Është mbajtur në ambientet e Presidencës procedura e hedhjes së shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), që do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre nga 1 janari deri më 31 dhjetor të 2025-ës.
Nga hedhja e shortit u përzgjodhën si anëtarë të KED përkatësisht:
- Marjana Semini – Gjyqtar, anëtare e Gjykatës Kushtetuese;
- Ilir Toska – Gjyqtar, anëtar i Gjykatës Kushtetuese;
- Sokol Sadushi – Gjyqtar, Gjykata e Lartë;
- Alma Muça – Prokurore, Prokuroria e Përgjithshme;
- Fuat Vjerdha – Gjyqtar, Gjykata e Apelit;
- Enkela Vlora- Gjyqtar, Gjykata e Apelit;
- Irma Balli – Prokurore, Prokuroria e Apelit;
- Etjen Kapo – Prokuror, Prokuroria e Apelit;
- Nafie Hasko – Gjyqtare, Gjykata Administrative.
Përpos 9 anëtarëve të përzgjedhur nga hedhja e shortit gjatë kësaj të hëne (2 dhjetor), KED-ja do të funksionojë edhe me gjashtë anëtarë zëvendësues të KED përgjatë 2025-ës.
Konkretisht:
- Marsida Xhaferllari – Gjyqtare, Gjykata Kushtetuese;
- Medi Bici – Gjyqtar, Gjykata e Lartë;
- Thoma Jano – Prokuror, Prokuroria e Përgjithshme;
- Elvana Çiçolli – Gjyqtar, Gjykata e Apelit;
- Genti Xholi – Prokuror, Prokuroria e Apelit;
- Bezart Kaçkini – Gjyqtar, Gjykata Administrative.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) është organ i pavarur, i parashikuar në Kushtetutë, që kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerëson kriteret profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
KED-ja përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Ata e ushtrojnë detyrën më kohë të pjesshme, pa u shkëputur nga funksionet e tyre të zakonshme, për një mandat njëvjeçar, që fillon në datën 1 janar të çdo viti kalendarik.
Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik.
Gjithashtu, zgjidhen me short si anëtarë zëvendësues për nivelin përkatës, një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, një gjyqtar nga gjykatat e apeleve, një prokuror nga prokuroritë pranë gjykatave të apelit dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative.
/a.r