Nga Skënder Minxhozi/
Parlamentarët e opozitës e kuptuan shpejt se ndodheshin para një situate që kërkonte nderhyrjen e tyre të shpejtë. E megjithatë gafa ishte hedhur në eter, mediat që transmetonin direkt seancën e Kuvendit, e pasqyruan urgjentisht me titra apelin në formë kërcënimi të Berishës, për armatosjen “e të gjithë shqiptarëve”.
Që nga ai moment ka kaluar një javë, e tani shumëkush e di se çfarë ka ndodhur të enjten e shkuar në Parlamentin e Shqipërisë. I ndodhur në njërën prej arrative të tij të zakonshme verbale, gjatë të cilave edhe ai vetë nuk mban asnjë përgjegjësi për ato që thotë, ish-kryeministri bëri apelin që të gjithë shqiptarët të armatoseshin. Dhe në fund të asaj thirrjeje, ai shtoi si kalimthi, që kjo të bëhej në emër të vetëmbrojtjes, duke kopjuar atë që ndodh në Amerikë.
Që një vend të armatoset, duhet të ketë qenë më parë i çarmatosur. Nëse i hedh një sy Shqipërisë së 18 vjetëve të fundit, që nga kriza e një milion armëve e vitit 1997, vëren pa shumë mundim se në ambjentin tonë sfidë mbetet çarmatimi, e jo armatimi i popullsisë. Megjithë masat ligjore që u morën pas asaj krize për mbledhjen e armëve, megjithë aksionet e përsëritura të policisë, ushtrisë dhe pushteteve vendore, armët e dala nga depot e komunizmit nuk u kthyen më kurrë në kazermat nga ishin marrë, por u trafikuan në tregjet rajonale të armëve, ose kanë zënë vend në syndyqet e bodrumet e shtëpive, prej nga dalin sa herë që “duhet ndrequr ndonjë sherr”. Ashtu siç ndodhi pak ditë më parë tek Bërryli, ku për shkak të kafshimit të një qeni, për pak nuk u shkaktua një tragjedi njerëzore, pas një krëhëri kallashnikovi që u zbras mbi zotëruesin e Pit Bullit dhe të tjerët aty pranë.
Si rasti i mësipërm,shqiptarët kanë parë qindra e mijëra sherre, për shkak të armëve që ende qarkullojnë në duart e popullsisë. Të vrarët jane po ashtu me kijëra. Të propozosh në këto kushte, që të rrëmbëhen armët “si në Amerikë”, do të thotë të mos e kesh fare idenë për atë që ka ndodhur në këtë vend në një dekadë e gjysmën e fundit.
Por kjo do të kishte vlerë nëse vërtet Berisha do të kishte propozuar, e jo kërcënuar, me armatosjen e popullsisë. Sepse ai nuk propozoi, por thjesht kërcënoi, ashtu siç ka bërë shumë shpesh nga ajo tribunë.
Por nuk është këtu problemi i vërtetë i asaj që ka ndodhur në Kuvend. Çeshtja është se pse opozita nuk gjeti forca, as atë ditë në sallë, e ç’është më e rënda as më vonë, kur gjakrat u ulën, që të distancohej nga kërcënimi parlamentar i ish-kryeministrit. Më keq akoma, opozita vijon të harxhojë jo pak energji mediatike, për të thënë se ajo që Berisha kumtoi në Kuvend, ishte në fakt një propozim për një projektligj për paisjen me armë të popullsisë.
E habitshme! Një propozim nga hiçi, një ide që del nga asgjëja! Kurrë më parë, as Berisha, as e djathta, nuk ka hedhur ndonjëherë tezën e armatosjes së popullatës. Nuk ka asnjë rekord, as një tezë të hedhur në kohë fushate apo në momente qetësie politike, e cila të na japë sadopak përshtypjen se në rradhët e PD ka ide dhe plane për të hartuar një kuadër ligjor për armët.
Çka konfirmon në mënyrë të drejtpërdrejtë, jo vetëm që shpërthimi i zotit Berisha qe fryt i një momenti gjaknxehtësie, por edhe që opozita vazhdon të investohet në fakt në një gënjeshtër publike, të cilën nuk di si ta kamuflojë.
O Skender na hape barkun me kesi analizash rilindase
edhe ti je nje nder ta
O MavRi………………………..