Prej një viti abuzonte seksualisht me vajzën 14-vjeçare të fqinjit, duke e kërcënuar të mos tregonte se ndryshe do ta pësonte keq. Kjo është drama e një të miture, rritur ne ambientet e konviktit të Shkollës së Mesme të Hoteleri-Turizmit, në kryeqytet. Vend, ku banonte edhe abuzuesi i saj, 39-vjeçari, Lulzim Bardhi. Sipas dyshimeve paraprake të policisë, autori i krimit është mik me babanë e vajzës pasi janë edhe komshinj, duke qenë se jetojnë në të njëjtën godinë.
I dyshuari për ngjarjen, shtetasi Lulzim Bardhi, nga Elbasani e banues në Tiranë, ka rënë në pranga me akuzën e veprimeve të turpshme, pikërisht pas denoncimit të shokut të tij. Babai i vajzës ka shkuar në Polici rreth orës 18:00 të së mërkurës dhe ka denoncuar faktin se komshiu dhe shoku i tij kryente veprime të turpshme me vajzën 14-vjeçare.
Policia ka nisur menjëherë hetimet dhe ka marrë në pyetje edhe vajzën në prani të psikologut. Vajza mësohet të ketë pohuar akuzat që ka bërë babai i saj. Dyshimet janë se abuzimi seksual ndaj 14-vjeçares ka muaj që vazhdon, por ajo nuk u ka treguar prindërve për shkak të kërcënimeve dhe gënjeshtrave që i ka bërë 39- vjeçari. Ky i fundit mësohet se përdorte mënyra të ndryshme për të gënjyer vajzën e mitur.
“Ishim në banesën time të mërkurën, në orët e vona të pasdites. Nuk kishim energji elektrike dhe po qëndronim në shtëpi. Unë isha në njërin divan me vajzën e vogël, kurse vajza 14-vjeçare po qëndronte në divanin tjetër. Në këtë kohë erdhi Lulzim Bardhi dhe hyri në shtëpi. Ai, pasi na përshëndeti, u ul te divani ku ishte vajza 14- vjeçare dhe u dha fëmijëve patatina, çokollata etj. Edhe pse nuk kishim energji elektrike në shtëpi disa minuta më vonë, unë pashë se ai njërën dorë po e përdorte për të ngrënë patatinat e molton që kishte në duar, dhe dorën tjetër e kishte vendosur te vajza dhe po e prekte në vende që nuk mund t’i them dot”, kështu ka dëshmuar babai i vajzës me iniciale K.XH.
Ai ka thënë se menjëherë ka shkuar në polici dhe ka bërë denoncim ndaj shokut e komshiut të tij, duke kërkuar hetimin e ngjarjes deri në fund. Ai ka dërguar edhe vajzën në polici dhe ka kërkuar që ajo të pyetet në praninë e psikologut në lidhje me veprimet që ka kryer ndaj saj shtetasi Lulzim Bardhi.
Ky i fundit, pas arrestimit nga ana e Policisë, mësohet se i ka mohuar akuzat për abuzim ndaj të miturës. Ai ka thënë se kishte marrëdhënie familjare me babain e vajzës dhe shkonte shpesh për vizitë kur ndodheshin edhe familjarët e rritur.
Burime policore kanë thanë dje se e mitura me inicialet K.XH. kishte pranuar të bënte denoncim në polici se shoku i babait të saj e kishte ngacmuar seksualisht dje në banesën e saj. Pas hetimit paraprak mësohet se materialet kaluan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësore Tiranë për veprën penale “ngacmim seksual”.
ma.me