Nga Mirela Kumbaro
Mirë, ja ku jemi Dritëro, para se të ndahemi.
Ti vendose të ikësh.
Po… “Prit dhe pak”. Kështu titullohet libri yt i fundit. Prandaj prit dhe pak.
Ndonëse, siç i thoshte Noli, Milto Sotir Gurrës, “ata nga varrezat po ta bëjnë me sy”.
Nuk do të flas për vdekjen, – nuk ta jap këtë kënaqësi,
se ti vetë e ke qesëndisur aq shumë – sa që zor se mund ta ngrejmë në piedestal,
qoftë ajo dhe vdekja jote, të cilën e ke dërrmuar me poezi. Atje të rrijë!
Ti prit dhe pak.
As për dhimbjen që shkakton ikja jote nuk flas, – se ti je tallur me të dhe mua më vjen turp ta tregoj,
As nuk do të rrëfej sa i madh je në letrat shqipe, – se e kanë thënë gjithë jetën, -kushdo e di,
dhe nuk dua të përsëris të gjithë ata që kanë folur para meje, ata që do të flasin pas meje dhe ata që ende s’kanë lindur por që poezitë e tua do t’i njohin pa të njohur ty e do të lexojnë “Xixëllonjën” në Poemën “Pleshti”, do lexojnë “Zylon” që ne asokohe mbase s’kemi ditur ta lexojmë dhe sot befasohemi aq shumë para atij teksti, do shkojnë lumenjtë e fjalëve e do të mbeten majat e vargjeve të tua.
Madje flije mendjen, se as nuk do të përmend këtu se sa tallaze ke sjellë, – t’i kanë kujtuar boll edhe në këto 24 orët e fundit sa u tundën rrjetet sociale sikur t’i kish përmbytur lumi Devoll.
Me ty Dritëro s’mund të flitet veçse për jetën, atë që ti e gëzoje dhe kur pije gllënjkën e trishtuar të ujit apo gotën e gëzuar të rakisë.
I dhe jetës shpirtin e i more poezinë.
Jetën që ti e mbushe në një mënyrë tjetërsoj, sepse zgjodhe, me vetëdije thua? Zor se e dallon dot! Sepse ti zgjodhe poezinë për mënyrë jetese.
E ke thënë vetë Dritëro – “në një ushqim të përditshëm, për të mbajtur shpirtin gjallë”.
Dhe dua të të falenderoj se nuk mbajte gjallë vetëm shpirtin tënd, por dhe timin dhe të atij dhe të asaj, sepse na mësove që:
Nëse njeriu nuk ndien as kënaqësi as dhimbje,
Nuk ndien as gaz, as hidhërim, as shpresë…
Një gjë po jua them me ndershmëri dhe bindje,
Lëreni të vdesë…”
Prandaj ti që i ke ndjerë të tëra, dhe kënaqësinë, dhe dhimbjen, dhe gazin, dhe hidhërimin, dhe shpresën, ti nuk vdes.
Prandaj nuk ka vlerë të flasësh për ikjen tënde. Prit dhe pak të kujtoj këtu vetëm nje poezi “Ikjen e vjershave”
Natën në shtrat nën jorgan
Kur ikën vera dhe vjeshta
Dhe dimri vjen me murlan
Përgjumen dhe vdesën plot vjersha
Përtojmë e dridhemi keq në acar
Të gjejmë pak letër
Ndaj ëndrrat i nisën vjershat pa funeral
Në botën tjetër
Kur sytë tanë shuhen ngadalë
Unë vetëm sa hapa rrugën për tek ky mikrofon pranë Dritëroit, ku do t’ia lëmë vendin, të marrin fjalën miq e dashamirës për të thënë pak fjalë lamtumire Poetit.