Në vitin 2019, Bashkia e Lezhës llogariste një borxh prej 4.7 miliardë lekësh si trashëgimi e ish-komunave që nuk kishin shlyer detyrimet ndër vite. Tashmë 5 vjet më pas, ky detyrim është zeruar duke bërë që kjo bashki të kalojë me sufiçit. Kryebashkiaku Pjerin Ndreu thotë shkak për situatën ishte bërë keqmenaxhimi i të ardhurave, punësimet pa kriter, mungesa e investimeve dhe shpërdorimi i fondeve.
“E gjetëm me 4.6 miliard borxh, na është dashur ta strukturojmë borxhin. Mbi 70 përqind e borxhit ishte për t’u likuiduar. Pastaj ishte një pjesë faturash të paqena, të pa ekzistuara fare, që mbaheshin stok nga ish-komuna”.
Tashmë që borxhet janë shlyer, Ndreu thotë se do të ketë më shumë investime dhe shërbime më të mira për qytetarët.
“Kanalizime të reja të ujërave të bardha dhe të zeza në qytet. Ujësjellësi i ri në lagjen Nënë Tereza. Që ta dini, do ikin ujërat e zeza nga lumi. Nuk ka lumi më ujëra të zeza. Nuk do ketë më përmbytje Lezha, se do bëhet një stacion i madh pompash, që do e marrin ujin e do e çojë… dhe s’di ku do e çojnë, po në Lezhë nuk e le më”.
Ndërsa Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja nuk i kurseu shigjetimet për opozitën.
“Dhe gojët e liga të paktën fjalën keqadministrim dhe korrupsion në Bashkinë e Lezhës, do duhet t’ia kursejnë djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që punojnë në Bashkinë e Lezhës dhe njësitë administrative”.
Bashkia e Lezhës ka një buxhet vjetor prej 1.8 miliardë lekësh, por të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore kanë ardhur në rritje. Në investimet e planifikuara janë shmangia e derdhjes në lumin Drin e kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza, eliminimi i përmbytjeve dhe ndërhyrjet në infrastrukturën e qytetit të Shëngjinit.
/a.r