Pas vrasjes së 3 personave në lokalin e familjes Çapja në Elbasan, Saimir Beqiri kërkoi mbrojtje nga policia. Por ndërsa priste përgjigje për mbrojtje nga shteti, Saimir Beqiri u ekzekutua me 5 plumba.
Familja Beqiri dhe vetë viktima kishin thënë në polici se ndjeheshin të rrezikuar për shkak të konfliktit të hershëm me familjen Çapja.
ABC News raporton se familja Beqiri pretendoi se ndihej e kërcënuar, pasi një nga pjesëtarët e vrarë të familjes së tyre, Gentian Beqiri u vra pasi u akuzua për ekzekutimin e Sokol Çapjes.
Por kërkesa e tyre siç duket ka rënë në vesh të shurdhër.
Mbrëmjen e 11 prillit, Saimir Beqiri u ekzekutua me disa plumba nga dy persona të maskuar, që ende nuk janë identifikuar.
Pista e hetimit, është përqëndruar tek hakmarrja.
Prokuroria e Elbasanit, administroi në dosje pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë së një bar-restoranti dhe karburantit pranë vendit të ngjarjes.
Në këto pamje, thonë hetuesit janë fiksuar dy autorët, të maskuar me paruke, të cilët e ndjekin me vrap viktimën duke qëlluar nga afër në hyrje të lokalit ku edhe u gjet trupi nga policia.
Në pamje, duket se viktima ka vrapuar, por ai është ndjekur nga dy persona, të cilët kanë qëlluar në drejtim të tij. Kamerat kanë fiksuar të dy autorët duke qëlluar në drejtim të viktimës, por në vendin e ngjarjes janë gjetur vetëm një lloj gëzhojash.
Kjo ka bindur hetuesit, se njëri nga autorët ka përdorur pistoletë me mulli.