Skënder Gjinushi thotë se Partia Demokratike është futur në çadër dhe tani ka hedhur idenë e një konspiracioni ndërkombëtar kundër saj.
“Flasin për zyrtarë të korruptuar të BE-së, por sot temë e ditës është deklarata e Mogherinit dhe e Hahn, që thonë se çfarë mendon BE”, thotë kreu i Partisë Socialdemokratike.
Duke folur në Top Story, Gjinushi mendon se bojkoti nuk përligjet nga kërkesa dhe shton se si PD, ashtu edhe PS janë bashkëfajtore për standardet e zgjedhjeve.
“Në Shqipëri është vënë në diskutim a ekzistojnë zgjedhje të lira. PS dhe PD nuk mund të bëjnë leksione për zgjedhje të lira dhe të ndershme, janë edhe bashkëvuajtëse dhe bashkëfajtore. Por, BE nuk e vë më në diskutim a ka zgjedhje në Shqipëri apo jo. Ajo e njeh që ky institucion funksionon. BE është e befasuar që papritur opozita nuk hyn në zgjedhje dhe me kërkesa për të ndryshuar Qeverinë e pastaj të hyjmë në zgjedhje”, thotë ai.
Mediu mendon të kundërtën. Sipas tij, në raportin e OSBE/ODHR për zgjedhjet vendore të 2015, ka regres.
“Në zgjedhjet lokale OSBE/ODIHR ka dalë me vërejtje shumë thelbësore duke deklaruar se ka hapa prapa. Bazuar mbi këto vëretjeje dhe ato të 2013, komisioni ad hoc mori mandatin për të shmangur disa probleme, që nga kërcënimi i votuesve e të tjera”, tha ai, duke shtuar se PD dhe opozita kanë paraqitur që në muajin maj propozimet e tyre në këtë komision.