Nga Dritan Hila
Në një fjalim përmbyllës për zgjedhjet në Parlamentin Evropian, kryeministri grek Micotaqis, ka kërcënuar se Shqipëria dhe Maqedonia, rruga për në BE iu kalon nga Athina.
Nuk e di për Maqedoninë sa pi ujë, por për Shqipërinë ka hedhur gjithë arsenalin e tij anakronik duke filluar nga vetot në BE (aq sa e lejojnë), aleanca me Berishën ku zëvendësit e tij shkojnë më takime incognito në Athinë, Ben Ahmetajn bursistin e fondacionit Kokalis që lëshon intervista nga Zvicra, për të kaluar tek Fred Beleri dhe kërcënimet e tij në terren për të bllokuar bashkinë dhe kthyer Himarën në një problem evropian dhe tokë të djegur për shqiptarët.
E megjithatë ajo që nuk kupton politika greke është se i janë ndryshkur armët.
Shqiptarët nuk e shohin më Greqinë si vend punësimi por pushimesh. Nuk e di a do t’i vinte mirë Micotaqis nëse Rama do t’u vinte një taksë, le të themi 200€ atyre shqiptarëve që shkojnë për pushime në Greqi në periudhën e muajve të verës. Do të ishte një shifër që do ta ndiente buxheti i hotelerive greke.
Po ashtu shqiptarët nuk është se mezi po presin të anëtarësohen në BE dhe e dinë që nuk ndodh as sot e as mot. Ata e kanë të qartë që anëtarësimi është bllokuar për shkak të sistemit jofunksional të BE ku shtete si Greqia, Lituania, Hungaria apo Malta, mund të prishin axhendat e Francës, Gjermanisë apo Italisë. Sikurse të mëdhenjve iu janë mërzitur muhabetet e katundit të ballkanasve apo të gjithfarë xhuxhash ekonomikë që shfrytëzojnë rregullat e solidaritetit që vendosën themeluesit e BE, për punët e tyre mizantropë. Ndaj e kanë bllokuar anëtarësimet derisa të rregullojë punët brenda oborrit të vet, ku çdo zog pa push bën këndesin. E në ardhtë puna që të anëtarësohet Shqipëria apo Maqedonia, nuk do ta lënë në dorë të vetos greke. Deri atëherë shumë gjëra do ndryshojnë në strukturën dhe vendimmarrjen e BE.
Por Micotaqis nuk ka kuptuar ndryshimin më të madh: Që shqiptarët tashmë po mësyjnë Gjermaninë, Britaninë dhe SHBA, vende me të ardhura shumë herë më të larta, politika integruese dhe mundësi biznesi të pakufi. Këtë e ka kuptuar Rama i cili përveç përzënies së Ahmetajt, mungesës së vullnetit për të ndryshuar betimin e Belerit (kaq e ka në dorë), po i rrotullon thikën në mish Greqisë duke finalizuar bashkë me Maqedoninë dhe Bullgarinë Korridorin 8, një vepër strategjike e cila nxjerr jashtë funksionit Odhos Egnatia, vepër për të cilën Greqia u zhyt në borxhe dhe ishte një ndër shkaqet e krizës ekonomike greke, rrugë e cila tani mbetet vetëm të lidhë disa fshatra gjysmë të shpopulluara të veriut grek.
Nga gjithë zhvillimet e fundit mbi dhe nën rrogoz, ajo që kupton është se politika greke i ka mbetur ora në shekullin e shkuar dhe vazhdon të mendojë katundarisht në një botë globale; ku SHBA dhe BE po i digjet mjekra me mijëra të vrarë në Ukrainë dhe Izrael, kurse Greqia po nxiton të ndezë cigaren. Aq më keq për të./dritare.net