Nga Skënder Minxhozi/
Po ndodh si me syrin e një cikloni. Sa më afër t’i afrohesh, aq më e fortë bëhet turbulenca e erërave, aq më vështirë është të qëndrosh në këmbë dhe të marrësh frymë. Kalimi në parim i reformës në drejtësi, e ka sjellë më në fund draftin final në dyert e procedurave normale parlamentare. Tashmë reforma është një paketë ligjore e vënë në rresht për miratim, ashtu si plot projektligje të tjera që presin rradhën për të kaluar nëpër komisione, për t’u amenduar rrugës dhe për t’u votuar më në fund në seancë plerane.
Por kjo s’do të thotë ende se ajo është tashmë më e sigurtë për t’u votuar, sesa para momentit të miratimit në parim. Vota e të hënës në Kuvend ishte një angazhim, ashtu siç e thotë edhe termi, parimor. Pra, palët votuan që të ketë një reformë dhe deri këtu s’ka asnjë pengesë. Problemet nisin tek diskutimi nen për nen, sepse e dimë se djalli fshihet tek detajet, thotë proverbi. Vetëm pak minuta para se Lu dhe Vlahutin të mbanin fjalimet e ashpra para anëtarëve të Komisionit të Posaçëm, javën e shkuar, opozita shprehej se kusht i panegociueshëm për miratimin e reformës ishin “kompetencat e Presidentit”. Pra, në atë moment PD kërkonte që kompetencat e presidentit të sotëm të mos prekeshin. Me fjalë të tjera, kërkonte thjesht që të mos kishte reformë.
Kurse sot Basha mblodhi të vetët për të diskutuar për reformën zgjedhore, ndërkohë që publikisht doli dhe foli për gjithçka, përfshirë edhe mandatin e Kokëdhimës, por jo për reformën në drejtësi që e kishin përshëndetur me urgjencë SHBA dhe BE. Fokusimi tek reforma zgjedhore është një lëvizje e lexueshme taktike për të relativizuar peshën e reformës në drejtësi dhe për t’i vënë asaj edhe një gur tjetër në rrota: reformën e ligjit elektoral. Nëse më pas kësaj i shton edhe kërkesën e kreut të opozitës për qeveri teknike, plotësohet tërësisht kuadri i hullisë së verbër në të cilën opozita kërkon ta fusë procesin e reformës në drejtësi.
Diskutimi nen për nen i reformës do të sjellë natyrshëm modifikim të draftit që kanë sot përpara deputetët e Komisionit të Posaçëm. Duke nisur nga neni tashmë i famshëm 25, e deri tek formula e forumeve të reja të drejtësisë, mënyra e zgjedhjes se tyre dhe shumica që do t’i votojë ato. Ky është një proces kompromisi dhe si i tillë, secila palë do të filtrojë aty propozimet e veta. Por synimi për ta bllokuar reformën, duke i futur asaj si pyka, lloj-lloj çeshtjesh të ndryshme nga thelbi i saj, përbën një tentativë për ta hedhur në erë vetë reformën.
Reforma në drejtësi nuk do të ndreqë njëherazi edhe sistemin elektoral, as do të jetë kamzhiku për ligjin e dekriminalizimit apo për largimin e qeverisë aktuale. Ajo ka një objektiv të qartë dhe ai është pastrimi i sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit dhe largimi nga influenca dhe kapja e politikës. Gjithçka tjetër që hidhet me dhunë në tryezën e reformës, është vetëm lojë politike dhe asgjë më tepër. Çka çon ujë në mullirin e zgjedhjeve të parakohshme.