Nga Artan Fuga
Kola është miku im prej 20 vjetësh. Rreth të dyzetave. I qeshur, gjithmonë i afruar, i mirësjellë.
I ardhur nga zonat e malësisë qysh i vogël, është prind i tre fëmijëve për të cilët është gati të flijohet.
Herë pas here më tregon duke pirë ndonjë birrë pjesë nga jeta e tij. Sa herë kam nevojë për dorën e tij të fortë më vjen në ndihmë. Shpesh edhe më jep këshilla për t’u orientuar në lagjen tonë të përbashkët.
Më tregon se cdo ditë numuron paret në një bankë private. E ku do të gjejë banka më të ndershëm dhe të saktë sesa Kola, miku im! E fusin në bodrum dhe aty stivos paratë, lidh dëngjet pasi i ka numuruar. Mbyllur aty punon si kompjuter.
Jam edhe rrobaqepës – më tha një ditë duke buzëqeshur si ëngjëll !
C’a thua Kolë ??? – e pyes.
Po, po, ja punoj nja katër orë në ditë në kohën e drekës për të prerë copat sipas profileve prej kartoni që më japin te ajo ndërtesa aty.
Vetëm kaq di të bëj, nuk se jam ndonjë rrobaqepës me nam, jo!
Po pastaj ? – e pyes shoqërisht.
E po ja, darkave jam roje nate te ai hoteli në fund të rrugicës. Është mirë sepse gjysmën e kohës, mbyll pak sytë, aty nga ora 2 deri në 5 të mëngjesit. Se pastaj sapo ngrihem, merrem me parkingun përballë ku njerëzit vijne e kërkojnë veturat e lëna në darkë.
Uau, Kolë, edhe bankier, edhe rrobaqepës, edhe roje, edhe menaxher parkingu!!!
C’a të bash o profesor Fuga, o flori, më thotë duke qeshur te klubi i rrugicës pasi pimë një birrë.
Kohë e vështirë, duhet me jetu, thotë.
O Kolë, o gjigand, po tjetër ? – e pyes unë.
Hic, ja të shtunave shkoj në Elbasan sepse vazhdoj masterin për mësuesi, e kam ëndërr të bëhem mësues i ciklit të ulët, më thotë pak si me turp.
Njeh gjithçka, të gjitha njësitë e shitjes, burim informacioni për cdo gjë, por këtë e jep falas, për miqtë. Por, si zyrë informacioni është perfekt. Kurrë nuk ka informacione të pasakta. Mund të fitonte lekë edhe andej.
Një ditë i thashë : Nga sa numuroj o Kolë, o mik i dashur, o shembull, ti në lagjen tonë le një 8 vetë pa punë. Ti ke tharë tregun e punës sepse të gjitha punët në lagje ti i bën dot. Ndofta ende jo mjek i ambulancës, por të tjerat të gjitha, shitës, roje, rrobaqepës, menaxher urban, je nderi i lagjes – i them.
Të jep edhe numrin e telefonit nëse ke nevojë 24 orë për të.
I lumtur që e kam mik.
Kola buzëqesh.