Nga Ilir Yzeiri
Jozefina Topalli po gjykohet me cinizëm, me shpërfillje dhe me fyerje politike nga disa folës në çadër, por edhe nga shkrues të ndryshëm në rrjetet sociale pranë Lulëzim Bashës dhe frymëzimit që vjen nga ajri i rënduar i 75 ditëve në çadrën e ngritur pranë kryeministrisë.
Të gjithë kanë të drejtë të ligjërojnë si të duan dhe të formulojnë tekste edhe më të errëta se ato që lexon Lulëzim Basha, por kur vjen puna për të gjykuar veprimet politike të personazheve emblematike të PD-së siç është zonja e nderuar Jozefina Topalli, duhet pak përmbajtje.
Jozefina Topalli në gjithë këtë krizë të llahtarshme ligjërimore me fjalor mashkullor bandash, u tërhoq dhe nuk u bë pjesë e atij demonstrimi, por kjo nuk do të thotë se ajo nuk është po ajo Jozefinë që ne njohim, – antikomuniste, demokrate dhe e përkuashtuar për krahun politik deri në skaj ndonjëherë. Qëndrimi i saj i fundit, i rezervuar dhe dinjitoz, vetëm sa e ngriti më lart profilin e saj dhe i dha PD-së një pamje më të qytetëruar. Jozefina Topalli ka kërkuar përgjegjshmëri më të madhe, pjesëmarrje në zgjedhje dhe i është kundërvënë histerisë së lidershipit të PD-së që po e kthen këtë forcë politike në kundërshtare të institucioneve zyrtare perëndimore të vendosura në Tiranë apo që ndodhen edhe në Bruksel.
Kjo është njëra anë e problemit. Ana tjetër, ajo më e trishtuara, është se Jozefina Topalli po akuzohet për atë që ajo jo vetëm nuk e ka në formim, por pikërisht e kundërta e bën atë një figurë dinjitoze. Të akuzosh Jozefina Topallin si « kobure të ndryshkur » të Edi Ramës, është e ulët, e pamoralshme dhe e padenjë për cilindo. Jo vetëm që Jozefina Topalli ka qenë në mënyrë të tepruar korrekte me bindjet e saj demokratikase, por ajo, në disa raste, ka qenë edhe në pozita të tepruara. Mirëpo, të gjithë harrojnë se çdo figurë politike është edhe një histori apo përfaqëson edhe një traditë. Ka ardhur koha që të marrim në mbrojtje dhe të tregohemi të kujesshëm me ato pak personalitete femra që kemi në politikë. Jozefina Topalli e përfaqëson në mënyrë dinjitoze të djathtën e nëpërkëmbur dhe të shkatërruar nga komunizmi. Jozefina Topalli e përfaqëson në mënyrë shembullore komunitetin e martirizuar katolik të Shkodrës. Në gjithë këto vite, megjithë rezervat që mund të kemi pasur për të, të gjithë e kemi pranuar se Jozefina Topalli u bë ikona e Shkodrës së rilindur antikomuniste.
Në fund fare do të doja të theksoja edhe diçka tjetër. Fyerja që i bëhet Jozefinës prej fanatikëve të Lulëzim Bashës, duhet të shmanget dhe unë mendoj se ka ardhur koha që të vendosim një standard tjetër në ligjërimin politik. Le të kursejmë në fillim zonjat, femrat që merren me politikë dhe le të mos i bëjmë ato objektiva të zemërimit apo të gjykimeve të tepruara e fyese. Ne jemi një shoqëri maskiliste dhe, megjithëse femra këtu te ne duket sikur është e lirë, ajo, në shumicën e herës nuk përfillet për forcën e arsyes, por më shumë shihet si shtojcë e hedonizmit primitiv. Sot, më shumë se kurrë, politika shqiptare ka nevojë që të promovojë figurat e grave dhe t’i ruajë ato nga fyerjet e sharjet. Jozefina Topalli është një nga politikanet shqiptare që ka krijuar një profil korrekt dhe përfaqëson një qytet martir si Shkodra dhe jo vetëm e përfaqëson atë qytet, por edhe e nderon. Edhe Majlinda Bregu apo Arta Dade e Valentina Leskaj, janë të gjitha figura që duhen respektuar dhe jo sharë e ofenduar. Në kodin e lashtë gjermanik, ashtu si edhe në kodin tonë, gruaja çmohej si një mall në duart e babait, në mungesë të tij – në dorë të vëllait të madh e kështu me radhë. Ata e martonin dhe vendosnin për fatin e saj. Mirëpo vetëm kaq, sepse gjermanët kishin një adhurim të pashoq për fjalën e gruas. Kur fliste gruaja, ata mendonin se fliste sfinksi dhe në traditën e tyre fjala e gruas është një magji. “Kjo, – thotë Dora D’Istria, – ishte shenja që ai popull do të bënte progresin që bëri dhe do të ishte aty ku është sot”. Ndaj edhe ne, mirë që nuk i dëgjojmë kur flasin, po të paktën të mos i shajmë kur shprehen. Ndaj, kujdes me Jozefinën!