Nga Skënder Minxhozi/
Nëse dikujt i përmend emrin e gjyqtarit Ibrahim Hoxha, me shumë gjasë do të thotë se e dëgjon për herë të parë si emër. Thuajse askush nga shqiptarët e thjeshtë s’e ka dëgjuar, përveç atyre që e kanë hasur personalisht në peripecitë me gjyqet apo që e kanë ndjekur si gazetarë kronike, në rastet që ka gjykuar. E megjithatë Ibrahim Hoxha nuk është një emër i panjohur brenda sistemit dhe në katet e larta të klasës drejtuese të vendit.
Siç po del edhe një herë këto orë, gjyqtari Hoxha ka qenë i hetuar dhe i përgjuar prej kohësh nga institucionet që merren me luftën ndaj krimit ekonomik dhe korrupsionit, për një ryshfet të marrë në këmbim të një vendimi të njënashëm pronësie. Pikërisht për këtë akuzë që rëndon sot mbi të dhe disa persona të tjerë, Hoxha është akuzuar edhe nga deputetë të Parlamentit, të cilët u kanë shkruar në vitin 2010 kreut të shtetit dhe anëtarëve të qeverisë së kohës. Asgjë s’ka ardhur pas atij denoncimi, por edhe pas akuzave të tjera ndaj këtij gjyqtari, të bëra vite më vonë nga një tjetër politikan, kësaj rradhe ministri i drejtësisë i vitit 2013, që ju drejtuan KLD për marrje mase.
Rasti “Hoxha” përbën një precedent klasik në sistemin e drejtësisë shqiptare. Nëse shikon akuzat, lidhjet e supozuara, aferat në të cilat dyshohet se ai dhe njerëzit rrotull tij janë përzier, të gjitha këto përkojnë me kronologjinë më të “rëndomtë” të sëmundjes kronike që ka kapur drejtësinë shqiptare: korrupsionin masiv financiar. Dhe si për ta bërë edhe më “famijare” këtë histori, në sfond janë shfaqur edhe politikanët, të cilët i kanë siguruar gjyqtarit imunitet ndaj akuzave, sa herë që ka pasur nevojë.
Ndodhemi përballë njërit prej atyre precedentëve të cilët të sjellin ndërmend më shumë se çdo gjë tjetër, nevojën për një reformë përmbysëse në sistemin e drejtësisë. Kurrë më shumë sesa kur lexon histori si kjo e gjyqtarit të akuzuar Hoxha, nuk të shkon mendja për draftin e reformës që mbahet ende nën sirtaret e negociatave të politikës dhe teknicienëve.
Ka nevojë për një reformë dhe kjo duhet tani! Sepse sa herë që “smalti” i drejtësisë shqiptare bie, duke na dhënë mundësinë të shohim për një moment brenda asaj bote të errët, kuptojmë se rrojmë në një vend ku të bësh drejtësi është thuajse e pamundur.