Nga Mustafa Nano
Në PD po bëhet një debat që po shoqëron garën për të marrë kreun e saj. Një pjesë janë kundër një pjese. Dhe debati po merr forma të ashpra. Pse erdhi puna në këtë pikë? Sepse Partia Demokratike humbi zgjedhjet. Sikur t’i kishte fituar zgjedhjet, asnjë debat nuk do të kishte. Madje, kundërshtarët e Bashës nuk janë menduar dy herë për të bërë pohimin se, sikur Basha t’i kishte fituar zgjedhjet, ne do t’i hiqnim kapelen. “Nuk është problemi që Basha humbi; problemi është që ai humbi keq; sikur ai të kishte ruajtur numrin e deputetëve që patëm pas humbjes së vitit 2013, çdo gjë do ishte ok, dhe unë nuk do të hapja gojën”, -tha në një moment Astrit Patozi. Me fjalë të tjera, nëse Basha do të merrte një rezultat të kënaqshëm, qoftë edhe humbës, atëherë nuk do të kishte rëndësi mënyra se si ai e bëri listën e kandidatëve për deputetë, nuk do të kishte rëndësi që ai nuk ka mbledhur forumet e partisë prej kohësh, që ai e izoloi PD-në prej komunitetit ndërkombëtar, që kunati i tij i famshëm vlen më tepër se kushdo tjetër në Partinë Demokratike, që ai e bojkotoi parlamentin, që ai e ngriti çadrën për të mbrojtur veten dhe e shkrehu çadrën duke i dalë kundër vetes etj. etj., (të gjitha këto janë akuza e pretendime që janë ngritur nga kundërshtarët e Bashës pas zgjedhjeve; ndonjëra edhe para zgjedhjeve).
Të kuptohemi, nuk është se po marr në mbrojtje Lulzim Bashën. Kjo do të ishte gjëja e fundit që do më shkonte në mendje për të bërë. Unë vazhdoj të mendoj për Bashën atë që kam menduar gjithnjë. Nuk kam njohur në politikën shqiptare gjë më të pavlefshme. Ai politikisht nuk është asgjë, është një enë e zbrazët. Mirëpo, pikërisht ky është edhe problemi i kundërshtarëve të Bashës në PD. Ata po njësoj nuk përfaqësojnë asgjë politikisht. Sikur ata të përfaqësonin diçka në politikë, sikur të kishin një kauzë të tyren, tek e cila të besonin, nuk do duhej të mbanin rezultatin në zgjedhje si kriter që ndan të mirën nga e keqja. Përkundrazi, do duhej të vazhdonin të luftonin për kauzën e tyre edhe sikur Basha të korrte të njëjtën fitore që ka korrur Rama në anën tjetër (ky është, në të njëjtën masë, një problem edhe për PS-në; ja, njihni ju ndonjë socialist që të mos ketë hipur në trenin e fitores? Kur të vijë humbja do ta shihni se si do të shqyhen me sho-shoqin; thjesht për t’i zënë vendin Ramës).
Po pse e thonë këtë pa pasur prova? Sepse kështu janë mësuar të flasin. Janë mësuar të ngrenë zërin veç kur dikush u prish një llogari personale. Dhe Selami po u prish një llogari personale. Ashtu siç ua prishi Basha. Sikur ky i fundit t’i kishte futur në lista, asnjëri nuk do ta hapte gojën për të denoncuar mënyrën e shëmtuar të përpilimit të listës së kandidatëve për deputetë. Përkundrazi, do ishin në krah të Bashës në këtë betejë. Nga e di unë këtë? E di, sepse beteja e Jozefina Topallit kundër Bashës nuk ka ndonjë ndryshim nga beteja në favor të Bashës e Tritan Shehut, Genc Pollos etj. Që të dy, ashtu si të gjithë, mendojnë për bythën e tyre. Këtë gjë kanë bërë gjithë jetën; kanë menduar për veten. Sa për të tjerat, gjërat kanë qenë siç janë, me fjalë të tjera kundërshtarët e Bashës në PD, ashtu si edhe Basha vetë, nuk dihet se çfarë përfaqësojnë politikisht. Ata mbahen për konservatorë, por e vetmja gjë konservatore që kanë është prapambetja e tyre, e në këtë kuptim nuk kanë pse të mburren, pasi konservatorë të këtij lloji janë që të gjithë, demokratë e socialistë, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, pleq e të rinj.
Nuk di nëse e kanë pyetur veten ndonjëherë se çfarë do të mbetej prej tyre në histori, sikur ata të largoheshin sot nga politika. Jozefina Topallit do t’i mbetet adhurimi për Berishën e “një plumb ballit që do donte t’u jepej komunistëve”. Patozit do t’i mbeten shkrimet e shfrimet kundër kundërshtarëve, që gjithëherën kanë një qenë kredenciale të mira në atë parti. Kur nuk kanë gjë për të thënë, ata i vërsulen partisë kundërshtare. Dhe pas kësaj, i zë gjumi rehat. Bregut do t’i mbeten lotët që ka derdhur në momentin kur dikush dha dorëheqjen nga kreu i partisë. Arben Imamit do t’i mbetet viti ‘97, kur i hipi tankut. Bashës do t’i mbeteshin ecejaket në katin e shtatëmbëdhjetë të shumëkatëshit para RTSH-së. Tritanit preshi. Rulit trimëria pas beteje. Pollos asgjë fare. E kështu me radhë. Gjithë pjesa tjetër e karrierës së tyre politike ka qenë “ngri kartonin, ul kartonin, e adhuro udhëheqësin”.
Kriza si kjo e këtyre ditëve janë një rast i mirë për të evidentuar më të mirën e vetes. Por edhe në këtë rast ata nuk po dinë të bëjnë diferencën. Sepse nuk munden. Janë pa kauzë. Pa ide. Pa një projekt të drejtimit të PD-së. E vetmja ide e tyre në këtë mes është thirrja “Basha ik”. Me sa duket, ngatërrojnë dëshirën me një projekt. Përfundimi? Në PD po hahen – këtu po përdor një gjetje banale që është shumë in vogue këto kohë – për të qenë pjesë e tepsisë. Për asgjë tjetër. /Mapo