Udhëheqës politik e diplomat shqiptarë e të huaj, thanë të hënën në Prishtinë se Kosova duhet të marrë vendin e saj në familjen euro atlantike dhe për këtë është e domosdoshme ruajtja e aleancave me perëndimin. Këto komente u bënë gjatë konferencës me temën “Rugova dhe perëndimi”, e cila u organizua nga Lidhja Demokratike e Kosovës në kuadër të shënimit të 25 vjetorit të çlirimit të vendit.
Ish kryeministri italian, Massimo D’Alema, tha se trashëgimia e ish presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova është më e gjallë dhe më nevojshme se kurrë më parë.
“Një kohë shumë e gjatë ka kaluar që atëherë dhe Kosova ka bërë shumë hapa përpara, por jemi ende larg nga qëndrueshmëria dhe bashkëpunimi në rajonin e Ballkanit, që përbënin edhe qëllimin e Ibrahim Rugovës, dhe pa të cilat është e vështirë për Kosovën të arrijë të shoh statusin e saj si një vend i pavarur plotësisht të njohur, dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara. Rreziku sot është që ripërtëritja e tensioneve në planin ndërkombëtar do të pasqyrohet në realitetin e Ballkanit, një realitet që mbetet i brishtë dhe i goditur nga konflikte nacionaliste, etnike dhe fetare. Më shumë se kurrë Ballkani ka nevojë për atë që do ta quaja shpirti i Rugovës, që nënkupton aftësinë e udhëheqësve të ngrihen për popullin e tyre pa rënë pre e nacionalizmit”, tha ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se në 25 vjetorin e çlirimit Kosova ka nevojë të ripërtërijë kujtesën dhe të kthehet te idealet që e ndihmuan të dalë nga lufta në liri.
“Në gjithë absurditetin përplasës të sotëm, te i cili absurditet gjejmë sot veten si në habi disi, në gjithë këtë mes dridhjesh të paimagjinueshme të Kosovës në rrugëtimin tonë origjinal e euroatlantik me miq e aleatë, në pabesinë më të madhe të zareve që thyejnë trashëgiminë reale të Ibrahim Rugovës, ne duhet të gjejmë jo vetëm kurajën për veprim të menjëhershëm politik por dhe besimin në bërjen e këtij rrugëtimi me plot bindje. Për ne perëndimi nuk është dëshira jonë, është identiteti ynë”, tha zoti Abdixhiku.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se është koha që Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare të reflektojnë mbi interesat strategjike, duke u përqendruar më pak në krizat aktuale dhe më shumë në synimet e përbashkëta dhe rrugën e përmbushjes së tyre.
“Nuk jam i sigurt se asnjëra palë po e bën këtë si duhet tani për tani të jem i sinqertë, dhe mund ta pranoj se pak nga ajo ku ne duam ta shohim Kosovën të përparojë po pengohet nga disa prej vet zgjedhjeve tona. Por kjo nuk e çliron udhëheqjen aktuale dhe asnjë udhëheqje tjetër nga përgjegjësia e vet, të gjithë mund dhe duhet të bëjmë më mirë. Të gjithë kemi një vizion, që besoj së pari është artikuluar nga president Rugova, për një Kosovë që merr vendin që i takon, që integrohet plotësisht në të gjitha strukturat evropiane, që sillet dhe trajtohet për çfarë është në fakt – një vend sovran, demokratik, shumëetnik”, tha ai.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama tha se ish presidenti Rugova ka lënë pas një trashëgimi të vyer për brezat e ardhshëm.
“Me strategjinë e tij të paqes për të fituar luftën Ibrahim Rugova dëshmoi se e para – besnikëria ndaj parimeve është mbytëse pa largpamësinë dhe e dyta – paqes së plotë i duhet diçka esenciale më shumë sesa fitorja e luftës me armë, i duhet shikimi i të shkuarës me sytë e të ardhmes dhe jo shikimi i të ardhmes me sytë e së shkuarës”, tha ai.
Zoti Rama tërthorazi hodhi kritika ndaj qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për qasjen ndaj aleatëve ndërkombëtarë ndërsa theksoi se shqiptarët janë një popull i vogël i ndarë në dy shtete, për të cilët mbështetja e miqve dhe aleatëve mbetet thelbësore.
“Udhëheqja e vërtetë në kërkim të paqes së plotë matet jo nga aftësia për të ngritur gur pas guri kulla ngujimesh kinse parimore, por nga mjeshtëria për të ndërtuar metër pas metri urat e bashkëpunimit dhe ëndrra për t’i patur që të gjitha menjëherë përmes një fitoreje absolute, jo rrallë shndërrohet në makthin e humbjes së shumëçkaje për breza të tërë”, tha ai.