Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikonfirmuar sërish mbështetjen për institucionet e drejtësisë.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasada e SHBA-së nënvizon se qëndron krah institucioneve të pavarura shqiptare të drejtësisë në përpjekjet e tyre për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe pandëshkueshmërinë.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me vendosmëri krah institucioneve të pavarura shqiptare të drejtësisë në përpjekjet e tyre për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe pandëshkueshmërinë. Së fundmi, OPDAT zhvilloi një seminar koordinues për strukturën e Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shkodër”, shkruan ambasada e SHBA.
Siç bën të ditur ambasada e SHBA së bashku me përfaqësues të OPDAT, ICITAP dhe FBI, prokurorët e SPAK, përfshirë kreun e SPAK, Altin Dumani, u mblodhën për të diskutuar përparësitë kryesore të SPAK-ut.
“Së bashku me përfaqësues nga Zyra për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë jashtë Shtetit (OPDAT), Programi Ndërkombëtar i Ndihmës për Trajnimin për Hetimet Penale (ICITAP) dhe FBI, prokurorët e SPAK, përfshirë kreun e SPAK, Altin Dumani, u mblodhën për të diskutuar përparësitë kryesore të SPAK-ut”, njofton ambasada e SHBA.