Nga Alfred Peza
Duhet ti kushtojmë një rëndësi të madhe zgjerimit të tregut të makinave në Shqipëri, “sepse është vërtetuar së këta njerëz, duke patur një makinë te dera, nuk do të mendojnë më për politikën dhe do të vdesin si patriotë të mirë”. Me këto fjalë Departamenti Amerikan i Shtetit, i drejtohej Ambasadës së saj në Tiranë, në vitet ’30 të shekullit të kaluar, për të nxitur aksionet në fushën social- ekonomike. Kanë kaluar gati nëntë dekada që atëherë dhe dëshira amerikane, tashmë është bërë realitet. Sepse parku i makinave private në Shqipëri, e ka kaluar çdo përfytyrim optimist të asaj periudhe. Duke bërë që gjysma e familjeve shqiptare të kenë sot të paktën nga “një makinë te dera”. Por, siç të gjithë jemi dëshmitarë, ne vazhdojmë ende të mendojmë për politikë, ndoshta edhe më shumë se atëherë. E kjo nuk do të thotë se nuk vdesim sot si patriotë të mirë.
Por ç’farë ka ndodhur dhe pse ky steriotip sjellje sociale i shqiptarëve, përkundër studimeve dhe pritshmërive të ekspertëve të Departamentit Amerikan? E gjitha kjo, po të kemi parasysh se sa shumë politikë konsumohet sot e gjithë ditën, qoftë në ambjentet formale dhe ato informale. Qoftë në media, e qoftë nëpër kafene. Qoftë nëpër shtëpi, e qoftë nëpër zyra, të shtetit a privatit qofshin ato. Qoftë në rrugë, e qoftë në stadiume. Qoftë në fshat, e qoftë në qytet. Qofshin me punë, e qofshin pa punë. Qofshin të varfër, e qofshin të pasur. Qofshin duke udhëtuar në këmbë, me biçikleta, me varka, në autobuz, makina, avionë e tragete. Nga futbolli i dikurshëm, sot politika është sporti kombëtar i shqiptarëve.
Kjo duket të jetë arësyeja se përse mediat, qofshin ato tradicionale apo edhe të rejat e rrjetit të gjerë botëror, ose siç njihen ndryshe mediat online, i japin më shumë hapësirë politikës sesa të gjitha lajmeve të tjera të mara sëbashku. Sepse përveçse një shërbim publik, qofshin edhe ato private, mediat janë edhe biznes dhe përgatisin “një ushqim” informues, argëtues dhe edukues për ata që e konsumojnë. Në këtë rast, për qytetarët dhe lexuesit e shikuesit shqiptarë. Ndaj protesta e opozitës në bulevard, raportet PS- LSI në koalcionin qeveritar, takimet dhe deklaratat e ndërkombëtarëve që meren me proceset integruese të Shqipërisë në BE, apo në raportet ndërkombëtare me e për ne, janë gjithnjë në fokus të pothuajse të gjitha mediave. Qofshin këto kombëtare, rajonale, lokale, të mëdha të mesme apo të vogla.
Por ka një kategori mediash, qofshin ato tradicionale (televizione kryesisht) apo online që nuk meren fare me lajmet dhe me politikën. Nëse mer të dhënat e audiencave apo rankimet në internet për ta, kupton se janë po aq, në mos në disa raste, edhe më të ndjekura se mediat që kanë si “pjatë kryesore” në menunë e tyre, lajmet, intervistat, komentet, debatet dhe çdo gjë tjetër që lidhet me politikën. Sikundër edhe brenda vetë këtyre televizioneve që meren me politikë, ka emisione të tëra që nuk meren fare me politikë dhe kanë audienca maksimale. Tregues i qartë ky se nuk është në çdo rast e vërtetë se shqiptarët duan vetëm poltikë. Apo se politika, nuk është një sport domosdoshmërisht i preferuar për të gjithë. Përkundrazi.
Lajmet pozitive, kuriozitetet, të rejat nga jeta e personazheve të njohur, moda, lajmet informuese me mesazh social- ekonomik, kulturor, artistik e sportiv, historitë njerëzore, historitë e suksesit, reportazhet, etj sipas studimeve serioze e profesionale janë zhanre që kanë vëmendjen e një pjese shumë të madhe të audiencave në vendet me traditë më të zhvilluar mediatike. Kjo ka bërë që edhe mjaft site apo media të njohura botërore, kur i referohen Shqipërisë po fokusohen gjithnjë e më tepër tek pamjet dhe destinacionet turistike të vendit tonë, tek bukuritë e natyrës, tek qytetet tona me arkitekturë e histori të veçantë, tek bregdeti, tek plazhet, ushqimi, njerëzit e bukur, traditat, trashëgimia kulturore, momumentet arkeologjike e natyrore, etj. Sikundër disa media i kanë bërë jehonë suksesit të të rinjve shqiptarë në muzikë, art, kulturë, futboll, sporte të tjera, e deri tek humanizmi apo arsimi e biznesi.
Pas 1990, ka qenë një periudhë kur nuk gjenim dot pothuajse asnjë lajm apo kronikë pozitive për Shqipërinë e shqiptarët në mediat e vendeve fqinjë e ndërkombëtare në përgjithësi. Ndërsa në mediat tona, janë me mijëra shkrime, analiza, shkrime e opinione e komente, ku tregohet shqetësimi real se përse bota na shiht me syze të zeza. Ndërsa tani që bota ka filluar të na shohi me syze dielli apo me optikë optimiste, duket sikur kompensimin e ngjyrave e bëjnë mediat tona lokale, ku grija dhe e zeza duket se janë koloret që konkurojnë më shumë, përsa i përket optikës së trajtimit të lajmeve, zhvillimeve dhe ngjarjeve të përditëshme.
Nuk është çështja për të bërë propogandën e qverisë së radhës, apo mazhorancës së radhës, apo koalicioneve partiake të radhës. Më shumë se sa kaq, qytetarët kanë dëshirë me siguri që përveç politikës, të shohin ndoshta edhe një serial shkrimesh apo kronikash për infrastrukturën e re kombëtare dhe rurale kur ajo ndërtohet me standarde dhe sjell një nivel të ri për vendin. Kur rivitalizohen qendrat e rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, rilindin brenda pak vitesh nga pikëpamja urbane qendrat e 70 qyteteve të Shqipërisë, kur ka zhvillime që sjellin impakt të ri social ekonomik për shkak të investimeve në infrastrukturën e qyteteve apo fshatrave, mjedise të reja sportive, shplodhëse dhe argëtuese. Kur ka zhvillime pozitive për meritë të sipërmarrjes dhe tregut privat në hoteleri- turizëm, në industri, shërbime, investime, në hapjen e vendeve të punës, në krijimin e ishujve apo oazeve të reja për banim apo argëtim.
Për shkak edhe të investimeve në teknologjitë e reja dhe magjisë së rrjeteve sociale, kemi parë gjithnjë e më shumë foto apo albume fotografike për bukuritë natyrore dhe peisazhit urban e rural të Shqipërisë. Video, minivideo, pamje të jashtëzakonshme me dron, etj që krijojnë një ndjesi estetike të veçantë. Duke nxitur politikën, të zgjedhurit në qeverisjen qëndrore e lokale, grupet e interesit, biznesit vendas dhe të huaj, grupet shoqërore, familjet dhe individët që të krijojnë të tjerë shmbuj pozitivë sipërmarrjesh, të tjera histori suksesi, të tjera modele për tu promovuar, të tjerë ishuj, oaze dhe gadishuj bukurie, zhvillimi e prosperiteti. Duke nxitur në këtë mënyrë zgjerimin, bashkimin apo lidhjen e ishujve të zhvillimit, për ti përhapur ato në formën e rrathëve koncentrikë, në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, në të gjitha grupet shoqërore dhe në gjithë territorin. Për ta bërë këtë vend, ashtu siç të gjithë e ëndërrojmë. Në mënyrë që të jetojmë si qytetarë europianë, e të vdesim si patriotë të mirë.