Nga Dritan Hila
Gjithë narrativa për vizitën e Melonit, mund të përmblidhet në logorè personash që vetëm zotërinj nuk duan të bëhen por iu pëlqen ta shikojnë kombin e tyre si raja dhe hyzmeqarë të atyre që janë me psikologjinë e skllavit dhe azilkërkuesit dhe kurrë me atë të zotërisë.
Kampi në Lezhë nuk ka asgjë të ndryshme nga qindra kampe anembanë vendeve të BE që presin emigrantë. Janë kampe që shqiptarët i kanë provuar edhe vetë. Politika të tilla për frenimin e emigracionit, vendet e BE i ndjekin edhe në vende të cilat nuk mund t’i quash vende vasale të BE. Turqia për shembull mban 4 milionë sirianë pasi këtë ia kërkon dhe i lutet BE, dhe në fund i thotë edhe faleminderit. Për këtë e paguan dhe ia di për nder. Erdogan sa herë ka ndonjë problem diplomatik me perëndimin, kërcënon me hapjen e valvulës së emigrantëve. Kushtet e kampeve janë mizerabël, me çadra dhe pa asnjë kusht higjiene, por askush nga opozita turke nuk qahet. Greqia i mbyt në det por askush nuk i përmend.
Ndërsa në rastin shqiptar, Italia ka bërë një marrëveshje për të strehuar një pjesë fare të vogël të dallgës së emigracionit afrikan. Është një akt që më shumë shërben nga pikëpamja politike sesa vërtet e ndihmon, po të krahasosh shifrat e atyre që zbarkojnë në Itali me ata që do sjellin këtu. Kushtet ekonomike janë të favorshme për Shqipërinë: nuk do shpenzojë asnjë kacidhe për mbajtjen e tyre, madje do paguhet. Është një mënyrë e trajtimit si partner të vendit tonë dhe shumë mirë që u pranua nga ana jonë për dy faktorë:
Së pari është një qasje sipas standardeve evropiane ndaj emigracionit (pjesë e të cilës tashmë jemi si vend pritës) nëse duam të tregojmë që jemi të denjë për anëtarësim. Sikurse duhet të tregojmë që nuk jemi modeli i Orban i cili iu ka ngecur në dorë evropianëve dhe kështu mund t’ua bëjmë edhe ne në të ardhmen.
Shqiptarët janë në provë sesi do të sillen në të ardhmen dhe sa evropianë janë. Këtë provë po e japin me një vend i cili jo vetëm ka pritur emigracionin shqiptar dhe e ka trajtuar njerëzisht, por është edhe sponsori kryesor yni për anëtarësimin më BE.
Shqiptarët janë përballë provës të sillen si evropianë dhe të ndihmojnë një vend mik si Italia e cila është lënë në baltë nga Gjermania dhe Franca në përballimin e valëve të emigracionit afrikan.
Problemi i vetëm këtu janë demek sovranistët shqiptarë që kanë frikë se iu prishet raca por që flamur kanë gjakprishurit e tipit Beleri; që krijojnë probleme me një vend që ka qenë historikisht sponsor i shtetit të pavarur shqiptar dhe lidhen me një vend që ka akoma ligjin e luftës; që kanë problem pse kemi marrëdhënie të ngushta dhe preferenciale me fuqinë e gjashtë industriale në botë, dhe si alternativë kanë zgjedhur modelin xaxiqi dhe sufllaqe të bëjnë politikë; një politikë që dikur në konferenca shtypi Berluskoni i tallte duke iu përmendur vajzat shqiptare që i donte në haremin e tij, me një politikë ku trajtohemi si partner.
Respekte Dritan!