapur nga krimi.
Politika e Brukselit, ajo e principeve, nuk ka asgjë të përbashkët me politikën e baltës, që Basha e Kryemadhi ushtrojnë çdo ditë.
Përballë zyrtarëve të Brukselit, që çarmatosën arsenalin e shpifjes, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi duhet të reflektojnë për rolin që kanë marrë përsipër të kryejnë.
Leksionet e Brukselit duhet ti bëjnë të kuptojnë se të harxhosh miliona për ti nxirrë faqen Shqipërisë nuk po funksionon. Dhe më e rendësishmja, që shqiptarët vetë nuk e meritojnë një fushatë të paprinciptë kundër të ardhmes së tyre, nga politikanët e vendit!