Ismail Mulleti, biznesmeni i lakuar ne dosjen e skandalit, “Panama papers”, është një nga biznesmenët e përdorur nga Partia Demokratike në fillimet e saj, si mbulesë për bizneset e lojërave të fatit që financonin Partinë Demokratike dhe gazetën e saj “RD”, si dhe më pas në ditët që po largohej nga pushteti, si një person që ju “besuan” pasuritë e PD, në emër të tij, pa asnjë përfitim nga Partia Demokratike. Për ata që e kanë ende në kujtesë Tiranën e fillimviteve ‘90, mund të kujtojnë një lokal me xhama të zinj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Galerisë së Arteve. Ai ishte një lokal i lojërave të fatit “Admiral”, pronë formale e Ismail Mulletit, prej të cilit mernin të ardhura gazeta e Partisë Demokratike dhe një pjesë, dhe PD në mënyrë informale. Si ai kishte dhe katër lokale të tjera në Tiranë, të cilat Bashkia e Tiranës ja kishte ofruar këtij biznesmeni. Në vitin 1994, kur kompania e biznesit të PD, “Shqiponja”, po përflitej shumë dhe ishte vënë në shënjestër të luftës nga Azem Hajdari, si një kompani që po bënte trafikun e naftës me Malin e Zi për të furnziuar ushtrinë vrasëse të Milosheviçit, bordi i kësaj kompanie vendosi të shesë aksionet e veta dhe të bëjë ortak në biznese të ndryshme, biznesmenë të tjerë të afërt me PD. Një prej këtyre bizneseve ishte dhe privatizimi i lokalit “Tajvani” në parkun “Rinia”, ku “Shqiponja SHA” u bë 60 për qind aksionere, dhe Ismail Mulleti 40 për qind aksioner.
Deri në atë kohë, Mulleti njihej si një nga miqtë e Genc Pollos, në atë kohë nëpunës i Berishës në Presidencë.
Me ikjen e Eduard Selamit dhe marrjen e PD nga Tritan Shehu, marrëdhëniet e Shehut dhe Mulletit u forcuan shumë. Së bashku me Genc Pollon, Tritan Shehu në atë kohë, ishte njeriu më i afërt i Mulletit (Ilit). Kjo bëri që diku nga fillimi i vitit 1996, raportet në kompaninë “Tajvani” të ndryshonin në favor të Mulletit, duke kaluar në 60 për qind aksioner ai, dhe 40 për qind kompania “Shqiponja SHA”, e PD.
Skandal financiar në këtë mes, është fakti që Mulleti i ka blerë këto përqindje jo me para, por me letrat me vlerë që ekzistonin në treg, dhe që bliheshin me 2 për qind të vlerës, duke i marrë thuajse falas gjithçka, por duke ndarë interesat natyrisht me ata që firmosnin.
Me fillimin e trazirave në vitin 1997, dhe sidomos pas ngjarjes së Lushnjës, Tritan Shehu u shmang nga drejtimi real i PD dhe në prill u emërua Genc Pollo si sekretar i Përgjithshëm.
Sipas dokumenteve që ekzistojnë në Partinë Demokratike dhe që prokuroria duhet t’i hetojë, rezulton se me firmë të Genc Pollos, si sekretar i Përgjithshëm i PD, është bërë shitja e pjesës së PD, përmes kompanisë “Shqiponja SH.A.” në favor të biznesmenit Mulleti, duke u bërë 100 për qind pronar i Tajvanit.
Skandali në këtë shitje, firmosur nga Genc Pollo dhe legalizuar nga Shehu, e më pas Berisha, është fakti që PD nuk ka marrë asnjë qindarkë nga ky biznesmen, pasi sipas provave që Albina Karamitro paraqiti para kryesisë së PD në atë kohë, Mulleti kishte paraqitur një “studim inxhinierik të zonës” dhe një “projekt”, që sipas tij, kishin kushtuar rreth 200 mijë dollarë, dhe më këtë ka justifikuar marrjen e pjesës prej 40 për qind të PD, përfaqësuar përmes kompanisë “Shqiponja SH.A.”në këtë pasuri.
Pasi u bë 100 për qind pronar, Mulleti filloi të jetojë larg Shqipërisë, filimisht në Hungari e pastaj në SHBA. Qëndrimi i tij në Shqipëri u bë problematik, pasi bodigardi i tij u ekzekutua para shtëpisë, për shkak të përfshirjes së tij në vrasjet në Tropojë, në anën e rivalëve të Haklajve, që ishin njerëz të Berishës.
Në fillim të viteve 2000, ai ja shiti kompaninë një biznesmeni grek për 750 mijë dollarë dhe vazhdoi të qëndrojë larg Shqipërisë.
Prej asaj kohe, Mulleti ka mbajt si lidhje politike në Shqipëri, vetëm Genc Pollon, të cilin dhe e ka ndihmuar financiarisht në përpjekjen e tij për të dalë kundër Berishës.
Në vitin 2013, emri i tij u shfaq pas koncesionit të ngjyrosjes së naftës në kompaninë “Global Fluids International”, s.a
Kompania e cila rezulton të jetë në bashkëpronësi me një avokat izraelit, ishte regjistruar në maj të vitit 2013 në ishullin e Anguilla, në mënyrë që të investojë në kompanitë shqiptare të teknologjisë së lartë, ndërkohë që Sali Berisha, i ka dhënë po atë muaj të drejtën e markimit të karburanteve. Bashkëpronar i kësaj kompanie rezulton Ismail Mulleti sipas letrave që po hapen nga konsorciumi i gazetarëve investigativë.
GFI Albania, ku ai është aksioner, ka përfituar një kontratë 150 milionë euro për dhjetë vjet. Shoqata e Karburanteve shqiptare, thotë se ata fitojnë 6.5 uro për ton, vetëm nga ngjyrosja, fitim ky më i madh se sa merr nga një ton naftë kompania që e ka blerë dhe e shet naftën.
Shoqata e Karburanteve e hodhi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, dhe loboi ta fitonte atë, por disa gjykatës kanë folur në konfidencë me ata dhe disa gazetarë, se kanë pas presione nga familjarë të ish- kryeministrit Berisha, për të dhënë një vendim në favor të koncesionit të ngjyrosjes.
Në duart e gazetarëve është dhe regjistrimi i kësaj bisede konfidenciale të këtyre shfajësimeve të gjykatësve, përse kanë dhënë vendim në favor të kompanisë, që ka koncesionin e ngjyrosjes së naftës.
Partia Demokratike, e cila është agresive me çdo përpjekje për të dhënë koncesione nga qeveria e re, jo vetëm që nuk ka mbajtur qëndrim autokritik për këtë konçesion, por e ka mbrojtur atë publikisht, edhe pse është një taksë që rëndon ndjeshëm tregun e naftës në vend. Dhe në Partinë Demokratike është një “traditë e shkëlqyer”, që të gjithë heshtin kur bëhet fjalë për diçka që i përket Sali Berishës dhe familjarëve të tij.