Më 25 nëntor, SPAK goditi grupin kriminal të Suel Çelës, një organizatë me bazë në Elbasan e cila merrej me trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine dhe shpërndarjen e saj në vende të Bashkimit Evropian.
Banda kriminale, e cila synim kryesor ka pasur kontrollin e territorit kryesisht në Shqipërinë e Mesme, sipas SPAK, kishte depërtuar në sistemin e drejtësisë, në polici dhe në media, për të favorizuar anëtarët e organizatës kriminale, për të rënduar pozitën e kundërshtarëve, dhe për të goditur deri në vrasje, pjesëtarët e grupeve rivale të fisit Çopja.
Me 21 masa sigurie, në mesin e të cilëve është edhe vetë kreu i bandës në kërkim ndërkombëtar Suel Çela, ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu, ish-shefi i Krimeve, Dedan Gjoni, por edhe 2 gazetarët, Elton Qyno dhe Artan Hoxha, SPAK thotë se në hetime ndihmuan bisedat e zbardhura nga komunikimet në aplikacionin e koduar SKyEcc, për zbërthimin e të cilit ndihmuan edhe autoritetet e huaja.
Gazetarja Aida Topalli, e ftuar në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, nën moderimin e Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova, tha se SPAK do të vijojë të godasë grupe të tjera kriminale. Sipas saj, në dhjetor do të kemi një tjetër aksion në qytetin e Durrësit dhe arrestimet mund të shkojnë deri në politikë.
Aida Topalli: Grupi i Suel Çelës është një nga grupet më të fuqishme në qytetin e Elbasanit dhe në trafikun ndërkombëtar të lëndëvë narkotike. Një nga pikat kryesore për tu anëtarësuar në BE është pastrimi i vendit, pastrimi i sistemit të drejtësisë dhe mbështetja e ndërkombëtarëve ka çuar deri në këtë pikë, që Prokuroria e Posaçme të bëhet institucioni më i rëndësishëm që do të vërë drejësi në vend. Kemi ende një shifër shumë të lartë personash që do të arrestohen sepse kemi ende një numër shumë të lartë bandash që nuk janë prekur. Bandat nuk fillojnë me Bajrat në Shkodër dhe nuk mbarojnë me Çopajt në Elbasan. Kemi ende banda që funksionojnë. Pas goditjeve që Prokuroria e Posaçme filloi, një pjesë e bandave janë larguar nga Shqipëria për shkak të frikës dhe janë vendosur në Dubai. Por ko nuk i ka penguar që të krijojnë ngjarje kriminale edhe në vendin tonë.
A do të kemi goditje të tjera të bandave kriminale? Patjetër që po. Ka ende shumë nga zbërthimet e SkyEcc dhe Enchrochat sepse gjuha shqipe ishte gjuha e dytë më e përdorur në këtë aplikacion. Asnjë nga shqiptarët që e ka përdorur nuk e ka përdorur për qëllime të mira, por për gjëra që janë të paligjshme. Se kush e ka radhën nga grupet kjo mbetet për tu parë. Do të kemi një goditje në zemër të Shqipërisë, së Durrës, edhe para fundvitit. Mund të shkojmë deri në politikë, dhjetori do të jetë i trazuar. Edhe dosja e Elbasanit do të shkojë deri në politikë. Askush nga ata që është i përfshirë në këto zbërthime nuk do t’i shpëtojë drejtësisë.
/a.r